◾Sipas kreut të inteligjencës britanike Rusia ka nënvlerësuar masivisht situatën në Ukrainë. Sir Jeremy Flaming tha se këshilltarët e Presidentit Putin nuk po i thonë atij situatën e vërtë për situatën në terren.
◾Rusia ka shpallur një armëpushim në Mariupolin e rrethuar për të lejuar evakuimin e civilëve.
◾Presidenti i Ukrainës ka thënë se trupat ruse po rivendosen për të ndërmarrë sulme të reja në rajonin e Donbasit në lindje të vendit.
◾4 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina që prej nisjes së luftës.
Putin ka vënë në arrest shtëpie disa prej këshilltarëve të tij?
Presidenti amerikan Joe Biden thotë se Vladimir Putin duket të jetë vetëizoluar në Rusi.
Biden shkoi edhe më larg, duke thënë se kreu i Kremlinit mund të ketë pushuar nga puna, apo mund t’i ketë vënë në arrest shtëpiak disa nga këshilltarët e tij.
“Ai duket të jetë vetëizoluar dhe ka disa të dhëna që ka pushuar nga puna ose ka vënë në arrest shtëpie disa nga këshilltarët e tij“, tha Biden.
SHBA, 1 milion fuçi nafte në ditë nga rezervat
Joe Biden tha këtë të enjte se kishte urdhëruar lëshimin e 1 milion fuçi nafte në ditë nga rezerva strategjike të naftës në vend, për një periudhë kohore prej 6 muajsh, për të kontrolluar çmimet e energjisë.
Presidenti amerikan tha se ndalimi i importeve të naftës ruse ishte “gjëja e duhur për t’u bërë”, por gjithmonë do të vinte me një kosto.
Komentet e Biden erdhën pasi Ukraina tha se po diversifikonte furnizimet e saj me karburant, duke shtuar se kishte besim se do të ruante burime të mjaftueshme pas disa sulmeve me raketa ruse në depot e naftës.
Ministri i Energjisë Herman Haluschenko tha se Ukraina kishte pësuar sulme intensive në infrastrukturën e saj të naftës gjatë ditëve të fundit.
“Nuk ka prova të qarta që Putin po tërheq trupat nga Kiev”
Presidenti amerikan i tha mbrëmjen e kësaj të enjteje gazetarëve se ishte skeptik ndaj pretendimeve ruse për tërheqjen e trupat nga Kievi dhe se do të fokusohej në lindje të vendit.
“Është një pyetje e hapur nëse ai po tërhiqet vërtetë”, u tha Joe Biden gazetarëve.
“Deri tani, nuk ka asnjë provë të qartë se ai po tërheq të gjitha forcat nga Kievi. Ka gjithashtu prova që ai po forcon trupat e tij në zonën e Donbass“, u shpreh Biden.
“Nuk e di përgjigjen, duket deri tani… ideja që po tërheq të gjitha trupat nga rrethi i Kievit dhe po lëviz në jug, nuk ka asnjë provë që e ka bërë këtë”, shtoi ai.
Mbretëria e Bashkuar: Do të dërgojmë më shumë ndihma ushtarake vdekjeprurëse në Ukrainë
Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace ka njoftuar se do të dërgohen më shumë ndihma ushtarake vdekjeprurëse në Ukrainë.
Dërgesa e re do të përfshijë artileri me rreze më të gjatë dhe më shumë raketa anti-ajrore.
“Do të ketë më shumë ndihma ushtarake vdekjeprurëse që shkojnë në Ukrainë”, u tha ai gazetarëve pas një konference.
Franca dhe Gjermania përgatiten për reduktim të furnizimit me gaz rus
Ministri francez i ekonomisë është shprehur së fundmi se Franca dhe Gjermania po përgatiten për një reduktim të furnizimit me gaz rus.
Në këtë mënyrë, ai po i përgjigjej paralajmërimit të presidentit rus, Vladimir Putin se Moska nuk do të furnizojë me gaz rus të gjithë ata shtete që nuk paguajnë në rubla.
“Nesër mund të ketë një situatë në të cilën nuk ka më gaz rus. Na takon ne të përgatitemi për këta skenarë dhe ne po përgatitemi,” tha Bruno Le Maire pas bisedimeve në Berlin me homologun e tij gjerman Robert Habeck.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: Trupat ruse nuk po tërhiqen, por po ripozicionohen
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një deklaratë të dhënë së fundmi tha se sulmet ruse parashikohet të sjellin dhe më shumë vuajtje.
Gjatë fjalës së tij në një konferencë për shtyp në Bruksel për Raportin Vjetor 2021 të Sekretarit të Përgjithshëm, Stoltenberg tha se sipas inteligjencës, “njësitë ruse nuk po tërhiqen, por po ripozicionohen.
“Rusia po përpiqet të rigrupohet, të rifurnizohet dhe të përforcojë ofensivën e saj në rajonin e Donbasit. Ne mund të presim veprime shtesë të sulmit rus që do të sjellin më shumë vuajtje. Kemi dëgjuar në deklaratat e fundit se Rusia do të zvogëlojë operacionet ushtarake rreth Kievit dhe në Ukrainën veriore. Por Rusia ka gënjyer vazhdimisht për qëllimet e saj, kështu që ne mund ta gjykojmë atë për veprimet dhe jo për fjalët e saj.“, tha Stoltenberg.
Stoltenberg i ka bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund kësaj lufte të pakuptimtë dhe të tërheqë të gjithë trupat e saj nga Ukraina.
Marrëveshje për evakuimin e civilëve në Mariupol
Shumë prej banorëve të mbetur të Mariupolit janë në pritje të evakuimit nga qyteti që artileria ruse e ka shndërruar në gërmadhë në pjesën më të madhe. 45 autobusë janë vënë në dispozicion qytetarëve, për t’i evakuuar drejt zonave më të sigurta brenda dhe jashtë Ukrainës.
Zyrtarët lokalë arritën marrëveshje me ushtrinë ruse për hapjen e korridorit të shumëpritur humanitar, për të cilin është diskutuar shumë herë gjatë javëve të fundit, por që ka dështuar për shkak të marrëveshjeve të brishta.
Mariupoli vuan nga kriza humanitare, pasi për shkak të rezistencës është ndër qytetet që ka vuajtur bombardimet më të ashpra të ushtrisë ruse. Kombet e Bashkuara thonë se me mijëra civilë mund të kenë humbur jetën atje, ndërsa është e vështirë që shifrat të konfirmohen në terren për shkak të luftimeve. Më shumë se gjysma e banorëve janë larguar që prej nisjes së sulmit rus.
Ministria ukrainase e mbrojtjes tha se rusët po përgatiten për një ofensivë të re në lindje të vendit, që pritet të përqendrohet në Harkiv. Ndërsa në rajonin e Kievit, ukrainasit vazhdojnë të marrin nën kontroll zonat nga ku rusët po tërhiqen si shenjë për t’i hapur rrugë marrëveshjes së paqes.
Megjithatë, Kievi thotë se një nga arsyet e tërheqjes janë edhe humbjet e mëdha që ka pësuar ushtria ruse. Deri më tani flitet për 17 700 të vrarë mes trupave ruse.
Trupat ruse largohen nga Çernobili
Agjencia shtetërore bërthamore e Ukrainës ka deklaruar se trupat ruse po largohen nga zona e Çernobilit. Agjencia shton se ndërsa disa trupa mbeten ende në vend, shumica janë nisur drejt kufirit me Bjellorusinë.
Çernobili ishte një nga zonat e para të pretenduara nga trupat ruse gjatë pushtimit.
Analistët perëndimorë parashikojnë se ndërsa Rusia thotë se tani do të përqendrojë trupat në rajonin e Donbasit, forcat e saj në fakt mund të rigrupohen për më shumë sulme në të gjithë Ukrainën.
Putin paralajmëron: Paguani me rubla ose do t’i japim fund kontratave të gazit
Pas nënshkrimit të një dekreti ku thuhet se blerësit e huaj duhet të paguajnë me rubla për gazin rus që nga e premtja, presidenti rus, Vladimir Putin ka dhënë një deklaratë.
Putin ka paralajmëruar se kontratat do të ndërpriten nëse nuk bëhen pagesat në rubla.
Pas vendosjes së sanksioneve të reja kundër Rusisë, Putin thotë se lufta ekonomike kundër Rusisë filloi vite më parë.
Shtëpia e Bardhë: Putin, gabim strategjik me sulmin në Ukrainë
Më shumë se një muaj pas nisjes së sulmit në Ukrainë, është e qartë Moska bëri gabim llogaritë për sulmin në Ukrainë. Këtë ia kanë konfirmuar presidentit amerikan Joe Biden zbulimi vendas. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ekspertët ushtarakë të presidentit rus, duke i pasur të qarta prirjet e tij autoritare, e keqinformuan Vladimir Putinin për situatën në teren para se të niste lufta, pasi kishin frikë nga pasojat.
“Kemi informacione se Putin po keqinformohet për performacën e keqe të ushtrisë ruse dhe për pasojat e rënda të sanksioneve ndërkombëtare në ekonominë ruse, pasi këshilltarët e tij të lartë kanë shumë frikë t’ia thonë të vërtetën”, tha Kate Bedingfield.
Shembull për këtë është edhe videoja e publikuar në Shkurt, ku Putin i diktonte shefit të inteligjencës qëndrimin që duhej të mbante për njohjen e pavarësisë së republikave separatiste në lindje të Ukrainës. Shtëpia e Bardhë tha se qëllimi i publikimit të këtij informacioni është të tregojë se Moska ka bërë gabim strategjik me luftën në Ukrainë.
Për muaj të tërë, në kufijtë e Ukrainës,mbi 130 mijë trupa ruse zhvilluan stërvitje ushtarake para nisjes së sulmit. Për pas 35 ditësh luftime, sipas Kievit numërohen mbi 17 mijë ushtarë të vrarë dhe mijëra tanke e makineri të tjera ushtarake të shkatërruara, një shifër më e lartë edhe se bilanci i viktimave të luftës 10-vjeçare në Afganistan. Sipas ekspertëve perëndimorë, Putin kishte përllogaritur mbështetjen ndaj ushtrisë ruse nga popullsia në Ukrainë, por në terren po rezulton e kundërta.
Rusia, armëpushim në Mariupol për evakuimin e civilëve
Ministria ruse e Mbrojtjes ka shpallur një armëpushim në qytetin e rrethuar të Mariupolit duke filluar nga mëngjesi i kësaj të enjteje, për të lejuar evakuimin e civilëve.
“Që ky operacion humanitar të ketë sukses, ne propozojmë që të kryhet me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”, tha ministria në një deklaratë.
Korridori humanitar nga Mariupol në Zaporizhia, përmes qytetit portual të kontrolluar nga Rusia, Berdiansktë hapet në orën 10:00 me orën lokale. Ukraina nuk e ka komentuar njoftimin.
Përpjekjet e mëparshme për të vendosur një armëpushim në Mariupol kanë dështuar mes akuzave për mosbesim nga të dyja palët. Rusia është akuzuar gjithashtu se ka zhvendosur me forcë mijëra civilë në Rusi ose në zonat e kontrolluara nga Rusia.
Njoftimi vjen pasi fotot e reja satelitore treguan shkatërrimin e shkaktuar nga shpërthimet në Mariupol.
Administrata Biden shqyrton lëshimin e rezervave të SHBA, bien çmimet e naftës
Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm pas raportimeve se SHBA do të marrë masa të reja për të ulur koston e lartë të karburanteve.
Administrata Biden thuhet se po shqyrton lirimin e deri në 180 milionë fuçi nafte në muajt e ardhshëm nga Rezerva Strategjike e Naftës.
Nëse kjo konfirmohet, do të jetë lëshimi më i madh që prej krijimit të rezervës në vitin 1974.
Pas raportimeve, në Azi nafta amerikane e West Texas Intemediate dhe Brent Crude ishin respektivisht 5.6% dhe 4.8% më ulët.
Lufta në Ukrainë ka rritur tregjet globale të energjisë pas shqetësimeve se do të ketë shkurtime në furnizime.
Zbulimi amerikan: Putini po keqinformohet nga këshilltarët
Moska njoftoi të mërkurën se nuk ishte kishte ende asnjë shenjë të një përparimi në bisedimet e paqes me Ukrainën mes njoftimeve se Rusia ka shkelur premtimin për të reduktuar operacionet ushtarake në periferi të Kievit dhe në qytetin të Çernihivit.
