◾Sulme me raketa në portin e Odesas.

◾Negociatori ukrainas: Biseda Putin-Zelenskyy, mundësi e afërt.

◾Kryenegociatori rus: Shumë shpejt për një takim të nivelit të lartë.

◾ Presidenti i Ukrainës: Rusia kërkon rajonet lindore dhe jugore të vendit tonë.

Ekipi i Kryqit të Kuq nuk mundet ende të arrijë në Mariupol për të evakuuar banorët

Një ekip prej nëntë punonjësish dhe tre automjetesh nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar që shpresohej të arrinte në Mariupol sot për të evakuuar banorët nga qyteti i rrethuar nuk ka mundur të arrijë atje. Ekipi, i cili u largua nga Zaporizhzhia mëngjesin e së shtunës, po kalon një natë të dytë rrugës për në këtë qytet.

Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia ra dakord ditë më parë që të lejojë kalimin e sigurt nga Mariupoli, i cili ka qenë epiqendra e sulmeve më të rënda dhe vuajtjeve më të mëdha, por duket se marrëveshjet janë prishur pasi ky qytet është nën bombardime të vazhdueshme.

Rreth 100,000 civilë, më pak se një e katërta e popullsisë së qytetit të paraluftës besohet se janë bllokuar atje me pak ose aspak ushqim, ujë, karburant dhe ilaçe.

Zaporizhzhia, një qytet ende nën kontrollin e Ukrainës, është vendi ku dhjetëra mijëra njerëz kanë ikur nga Mariupoli.

Johnson: Do të bëj gjithçka që kam në dorë që ‘makineria luftarake’ e Putinit të vdesë urie

Nëpërmjet një deklarate të dhënë së fundmi, Boris Johnson ka thënë se “sulmet e Rusisë kundër civilëve të pafajshëm në Irpin dhe Bucha” janë “edhe më shumë dëshmi se Putini dhe ushtria e tij po kryejnë krime lufte në Ukrainë”.

Gjatë fjalës së tij, Johnson është zotuar se do të “vdesë urie” atë që ai e quajti “makineria e luftës” e Vladimir Putin, teksa ka shtuar se pushtimi i tij në Ukrainë po dështon.

“Asnjë mohim apo dezinformim nga Kremlini nuk mund të fshehë atë që ne të gjithë e dimë se është e vërteta, Putini është i dëshpëruar, pushtimi i tij po dështon dhe vendosmëria e Ukrainës nuk ka qenë kurrë më e fortë. Unë do të bëj gjithçka që kam në dorë që makineria luftarake e Putinit të vdesë urie. Ne po shtojmë sanksionet dhe mbështetjen tonë ushtarake, si dhe po forcojmë paketën tonë të mbështetjes humanitare për të ndihmuar ata që kanë nevojë në terren”, tha Johnson.

Një sulm me raketa godet qytetin afër Kievit

Ushtria ukrainase ka bërë me dije se një sulm rus me raketa ka goditur qytetin Vasylkiv, afër Kievit.

Mësohet se disa civilë u plagosën, por ende nuk janë dhënë më shumë detaje.

Sipas zyrtarëve ukrainas, i gjithë rajoni i Kievit është tani nën kontrollin e Ukrainës, pasi trupat ruse filluan të tërhiqen.

Por zonat në rajon janë ende në rrezik nga bombardimet dhe sulmet ajrore.

Rrëfimi tronditës i 80-vjeçares: Si u vranë fqinjët e saj nga ushtarët rusë

Një artikull i “The Times” përshkon tmerrin e banorëve në një qytet jashtë Kievit, i cili së fundmi është çliruar nga kontrolli rus.

80-vjeçarja, Maria Dabizhe ka rrëfyer momentin se si ushtarët rusë ishin paraqitur në shtëpinë e saj disa ditë pas fillimit të pushtimit.

“I pyeta se çfarë po bënin atje”, tha ajo për prestigjiozen. “Ata më thanë: “Ne thjesht po përpiqemi të bëjmë punën tonë”.

E moshuara drithëron me rrëfimin e saj teksa tregon se fqinjët e saj ishin vrarë nga forcat ruse pasi u kishin lidhur duart dhe këmbët.

Rusia mohon vrasjen masive të civilëve në Bucha

Ministria Ruse e Mbrojtjes ka mohuar pretendimet e Ukrainës se qindra civilë janë vrarë nga ushtarët rusë në Bucha.

