E pabesueshme ajo që ka bërë një këshilltar i një fshati në Ukrainën Perëndimore. Ai hodhi tre granata dore gjatë takimit të këshillit, duke plagosur 26 persona.

Ngjarja e rëndë ndodhi të premten në mëngjes, në zyrat e këshillit të fshatit Keretsky, në rajonin Transcarpathian. Policia deri më tani nuk i ka bërë publike arsyet e sulmit, që la në gjendje shumë të rëndë 6 persona.

Takimi në fjalë po transmetohej live në Facebook. Këshilltarët ishin përfshirë në një debat të nxehtë mbi buxhetin e vitit 2024. Pas 90 minutash, një prej këshilltarëve rihyn në dhomë dhe qëndron para derës. Pak më vonë nxjerr granatat nga xhepat.

Shkurtimisht përpiqet që të tërheqë vëmendjen e personave të tjerë duke thënë “Mundem, mundem?”, shkruan BBC. Në këtë moment heq siguresat dhe i hedh granatat në mes të dhomës.

Ukrainasit kanë qasje në armatime për shkak të luftës me Rusinë, por nuk ka asnjë provë që e lidh këtë sulm me konfliktin.

Keretsky është një fshat me 4 mijë banorë, jo shumë larg nga kufiri me Hungarinë. Policia ukrainase tha se ngjarja do të hetohet si një “sulm terrorist”./tvklan.al