◾Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar trupat ruse për genocid, duke e quajtur se kërkon “eliminimin e të gjithë kombit dhe popullit”.

◾Ai tha se në Ukrainë ka më shumë se 100 kombësi dhe shtoi se sulmet janë kryer për të “shfarosur të gjitha këto nacionalitete”.

◾Deklaratat e Zelensky-t vijnë pasi në qytetin e Bucha u gjetën të paktën 20 trupa të pajetë në rrugë.

Uraina ka akuzuar Rusinë për “masakër të qëllimshme” në Bucha, por Rusia i ka quajtur këto pretendime si proppagandë lufte.

◾Ndërkohë që forcat e Rusisë tërhiqen nga zonat afër Kievit, po shtohen dëshmi për vrasje të civilëve.

◾Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i ka përshkruar skenat e trupave në rrugë si një “goditje nën brez”.

“Franca do të dëbojë shumë diplomatë rusë”

Ministria e Jashtme Franceze tha në një deklaratë të dhënë së fundmi se do të dëbohen shumë diplomatë rusë nga Franca.

“Vendimi ka të bëjë me stafin diplomatik rus të caktuar në Francë, aktivitetet e të cilit janë në kundërshtim me interesat tona të sigurisë”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Deklarata e ministrisë tha se vendimi është pjesë e hapave të ndërmarrë në nivel evropian.

“Përgjegjësia jonë e parë është gjithmonë të garantojmë sigurinë e francezëve dhe evropianëve”, thuhet në deklaratë.

Më herët, Gjermania vendosi gjithashtu të dëbojë një numër të konsiderueshëm diplomatësh rusë duke cilësuar punën e tyre si një kërcënim për refugjatët në vend.

Ukraina: Krimet e Rusisë në Bucha janë vetëm maja e ajsbergut

Ministri i jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba u shpreh se “tmerret që e gjithë bota ka parë në Bucha janë vetëm maja e ajsbergut e të gjitha krimeve që janë kryer nga ushtria ruse në Ukrainë deri më tani”.

Në një konferencë shtypi në Varshavë, ai shtoi se tmerret në Bucha, Mariupol dhe vende të tjera kërkojnë sanksione serioze të G7-ës dhe të BE-së.  Kuleba bëri thirrje për vendosjen e sanksioneve më të rënda kundër Rusisë, duke kërkuar gjithashtu përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Perëndimi vazhdon të ushqejë makinerinë ruse të luftës me pagesa për lëndë djegëse fosile, me tregtinë që po zhvillohet ende midis Rusisë dhe vendeve perëndimore, me transaksione financiare të kryera përmes bankave ruse që nuk janë shkëputur ende nga SWIFT,” tha ai. .

Duke iu drejtuar ministrave të jashtëm që do të marrin pjesë në takimet e NATO-s, BE-së dhe G7 këtë javë, Kuleba tha:

“Nëse keni dyshime, ngurrim në lidhje me nevojën për të vazhduar Qëtë bëni biznes me Rusinë, shkoni fillimisht në Bucha dhe më pas flisni me mua.”

 Ai shtoi se Ukraina e ka fituar betejën për Kievin, por tani po përgatitet për një ofensivë të re në shkallë të gjerë nga Rusia në Ukrainën Lindore.

“Mund t’ju them pa ekzagjerim, me dhimbje të madhe, se situata në Mariupol është shumë më e keqe në krahasim me atë që kemi parë në Bucha dhe qytete, qyteza dhe fshatra të tjera pranë Kievit,” vazhdoi ministri i Jashtëm.

SHBA: Dy të tretat e trupave ruse po zhvendosen në Bjellorusi

Rreth dy të tretat e trupave ruse, të pozicionuar rreth Kievit, tani po zhvendosen në veri në Bjellorusi.

Sipas SHBA, trupat po ri-pajisen, furnizohen dhe me shumë mundësi po përforcohen me forca shtesë përpara se të kthehen në Ukrainë për të vazhduar sulmet.

Zyrtari i mbrojtjes amerikane tha se trupat me shumë gjasa do të zhvendosen në pjesën lindore të vendit në rajonin e Donbasit.

“Kjo nuk do të thotë se Kievi nuk është nën kërcënim,” shtoi zyrtari.

Inteligjenca tregon gjithashtu se shumica dërrmuese e më shumë se 125 Grupeve Taktike të Batalioneve Ruse (BTG) janë ende në Ukrainë.

Duke folur mbi raportet e fundit të mizorive në Bucha, zyrtari tha se pretendimet ishin shumë shqetësuese.

Pas masakrës në Bucha, Gjermania dëbon 40 të dërguar rusë

Teksa mizoritë në Ukrainë po tregojnë prova të reja të vrasjeve civile nga ushtria ruse, po vijnë më shumë reagime ndërkombëtare.

Gjermania ka dëbuar 40 të dërguar rusë si përgjigje ndaj mizorive në Bucha, afër kryeqytetit të Ukrainës, Kievit duke thënë se masa të mëtejshme po përgatiten me aleatët.

Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock ka shtuar se Berlini do të rrisë gjithashtu mbështetjen e tij për forcat e armatosura të Ukrainës.

Trupat e civilëve, të gjetur në rrugë në Bucha tronditën mbarë botën dhe sollën regaimin e ashpër të ndërkombëtarëve ndaj Rusisë.

Liz Truss bën thirrje për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss është shprehur se Rusia duhet të pezullohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut pasi u zbuluan trupa dhe varre masive në Bucha.

Përmes një postimi në mediat sociale, Truss tha se Rusia nuk mund të mbetet anëtare e OKB-së pas provave të forta të krimeve të luftës.

Ky koment ka ardhur pasi janë shfaqur imazhe të civilëve ukrainas pa jetë në rrugët e Bucha. Ndërkohë që banorët e zonës kanë konfirmuar se viktimat janë vrarë nga forcat ruse.

Nga ana tjetër, forcat ruse janë akuzuar për gjenocid, por Kremlini ka mohuar se trupat e tij kanë vrarë civilë.

Biden: Putin duhet të përballet me gjyqin për krime lufte

Presidenti amerikan, Joe Biden e ka etiketuar sërish Vladimr Putinin si kriminel lufte, teksa ka bërë thirrje që lideri rus të përballet me gjyqin për vrasjet e civilëve në Bucha.

Biden thotë se ai po kërkon të vendosë më shumë sanksione kundër Rusisë për mizoritë, të cilat Moska mohon t’i ketë kryer.

Muajin e kaluar, Presidenti amerikan shkaktoi zemërim në Moskë kur akuzoi për herë të parë Putinin për krime lufte.

Siç është raportuar dhe më herët, trupat e civilëve janë gjetur të shpërndara në rrugë. Gazetari i BBC, në Bucha ka dëshmuar për pamjet tronditëse që ka parë në bodrumin e një shtëpie ku janë gjetur 5 meshkuj me duar të lidhura, të cilët sipas tij ishin qëlluar për vdekje.

Hetimet për krime lufte, OKB: Trupat në Bucha duhet të zhvarrosen

Michelle Bachelet, komisionerja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut deklaroi këtë të hënë se të gjitha trupat duhet të zhvarrosen dhe të identifikohen në Bucha, në mënyrë që të mund të hetohet për krime të mundshme lufte.

“Jam e tmerruar nga imazhet e civilëve të vdekur në rrugë dhe në varre të improvizuara në qytetin Bucha në Ukrainë”, tha ajo.

“Raportet që dalin nga kjo dhe fusha të tjera ngrenë pyetje serioze dhe shqetësuese në lidhje me krimet e mundshme të luftës, shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut”.

“Është thelbësore që të gjitha trupat të zhvarrosen dhe të identifikohen në mënyrë që familjet e viktimave të mund të informohen dhe të përcaktohen shkaqet e sakta të vdekjes. Duhet të merren të gjitha masat për të ruajtur provat.”

Presidenti Zelensky shkon në Bucha

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi këtë të hënë Bucha-n, qytetin nga i cili sa më shumë kohë kalon aq më shumë pamje tronditëse të krimeve ruse dalin në pah.

Sipas asaj që raporton BBC, ai ishte në rrugën në të cilën iu bë pritë një kolone ruse dhe foli me banorët vendas. Zelensky përsëriti se Rusia kishte kryer krime lufte dhe genocid në Ukrainë.

I pyetur nga BBC nëse është ende e mundur të diskutohet për paqen me Rusinë, ai tha: “Po, sepse Ukraina duhet të ketë paqe. Jemi në Europën e shekullit të 21-të. Ne do të vazhdojmë përpjekjet diplomatike dhe ushtarake.”

Bucha ndodhet në periferi të Kievit dhe ishte një prej zonave ku për javë me radhe pati luftime të ashpra. Pas tërheqjes së trupave ruse imazhet që vijnë nga ky qytet janë tronditëse. Njerëz të vrarë në rrugë e varre masive. Ukraina e akuzoi më herët Rusinë për krime lufte, por Kremlini i hodhi poshtë akuzat.

“Këto janë skena horror! Ne nuk do të falim…”

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko i ka krahasuar pamjet e vrasjeve të civilëve në zonat pranë kryeqytetit ukrainas, me skenat e një film horror.

“Gjërat që po shohim tani në Irpin dhe Bucha… këto janë skena horror. Fatkeqësisht nuk vijnë nga filmat“, tha ai.

“Ky është realitet. Ky është një realitet i tmerrshëm ku shohim civilë me duar të lidhura pas shpine. Nuk kuptoj si mundet një person ta bëjë këtë. Por jam i bindur se të njëjtat skena janë të shumta në shumë qytete të tjera të Ukrainës. Agresori duhet të paguajë për këtë, të paguajë një çmim të rëndë për jetën e mijëra ukrainasve. Ne nuk do të falim atë që u është bërë qyteteve tona dhe banorëve tanë”, tha Klitschko.

Masakra në Bucha, Kievi akuzon rusët për krime lufte

Ukraina akuzon Rusinë për krime luftë, pas zbulimit të masakrës në qytezën e Buças, në periferitë lindore të Kievit. Por Moska mohon çdo përgjegjësi për ngjarjen.

Prokurorët ukrainas nisën hetimet, pas zbulimit të trupave të pajetë të të paktën 300 civilëve, të lënë rrugëve të qytezës, siç duket edhe në pamjet e publikuara nga agjencia Reuters. Ata hedhin dyshime se civilët janë përdhunuar fillimisht e më pas janë qëlluar me plumba pas koke. Zyrtarët lokalë thanë se tek disa prej trupave gjetën shenja të të shtënave nga një distancë e afërt, teksa duart dhe këmbët i kishin të lidhura.

Moska i quajti pamjet e publikuara si “sajesa” nga Kievi dhe si provokime që kanë për qëllim të minojnë dialogun për paqe e të intensifikojnë dhunën. Pala ruse kërkoi zhvillimin e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar për këtë ngjarje.

Viktimat u zbuluan nga ushtria ukrainase pas rimarrjes së kontrollit në qytezat periferike të Kievit, menjëherë pas tërheqjes javën e kaluar të rusëve prej disfatës së rëndë që pësuan. Dyshime hidhen se rusët mund të kenë qëlluar mbi civilë të zënë rob.

Kjo ngjarje makabre u dënua edhe nga udhëheqësit perëndimorë. Uashingtoni dhe NATO dënuan ashpër vrasjet në kushte çnjerëzore të civilëve nga ushtarët rusë. Kancelari gjerman Olaf Sholc dhe presidenti francez Emanuel Makron kërkuan një tjetër paketë të ashpër sanksionesh si ndëshkim për këto krime të tmerrshme.

