◾Forcat ukrainase kanë rimarrë të gjithë rajonin rreth Kievit, thotë zëvendësministrja e Mbrojtjes, teksa forcat ruse tërhiqen nga qytetet kryesore.

◾Forcat ruse kanë braktisur aeroportin Hostomel pranë kryeqytetit, duke lënë pas rrënojat e avionit më të madh në botë.

◾Por ndërsa forcat ruse tërhiqen, dëshmitë e vrasjeve të civilëve po shtohen. Gazetarët në qytetin Bucha, që ndodhet pranë Kievit, thonë se kanë gjetur të paktën 20 trupa.

◾BBC ka konfirmuar vrasjen e të paktën dy civilëve në një autostradë që të çon në kryeqytet.

◾Forcat ruse gjithashtu kanë shpërndarë me dhunë një protestë nga banorët e një qyteti të pushtuar në Ukrainën jugore.

◾Video nga Enerhodar, shtëpi e centralit bërthamor më të madh në Europë, tregojnë njerëzit që ikin nga shpërthimet në një shesh.

Zelenskyy jep alarmin: Rusia synon të pushtojë lindjen dhe jugun e Ukrainës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha mbrëmjen e kësaj të shtune se forcat ruse synojnë të marrin lindjen dhe jugun e vendit. Ai po ashtu tha se vendet perëndimore nuk i kishin ofruar Kievit sisteme të mjaftueshme anti-raketore.

Në një fjalë që mbajti gjatë orëve të mbrëmjes, Zelenskiy vlerësoi forcat që mbronin portin e rrethuar të Mariupolit, duke thënë se rezistenca e tyre po lejonte qytetet e tjera të fitonin kohë të vlefshme.

Detaje horror pas tërheqjes së trupave ruse nga Bucha

Më herët mediat ndërkombëtare raportuan se të paktën 20 trupa të pajetë ishin gjetur në një rrugë në Bucha, qytet pranë Kievit, në momentin që gazetarët e agjencisë së lajmeve AFP u futën së bashku me forcat ukrainase, pasi këto të fundit rimorën kontrollin.

Por detaje të reja tregojnë për masakër në këtë qytet. Kryebashkiaku Anatoly Fedoruk i tha AFP, se 20 viktimat ishin ekzekutuar. Ai tha po ashtu se brenda rrënojave të makinave të shkatërruara nga bombardimet ndodheshin trupa të tjerë.

Fedoruk shtoi se 280 persona ishin gjetur në një varr masiv. Pamjet që vijnë nga ky qytet janë të rënda. Nga njerëzit e pajetë në rrugë, tek ndërtesat e automjetet e shkatërruara tërësisht.

Rajoni i Kievit i gjithi nën kontrollin e Ukrainës

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës thotë se forcat e vendit kanë rimarrë të gjithë rajonin e Kievit.

Hanna Malyar tha në një përditësim të shtunën: “I gjithë rajoni i Kievit është çliruar nga pushtuesi”.

BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë pretendimet e saj, por thekson se forcat ukrainase kanë rimarrë territorin rreth kryeqytetit ditët e fundit teksa forcat ruse po tërhiqen.

Në rrugët e qytetit pranë Kiev gjenden të paktën 20 trupa të pajetë

Gazetarët e agjencisë së lajmeve AFP të cilët u futën bashkë me trupat e para ukrainase në qytetin e Bucha pasi trupat ruse u tërhoqën, raportojnë se kanë parë të paktën 20 trupa të pajetë përgjatë një rruge të vetme.

Bucha, që ndodhet në dalje të Kievit është përballur me disa prej luftimeve më të ashpra përgjatë javëve të fundit.

BBC shkruan se në pamjet e postuara në internet, trupat u panë përgjatë një rruge në qytet dhe dukeshin si të ishin hedhur nga pjesa e pasme e një kamioni. Të gjithë ishin të veshur me rroba civile. Disa i kanë duart e lidhura dhe me plagë plumbash në kokë.

Pamjet po ashtu tregojnë ndërtesa banimi me vrima të hapura nga predhat dhe makina të shkatërruara nëpër rrugë.

Bucha, së bashku me Irpin, kanë qenë fushëbetejë e luftimeve të ashpra për javë të tëra, si përpjekje e rusëve për të rrethuar kryeqytetin.

Ukraina: Rusia po përdor pengjet si mburojë, nuk kursen as fëmijët

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka akuzuar forcat ruse për rrëmbimin e civilëve dhe përdorimin e tyre si “mburoja njerëzore” për të mbrojtur kolonat e tyre ushtarake.