Në mesin e këtyre zhvillimeve Presidenti amerikan Joe Biden bisedoi të mërkurën me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.
“Udhëheqësit diskutuan mbi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të përmbushur kërkesat kryesore të ndihmës mbi sigurinë për Ukrainën, efektet jetike që armët e dhëna kanë patur në konflikt si dhe përpjekjet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, aleatëve dhe partnerëve të tyre, për të identifikuar burime shtesë për të ndihmuar ushtrinë ukrainase që të mbrojë vendin e saj”, thuhej në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
“Presidenti Biden e informoi Presidentin Zelenskiy se Shtetet e Bashkuara synojnë t’i japin qeverisë ukrainase 500 milionë dollarë ndihmë direkte buxhetore”, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë, duke vënë në dukje se udhëheqësi ukrainas e ka informuar Presidetin Biden mbi statusin e negociatave.
Telefonata dhe ngërçi i dukshëm në bisedimet e paqes vijnë mes informacioneve të zbulimit, që sugjerojnë se sulmi i nisur më 24 shkurt nga Rusia po shkakton çarje mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe këshilltarëve të tij të lartë ushtarakë.
“Tashmë ka tensione të vazhdueshme mes Putinit dhe Ministrisë së Mbrojtjes (ruse)”, konfirmoi një zyrtar amerikan për Zërin e Amerikës të mërkurën, duke folur në kushte anonimiteti.
“Këshilltarët e tij të lartë kanë shumë frikë t’i thonë atij të vërtetën“, tha zyrtari, duke vënë në dukje se sipas informacioneve të zbulimit ndihmësit e Presidentit Putinit e kanë keqinformuar atë lidhur me ecurinë e operacioneve ushtarake të trupave ruse, si dhe ndikimin e sanksioneve në ekonominë e Rusisë.
“Putini as që e dinte se ushtria e tij po përdorte dhe po humbiste rekrutë në Ukrainë, çka tregon një dështim të qartë në rrjedhën e informacionit të saktë”, shtoi zyrtari.
Zbulimi ushtarak britanik ofroi të mërkurën të tjerë tregues të mëtejshëm mbi problemet ushtarake të Rusisë.
“Njësitë (ushtarake) ruse që kanë pësuar humbje të mëdha janë detyruar të kthehen në Bjellorusi dhe Rusi, për t’u riorganizuar dhe rifurnizuar“, tha atasheu britanik i Mbrojtjes, Zëvendës Marshalli Mick Smeath, duke paralajmëruar se forcat ushtarake ruse mund të përpiqen të kompensojnë humbjet duke kryer më shumë sulme me artileri e raketa.
“Përqendrimi i deklaruar i Rusisë në një ofensivë në Donetsk dhe Luhansk ka të ngjarë të jetë një pranim në heshtje se po has vështirësi të përparojë në më shumë se një drejtim”, shtoi zoti Smeath.
Zyrtarë të tjerë ushtarakë paralajmëruan gjithashtu se ka një mundësi që Rusia të përpiqet të zgjerojë luftën përtej Ukrainës.
“Ekziston gjithmonë një rrezik”, u tha ligjvënësve amerikanë të mërkurën gjenerali Tod Wolters, Komandanti Suprem i Forcave Aleate dhe komandanti i Komandës Evropiane të SHBA.
“Ata padyshim janë në gjendje të përdorin të gjitha mjetet” tha zoti Wolters. “Jam më i shqetësuar për periferinë lindore të NATO-s pasi lidhet me Rusinë“.
Rusia, ndërkohë, dukej se sinjalizoi të mërkurën se po mirëpret bisedimet që synojnë t’i japin fund luftës 36-ditore.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha gjatë një konference për shtyp të mërkurën se Moska e mirëpreti faktin që Kievi paraqiti një deklaratë me shkrim mbi kërkesat e saj në fillimin e negociatave në Stamboll të Turqisë
Por zoti Peskov tha gjithashtu se Rusia nuk ka parë asgjë premtuese që do të çonte në një marrëveshje përfundimtare. Një ndihmës i Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se të dyja palët diskutuan kushtet e një armëpushimi të mundshëm, së bashku me garancitë ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën gjatë bisedime të zhvilluara të martën. (Burimi: VOA)
REDAKSIA TVKLAN.AL