Talasemikët: Transfuzioni i gjakut nuk kryhet në kohë. Vështirësi ekonomike, kempi na është ulur

8 Maj është Dita Botërore e Talasemisë. Në këtë ditë mjekët hematologë, por edhe pacientët që vuajnë nga kjo sëmundje bëjnë thirrje për më shumë vëmendje. Mjekja hematologe ngre si shqetësim rënien e ndjeshme numrit të dhurimeve vullnetare të gjakut, duke nisur që prej pandemisë por edhe largimin masiv të popullsisë në moshë të re.

“Dhurimi vullnetar tek ne është defiçitar, që do të thotë vitet e fundit për arsye të panjohura, por mbase dhe të indiferencës apo prej emigrimit të të rinjve është pakësuar numri i dhurimit vullnetar. Janë 10 për mijë banorë aktualisht, duhet të jetë mbi 20 që të plotësohen nevojat e individëve me talasemi, por edhe me problematika të tjera.”

Sipas mjekes, pacientët që vuajnë nga talasemia kanë nevojë për transfuzion gjaku pothuajse çdo javë. Ndërsa mungesë kanë më shumë, për grupet e gjakut me rezus pozitiv.

“Talasemia është një sëmundje gjenetike që transmetohet nga të dy prindërit të cilët janë bartës të këtij mutacioni genetik, gjë që tek fëmija e tyre shfaq një anemi. Terapia e vetme mbështetëse për këta individë është transfuzioni i gjakut çdo dy javë, ose çdo 21 ditë për fëmijët më të vegjël.”

Ermela Zenelaj, e cila vuan prej më shumë se 27 vitesh nga talasemia thotë se ulja e ndjeshme e dhurimeve të gjakut u sjell vonesa në kryerjen në kohë të transfuzionit.

“Veç mungesës së dhurimit të gjakut, ne duhet të vijmë çdo 10 ditë. Javë për javë ne thuajse bllokohemi komplet nga pjesa tjetër e jashtme në ato momentet e trasfuzionit.”

Ndërkohë që shqetësim për personat që vuajnë nga talasemia është edhe reduktimi i pagesës së kempit.

“Ne duhet të punojmë për të nxjerrë diçka sepse një kemp me 70, 90 mijë lekë është e pamundur për të jetuar. Më parë kishim 120 mijë lekë, tani ne na kategorizojnë te sëmundjet e lehta, ndërkohë që me kod ne jemi te sëmundjet e moderuara apo të rënda.

Shqipëria është një vend me endemicitet të lartë të talasemisë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në vendin tonë ka rreth 300 mijë bartës, ose rreth 9% e popullsisë së vendit.

Frekuenca më e lartë takohet në zonat e Ultësirës Perëndimore, kryesisht në Fier, Lushnje, Berat dhe Sarandë.

Sipas OBSH, vendet ku shfaqet më shpesh talasemia janë vendet e Mesdheut ku malaria ka qenë endemike, si Shqipëria, Greqia, Italia, Qipro, por edhe në Azi dhe një pjesë të Afrikës.

Klan News