Avokati i Popullit tha se ushtarët rusë po përdorin gjithashtu fëmijët si mburoja.

“Rusia gjithnjë e më shumë përdor pengjet si mburoja njerëzore. Pushtuesit mbrojnë kolonat e tyre të pajisjeve me banorët e rrëmbyer të qyteteve dhe fshatrave të pushtuara të Ukrainës. Sipas avokatit të popullit ukrainas, rusët nuk e kanë problem të fshihen as pas fëmijëve”, tha Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës.

Vritet në krye të detyrës fotoreporteri ukrainas

Një fotoreporter është viktima e radhës e sulmeve ruse në Ukrainë, që vazhdojnë pa ndërprerje në ditën e 38-të. Max Levin është gjetur i vdekur në periferi të kryeqytetit ukrainas, ndërkohë që ishte raportuar i zhdukur që nga 13 Marsi. Madje disa besonin se ai mund të ishte rrëmbyer nga forcat ruse.

Fotoreporteri ka qenë i shoqëruar me një gazetar tjetër, Alexei Chernyshov për të cilin nuk ka asnjë  informacion për vendndodhjen e tij.

Max ka bashkëpunuar me media të njohura si Reuters, BBC, TRT World dhe Associated Press. Ai numëron dhjetëra projekte për organizata të ndryshme humanitare, si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), OKB, UNICEF dhe OSBE.

Max Levin është babai i katër djemve të vegjël.

Forcat ukrainase rimarrin kontrollin e territorit rreth Kievit, por asgjë nuk ka mbaruar…

Trupat ukrainase kanë rimarrë mbi 30 qyteza dhe vendbanime nga forcat ruse në rajonin e Kievit, tha të shtunën këshilltari presidencial Oleksiy Arestovych.

Por ndërsa forcat ukrainase mund të kenë rimarrë më shumë territor pranë kryeqytetit, luftime më intensive do të zhvillohen në zona të tjera të vendit, tha ai për televizionin lokal.

“Të mos kemi iluzione, ka ende beteja të ashpra përpara për jugun, për Mariupolin, për lindjen e Ukrainës”, tha Arestovych.

Tashmë ka kaluar një javë që kur zyrtarët ushtarakë rusë njoftuan planin e tyre për të rifokusuar pushtimin në “çlirimin” e rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore.

Carla Del Ponte bën thirrje për urdhërarrest ndërkombëtar për Putin

Ish-Kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare Penale deklaroi këtë të shtunë se ndaj presidentit rus Vladimir Putin duhet të lëshohet një urdhërarrest ndërkombëtar.

Në një intervistë për gazetën zvicerane Le Temps, Carla Del Ponte tha se Putin është një kriminel lufte. Ajo tha se ishte e tronditur nga përdorimi i varreve masive në Ukrainë, të parë në zona si Mariupol.

Shpresoja të mos shihja më kurrë sërish varreza masive”, tha ajo për gazetën Blick. “Këta njerëz të vdekur kanë familjarë që nuk dinë asgjë për fatin e tyre. Kjo është e papranueshme.”

Carla Del Ponte ishte ajo që mbikëqyri hetimet e krimeve të luftës nga Gjykata e Hagës në Ruandë, Siri dhe ish-Jugosllavi. Sipas saj, nuk ka dyshime që në Ukrainë po kryhen krime lufte.

Vijojnë bombardimet ruse ndaj Ukrainës

Predhat dhe bombardimet ruse në Ukrainë nuk janë ndalur as në ditën e 38 të luftës atje.  Granatime të shumta kanë goditur Luhanskun gjatë të gjithë natës dhe me qindra shtëpi janë shkatërruar.

Sipas informacioneve paraprake nga agjencia e lajmeve Reuters 4 raketa goditën dy objekte në Poltava ndërsa tri avionë ushtarakë rus kanë sulmuar objektiva industrial ndërsa në Dnipro raketat  ruse plagosen dy persona.

Forcat ruse po largohen nga veriu i vendit dhe kryeqyteti duke e fokusuar sulmin e tyre në Ukrainën lindore.  Këto pamje satelitore tregojnë aeroportin e dëmtuar në Hostomel të Ukrainës prej ku forcat dhe makineritë ruse janë tërhequr.

Për këtë të shtunë janë planifikuar 7 korridore humanitare, të cilat do të shërbejnë për evakuimin e civilëve në qytete të ndryshme. Kryqi i Kuq gjithashtu po përpiqet edhe ditën e sotme të ndihmojë në evakuimin e civilëve nga Mariupoli.

