Në ditën botërore të luftës kundër tuberkulozit, mjekët deklarojnë se në Shqipëri çdo vit zbulohen 420 raste të reja. Tuberkulozi është sëmundje ngjitëse e cila prek kryesisht mushkëritë, por edhe organe të tjera.

Gazmend Bejtja: “Në Shqipëri aktualisht regjistrohen 13 raste të reja me tuberkuloz për 100 mijë banorë, afërsisht përkthehet në 420 raste të reja në vit. Tuberkulozi është një sëmundje infektive që prej përveç mushkërive edhe cipat e trurit, kockat, organe të tjera.”

Sipas specialistëve, tuberkulozi është më i përhapur në zonat verilindore, ndërsa një nga shkaqet që çon në tuberkuloz është varfëria.

Hasan Hafizi: “Që kjo sëmundje prek kryesisht shtresat e paprivilegjuara ose shtresat në nevojë. Janë vendet verilindore, Kukësi, Tropoja, Dibra që historikisht kanë pasur gjithmonë më tepër dhe përveç ecurisë historike ato kanë probleme ekonomike, ç’është e vërteta.”

Kjo sëmundje infektive, është e kurueshme nëse kapet në kohë dhe mjekohet siç duhet. Përsa i përket vaksinës kundër tuberkulozit që bëhet tek fëmijët që në ditët e para të lindjes ajo nuk krijon mbrojtje totale./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami