Policia hedh gaz lotsjellës dhe shoqëron të rinjtë në komisariate

Protesta e radhës për vrasjen e Klodian Rashës nisi paqësisht në sheshin Skenderbej, ku policia këshilloi qytetarët të shpërndaheshin, me arsyetimin se ishin në shkelje të pandemisë.

Me thirrjet “Poshtë diktatura” dhe “Pa drejtësi, nuk ka qetësi” protestuesit marshuan drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Ndryshe nga ditët e tjera, Ministria e Brendshme ishte e rrethuar me forca policie.

Në sheshin para godinës së Kryeministrisë, grupi i qytetarëve u ndal për disa momente.

Për herë të parë në protestë u dalluan përfaqësuesit politikë të LSI, ish-deputetja Floida Kerpaçi dhe kreu i LSI-së së Tiranës, Përparim Spahiu.

Protestuesit u zhvendosën më pas drejt Drejtorisë së Policisë Tiranë. Në anën tjetër të urës që të çon tek Drejtoria e Policisë, i priste nje kordon policësh.

Ndaj protestuesve u hodh gaz lotsjellës dhe turma u shpërnda, për t’u rikthyer në sheshin Skënderbej.

Me ndërhyrjen e grupeve të gatshme të policisë në të gjithë Tiranën, protesta u shpërnda drejt Rrugës së Durrësit, për të përfunduar deri në Zogun e Zi.

Nata e pestë e protestës pas vrasjes së Klodian Rashës u mbyll me dhjetra të rinj që ndaloheshin në rrugë dhe shoqëroheshin nëpër komisariate, duke u ndjekur nga grupet e gatshme të policisë të shpërndarë në të gjithë Tiranën.

Tv Klan