Në mesin e një lufte të ashpër Presidentja e Parlamentin Europian, Roberta Metsola, u bë zyrtarja e pare europiane që vizitoi Kievin që prej fillimit të luftimeve.   

Ajo u takua me presidentin Ukrainas Volodymyr Zelensky  ku i premtoi atij se Bashkimi Europian do të rrisë ndihmat ndaj Ukrainës.  Presidentja e Parlamentit Europian tha gjithashtu se BE do të ndihmojë në rindërtimin e qyteteve pas luftës.

Ukrainasit “dynden” në dyqane për të blerë alkool

Edhe pse në luftë, këta banorë të Kievit u dyndën në dyqane për të blerë alkool pas një periudhe një mujore. Në ditët pas sulmit rus të Ukrainës, shitja e alkoolit  u ndaluan nga autoritetet lokale në mbarë vendin. Por tani ata kanë mundësi të blejnë pijen e tyre të preferuar.

“Derisa të përfundojë lufta, situata e përgjithshme do të mbetet e njëjtë. Tani për tani njerëzit po vdesin në vende të tjera. Edhe nëse një person i vetëm  vdes, e gjithë situata nuk mund të konsiderohet më e mirë. Diçka duhet bërë për këtë. Shitja e alkoolit nuk ndryshon asgjë, natyrisht. Nëse dikush ka nevojë për alkool, ai mund ta gjejë atë gjithsesi.”

Kryebashkiaku Vitali Klitschko ka ndryshuar vendimin e mëparshëm duke lejuar që të këto pije të blihen midis orës 11:00 dhe 16:00  sipas orës lokale. Olena, një psikologe thotë se pavarësisht kësaj njerëzit nuk e kanë harruar atë që po ndodh në të gjithë Ukrainën.

“Unë mendoj se ne duhet të kthehemi në jetën tonë të zakonshme. Nuk është çështja “mundemi” apo “nuk mundemi”, ne duhet. Kjo nuk do të thotë se ne po e injorojmë situatën. Ne thjesht po e mbështesim vendin tonë në këtë mënyrë. Askush nuk do të jetë më mirë nëse jemi në depresion, duke mos bërë asgjë. Si konsumuese e alkoolit jam e lumtur”.

Kujtojmë se më 1 Mars u ndalua përdorimi i alkoolit në Ukrainë.

Vizita e presidentes së BE në Ukrainë

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, e cila u takua me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenski në kuadër të vizitës së saj të papritur në Kiev u zotua se Bashkimi Evropian do të rrisë ndihmën  për Ukrainën.

Nëse ju fitoni, bota fiton”, ju drejtua ajo me këto fjalë presidentit Volodymyr Zelenksy. “Ju jeni ne dhe ne jemi ju. Por në të njëjtën kohë, ju po luftoni edhe luftën tonë, po luftoni për parimet themelore që ky kontinent i ka mbrojtur për kaq shumë shekuj”, shtoi më tej ajo .

Në një deklaratë pas takimit me kryetarin e parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefancuk, ajo tha se BE-ja do të ndihmojë në rindërtimin e qyteteve pas përfundimit të luftës .

Ajo shtoi se ndihmat humanitare dhe ushtarake të BE-së për Ukrainën do të shtohen dhe tha  blloku “do të kujdeset për familjet  që janë  të detyruara të largohen”.

Politikania malteze është zyrtarja e parë e lartë e BE-së që viziton Ukrainën pas  sulmit nga Rusia. Presidentja e Parlamentit Evropian i tha  Zelenskit se asambleja mbështet aspiratat e vendit për të filluar procesin e anëtarësimit në BE.

Priten evakuime të shumta të civilëve në Ukrainë

Situata humanitare në Ukrainë paraqitet tejet kritike duke bërë që përpjekjet e civilëve për t’u larguar nga zonat e nxehta të konfliktit të shtohen.

Sipas zëvendëskryeministres së Ukrainës Iryna Vereshchuk është rënë dakord për 7 korridore humanitare në qytetin e Mariupolit, qyteti ka qenë nën  bombardime të vazhdueshme për javë të tëra nga forcat ruse. Kryqi i Kuq ka bërë të ditur  se ekipi i tij është në lëvizje nga Zaporizhzhia në Mariupol.

Vlerësohet se rreth 100,000 njerëz janë të bllokuar me pak akses në ushqim dhe ujë. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dërgoi një ekip të premten  me rreth 54 autobusë ukrainas dhe automjete të tjera private jashtë qytetit për të ndihmuar në evakuimin e civilëve, por dështoi si përpjekje.

Evakuimet në këtë qytet tradicionalisht kanë qënë të vështira për shkak se Rusia dëshiron ta marrë si qytet me këmbëngulje.

Sakaq, vlerësohet se një total prej 2,437,000 njerëz janë larguar nga Ukraina për në Poloni që nga fillimi i luftës. BBC thotë se një numër në rritje po kthehen në Ukrainë, saktësisht  421,000 njerëz kanë hyrë në Ukrainë përmes Polonisë që nga fillimi i luftës. Vetëm të premten, 15,000 njerëz kaluan në Ukrainë nga Polonia.

Më shumë se 10 milionë njerëz tani kanë ikur nga shtëpitë e tyre në Ukrainë. Përveç katër milionëve që janë larguar për në vendet fqinje, rreth 6.5 milionë njerëz të tjerë mendohet se janë të zhvendosur brenda vetë vendit të shkatërruar tashmë  nga lufta.

Zelensky paralajmëron bashkëpunëtorët me pushtuesin rus: Do të ketë pasoja

Gjatë fjalimit që pati mëngjesin e kësaj të shtune, Presidenti Volodymyr Zelensky ka pasur një mesazh edhe për liderët pro-rusë të vendosur në qytetet e pushtuara.

“Nuk do të zgjasni gjatë”, është shprehur ai.

Duke iu referuar udhëheqjes së tyre si një “shaka 1 Prilli”, Zelensky i përshkroi këta drejtues si “Gauleiters”, e përdorur për udhëheqësit e distrikteve të nazistëve gjermanë.

“Mesazhi im është i thjeshtë. Përgjegjësia për bashkëpunim është e pashmangshme. Sot apo pasnesër, është çështje kohe. E rëndësishme është që drejtësia do të rikthehet”, tha ai.

Zelensky ka shtuar se Moska ka kërcënuar “punonjësit e kompanive apo autoriteteve që të bashkëpunojnë me të ashtuquajturit të emëruar”.

Por ai tha se çdo bashkëpunim me drejtues të tillë do të ketë pasoja.

“Do të ketë probleme për bashkëpunimin me ta ose me pushtuesin direkt. Ky është paralajmërimi i fundit”, tha ai.

Zelenksy: Beteja të forta na presin, situatë e vështirë në lindje

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha gjatë një fjalimi se situata ushtarake në lindje të vendit “mbetet jashtëzakonisht e vështirë”.

Ai tha se trupat ruse po tërhiqen në veri, “ngadalë, por në një shkallë të dukshme”.

Megjithatë ai paralajmëroi se ata po grumbullohen dhe po përgatiten për goditje të reja të fuqishme në rajonin e Donbasit dhe qytetin Kharkiv.

Beteja të forta na presin përpara. Nuk mund të mendojmë sikur i kemi kaluar të gjitha sfidat”, tha ai.

SHBA rrit mbështetjen ushtarake për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur mbështetjen e tyre ushtarake për Ukrainën për të përballuar agresionin e Rusisë. Sipas Pentagonit paketa e ndihmës së re ushtarake do të jetë 300 milionë Dollarë.

Amerikanët do të furnizojnë ushtrinë e Ukrainës me raketa të teknologjisë së fundit të drejtuara me lazer si dhe me dronë ushtarake. Tek dronët me të rendesishëm janë ata që quhen Kamikazë pasi janë të pajisura me koka shpërthyese dhe kanë një efektshmëri të lartë.

Gjithashtu amerikanët po përpiqen që të furnizojnë Ukrainën edhe me tanke të periudhës sovjetike. Këto tanke do të merren nga aleatet e NATO-s që kanë qenë më parë pjese e bllokut komunist.

Përsa i përket luftimeve ato vazhdojnë me intensitet të lartë në zonat jugore e lindore. Në Mariupol situata humanitare mbetet tejet kritike. Presidenti i Ukrainës, Zelensky ka deklaruar se deri më tani në Mariupol janë vrarë 5 mijë qytetarë, ndërsa 170 mijë civilë kanë mbetur të bllokuar.

Forcat ruse kanë vijuar tërheqjen e tyre në veri të Ukrainës. Tashmë ato janë larguar nga periferia e Kievit, por kanë shtuar presionin në zonat lindore. Gjatë natës rusët kanë bombarduar rajonet e Poltavës e Luhanskut.

Sipas analistëve ushtarakë ruset tani do të përqendrojnë sulmet e tyre në zonat lindore e jugore për të krijuar një linje të bashkuar të Donbasit me Krimenë, që i kanë pushtuar prej kohësh.

REDAKSIA TVKLAN.AL