Ukraina: Rusia po mobilizon në fshehtësi 60 mijë trupa

Sipas pretendimeve të ushtrisë ukrainase, Rusia ka nisur mobilizimin në fshehtësi të rezervistëve të saj.

“Gjatë selektimit të kandidatëve, të preferuar janë ata që kanë eksperiencë në luftim”, thuhet në raportime.

Në të shtohet se Moska shpreson që të mobilizojë rreth 60 mijë trupa shtesë. Rusia nuk i ka komentuar ende këto raportime të ushtrisë ukrainase.

Megjithatë Presidenti Vladimir Putin ka thënë më herët gjatë këtij muaji se nuk do të dërgojë rekrutë apo rezervistë për të luftuar në Ukrainë.

Pse Mariupoli është i rëndësishëm për Rusinë

Mariupoli është një nga qytetet që ka qenë në qendër të sulmeve të Rusisë. Ky qytet port është shumë i rëndësishëm për Moskën.

Kjo, për dy arsye. Nëse Mariupoli bie, Rusia merr një prej porteve më të mëdha të Ukrainës dhe krijon një korridor të gjatë tokësor mes Krimesë dhe Luhanskut e Donetskut, dy rajone që mbahen nga separatistët rusë.

Lidhja e Krimesë me Rusinë nga ana tokësore mes zonave që mbahen nga rebelët, do ta lehtësojë Moskën që të lëvizë mallra dhe njerëz nga Krimeja. Rusia e ka kërkuar këtë që prej vitit 2014, pasi aneksoi Krimenë.

Aktualisht, gadishulli lidhet me Rusinë nëpërmjet një ure e cila është ndërtuar me një shpenzim të madh pas aneksimit.

OKB: Mbi 1400 civilë të vrarë në Ukrainë

Zyra për të Drejtat e Njeriut në OKB thotë se gjatë luftës në Ukrainë kanë humbur më shumë se 1400 civilë. Sipas të dhënave të tyre, më shumë se 2000 të tjerë janë plagosur.

Këto shifra janë një përllogaritje e kujdesshme nga ana e OKB-së dhe mendohet se në të vërtetë numri i viktimave është shumë më i lartë.

Rastet më të shumta raportohen nga Donetsku dhe Luhansku, rajonet në lindje të Ukrainës, ku Rusia po lufton për republikat e pavarura që u shpallën së fundmi dhe që u njohën nga Moska.

Zelensky akuzon Rusinë për genocid

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka dënuar veprimet e Rusisë në Ukrainë, duke thënë se ato përbëjnë gjenocid. Ai tha se populli i Ukrainës do të nënshtrohet dhe të shfaroset nga një ambicie e pakuptimtë. Ushtria e Ukrainës ka akuzuar Rusinë për fillimin e një mobilizimi të fshehtë të rezervistëve. Rusia ka filluar një mobilizim të fshehtë të rezervistëve. Megjithatë, presidenti rus Vladimir Putin në fillim të muajit të kaluar kishte thënë se nuk do të dërgonte rezervistët për të luftuar në Ukrainë.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar thotë se forcat ruse po vazhdojnë të konsolidohen dhe riorganizohen ndërsa rifokusojnë ofensivën e tyre në rajonin e Donbasit të Ukrainës.

Reuters raporton se edhe nëse Mariupol bie, do t’i jepte Rusisë kontrollin e një prej porteve më të mëdha të Ukrainës dhe do të krijonte një korridor tokësor midis Krimesë dhe zonave në Luhansk dhe Donetsk të mbajtura nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Në total mbi 3 mijë civilë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. OKB-ja beson se shifrat reale ka të ngjarë të jenë më të larta.

REDAKSIA TVKLAN.AL