Në një deklaratë, u tha se fotografitë dhe videot e shumta të publikuara nga Ukraina ishin një provokim, duke theksuar se të gjitha forcat ushtarake ruse ishin larguar nga ky qytet të mërkurën.

Ukraina ka akuzuar ushtarët rusë për vrasjen e civilëve në rrugët e Bucha, dhe imazhet nga qyteti kanë sjellë reagimin e ashpër të udhëheqësve perëndimorë ndaj Rusisë.

Bombardimet në Odesa, Rusia: Shkatërruam rafinerinë e naftës

Qyteti port i Ukrainës, Odesa, u sulmua mëngjesin e së dielës me raketa nga forcat ruse. Nga bombardimet nuk ka raporte për të lënduar apo viktima, por vetëm për dëme materiale.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka reaguar duke thënë se sulmi me raketa në Odesa synonte të godiste infrastrukturën e qytetit.

Sipas palës ruse, forcat ushtarake shkatërruar një rafineri nafte dhe 3 depo karburanti.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax raporton se sulmi i Rusisë ndaj Odesas u bë me raketa të lëshuara nga anijet luftarake me precizion të lartë.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, objektet që u shkatërruan përdoreshin nga Ukraina për të furnizuar trupat ushtarake pranë qytetit Mykolaiv.

Kryenegociatori rus: Është shumë shpejt për një takim Putin-Zelenskyy

Pas deklaratës së një negociatori ukrainas se mundësia për një takim direkt mes Presidentëve Putin dhe Zelenskyy është e afërt, ka reaguar edhe kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky.

Në një reagim që ka bërë në rrjetin social Telegram, ai thotë se është shumë herë për një takim të tillë.

Draft-marrëveshja nuk është ende gati për të mundësuar një takim të nivelit të lartë”, tha Medinsky.

Ndërkohë, negociatori ukrainas Davyd Arakhamia tha mbrëmjen e të shtunës se bisedimet mes Rusisë dhe Ukrianës kanë bërë progres dhe mundësia që të ndodhë takim mes Putin dhe Zelenskyy është e afërt.

Negociatori ukrainas: Bisedimet direkte Putin-Zelenskyy mundësi e afërt

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai ukrainas Volodymyr Zelenskyy shumë shpejt mund të bisedojnë direkt me njëri-tjetrin për të zgjidhur konfliktin ushtarak.

Kështu ka deklaruar një negociator ukrainas, i cili tha se bisedimet kanë avancuar ndjeshëm, aq sa dy presidentët tashmë mund të flasin direkt me njëri-tjetrin.

Ai tha se bisedimet mes delegacioneve kanë përparuar, teksa Rusia kishte pranuar pothuajse të gjitha propozimet e Ukrainës, me përjashtim të Krimesë, territor që Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.

Draft dokumentet janë në një fazë të tillë, tha negociatori ukrainas, saqë dy presidentët mund të bëjnë konsultime direkte.

Ndërsa nga Rusia nuk ka asnjë koment. Moska këmbëngul që Ukraina të njohë Krimenë si territor rus dhe të njohë gjithashtu pavarësinë e rajonit të Donbas ku rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë një pjesë të madhe të territorit.

Zelenskyy: Rusia kërkon të pushtojë rajonet lindore dhe jugore të Ukrainës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy thotë se Rusia kërkon që të pushtojë rajonet lindore dhe jugore të Ukrainës.

Në një video-deklaratë mbrëmjen e së shtunës, Zelenskyy tha: Cili është qëllimi i trupave ruse? Ata duan të marrin Donbasin në lindje dhe jugun e Ukrainës. Cili është qëllimi ynë? Të mbrojmë veten, lirinë, tokën dhe popullin tonë.

Presidenti Zelenskyy vlerësoi forcat ukrainase që mbrojnë portin jugor të rrethuar të Mariupolit, ku prej disa javësh është përfshirë nga bombardime të fuqishme.  

Shpërthime në qytetin port të Odesas

Shpërthime të fuqishme janë raportuar në Portin e Odesas në jug të Ukrainës. Një dëshmitar konfirmoi për Reuters se kishe parë tym e flakë në portin strategjik të Ukrainës.

Ndërsa korrespondentja e Ëashington Post, e cila ndodhet në Odesa, ka shkruar se janë dëgjuar shpërthime të forta në qendër të qytetit.

Dritaret e dhomës sime të hotelit u drodhën”, ka shkruar Isabell Khurshudyan.

Një zyrtar lokal i qytetit të Odesas u ka bërë thirrje banorëve që të fshihen në vendet e sigurta të qytetit.

REDAKSIA TVKLAN.AL