◾BE nuk bie dakord për të ndërprerë furnizimet me naftë dhe gaz nga Rusia, tha Ministri gjerman i Ekonomisë.

◾Ministrat po diskutojnë një embargo ndaj naftës ruse, por Hungaria e ka bërë të qartë se do të bllokojë konsensusin.

◾Gjermania thotë se nuk është gati të bllokojë gazin rus, por mund të përballojë një embargo të naftës me faza.

◾Të ardhurat nga furnizimet, miliona euro në ditë, përdoren për të financuar luftën e Rusisë në Ukrainë.

◾Rreth 100 persona të evakuuar nga fabrika e çelikut në qytetin jugor të Mariupolit pritet të mbërrijnë në zonat e kontrolluara nga Ukraina.

◾Qindra civilë të tjerë mbeten të bllokuar atje dhe Presidenti Zelensky ka thënë se shpreson për evakuime të tjera.

“Hitleri kishte gjak hebre”, deklarata e Lavrov shkakton reagime të ashpra në Izrael

Deklarata e Ministrit të Jashtëm rus se lideri nazist Adolf Hitler “kishte gjak hebre” ka shkaktuar një reagim ashpër në Izrael. Sergei Lavrov e bëri deklaratën në fjalë teksa po përpiqej të justifikonte pushtimin e Ukrainës.

I pyetur në një intervistë televizive italiane se si Rusia mund ta portretizojë Ukrainën si një vend nazist kur vetë presidenti i Ukrainës është hebre, Lavrov tha se kjo ishte e parëndësishme.

“Fakti nuk i mohon elementet naziste në Ukrainë. Unë besoj se Hitleri kishte edhe gjak hebre,” tha ai.

Deklaratat e tij i referohen një pretendimi historik të paprovuar, se gjyshi nga babai i Hitlerit mund të ketë qenë hebre. Nën udhëheqjen e Hitlerit, Gjermania naziste vrau 6 milionë hebrenj.

Ministri i Jashtëm i Izraelit e konsideroi deklaratën e Lavrov “të pafalshme dhe të egër… si dhe një gabim të tmerrshëm historik” dhe tha se homologu i tij rus duhet të kërkojë ndjesë.

“Sapo civili i fundit la uzinën, rinisën bombardimet”

Rusia raportohet se ka rifilluar sulmet në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, pas evakuimit të suksesshëm të civilëve ukrainas nga kompleksi i madh industrial.

Komandanti i gardës kombëtare ukrainase Denys Shlega, i cili ndodhet në mbrojtje të saj, thotë se bombardimet rinisën pasi autobusët e evakuimit u larguan.

“Një armëpushim ishte shpallur dy ditët e fundit gjatë një operacioni evakuimi civil,” tha Shlega në televizionin kombëtar të dielën në mbrëmje. “Dy ditë kaluan në heshtje. Sapo civili i fundit u largua nga uzina, filluan bombardimet nga të gjitha llojet e armëve.”

Shlega vlerëson se disa qindra civilë kanë mbetur brenda, së bashku me rreth 500 ushtarë të plagosur. Dhjetëra civilë pritet të mbërrijnë sot në qytetin ukrainas të Zaporizhzhia pasi arritën të shpëtojnë nga Azovstal.

Hungaria kundër ndalimit të plotë të naftës dhe gazin rus nga BE

Budapesti mbetet kundër vendosjes së një embargoje të BE-së për naftën dhe gazin e importuar nga Rusia, tha zëdhënësi i qeverisë Zoltan Kovacs.

“Qëndrimi hungarez në lidhje me çdo embargo të naftës dhe gazit nuk ka ndryshuar: ne nuk i mbështesim ato“, tha ai.

Një embargo totale ndaj dy lëndëve djegëse ruse po shqyrtohet aktualisht nga Komisioni i BE-së për t’u përfshirë në raundin e gjashtë të sanksioneve kundër Moskës.

Ministrat e Energjisë së BE-së shpresojnë të arrijnë një qëndrim të bashkuar për gazin dhe naftën ruse nëpërmjet një sërë bisedimesh urgjente këtë javë.

Megjithatë, Ministri i Ekonomisë së Gjermanisë, Robert Habeck pranon se nuk ka një pikëpamje unanime midis 27 vendeve të bllokut për ndalimin e furnizimeve me energji ruse.

Vendet e tjera nuk janë ende atje dhe mendoj se kjo duhet respektuar. Në rastin e gazit, për shembull, ne nuk do të ishim gati”, thotë ai.  

Moska vazhdon të deklarojë se blerësit e huaj të gazit duhet të paguajnë në bankën e saj private, Gazprombank, e cila konverton çdo dollarë ose euro në rubla. Komisioni Europian sugjeron se vendet europiane që përmbushin kërkesat bankare të Moskës mund të shkelin sanksionet e BE-së.

Lavrov: Nuk duam largimin e Zelenskit

Në uzinën Azovstal, bastionin e fundit të ushtrisë ukrainase në Mariupolin e pushtuar nga rusët vijon për të tretën ditë evakuimi i civilëve, të strehuar prej dy muajsh në vendstrehimet nëntokësore.

Mbi 100 civilë u nxorën prej andej gjatë fundjavës për t’u dërguar me autobusë drejt Zaporizhias, në territoret nën kontrollin e ushtrisë së Kievit. Të evakuuarit janë fëmijë, gra e të moshuar. Ata rrëfejnë se që kur kanë hyrë, nuk kanë parë dritë dielli me sy, ndërsa po u mbarojnë edhe ushqimet.

Mendohet se aty strehohen edhe mbi 200 civilë të tjerë, ndër ta 20 fëmijë. Sipas marrëveshjes, rusët lejojnë evakuimin vetëm të civilëve, por jo të mbi 1 mijë pjesëtarëve të njësisë Azov, të cilët Moska i konsideron neonazistë.

Sipas rusëve, ata duhet të dorëzohen për të shpëtuar të gjallë. Duke folur për televizionin italian TGCOM, për të parën herë për një media europiane që prej nisjes së sulmit në Ukrainë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov mohoi se Moska nuk kërkon largimin e Zelenskit.

“Jo nuk duam dorëzimin e tij. Zelenski mund të sjellë paqen nëse urdhëron kriminelët, batalionet e tij naziste, të ulin armët”.

Rusia pretendon se të etiketuarit prej saj si “neonazistë” mbajnë peng popullin ukrainas. Sa i përket masakrave ndaj civilëve në Buça, Lavrov mohon sërish çdo përgjegjësi të ushtrisë ruse.

Zelensky paralajmëron krizë ushqimore globale

Presidenti i Ukrainës Zelensky ka paralajmëruar se konflikti mund të shkaktojë një krizë ushqimore që prek vendet në mbarë botën.

Duke folur për programin australian të lajmeve 60 Minutes, Zelensky tha se vendi i tij mund të humbasë me miliona tonë drithëra, për shkak se Rusia ka bllokuar portet e saj në Detin e Zi.

Ukraina është një nga eksportuesit kryesorë në botë të grurit dhe produkteve të tjera ushqimore.

“Rusia dëshiron të bllokojë plotësisht ekonominë e vendit tonë”, tha Zelensky.

Rusia pretendon se ka shkatërruar një MiG-29 ukrainas

Një avion luftarak ukrainas MiG-29 është shkatërruar gjatë një beteje ajrore në rajonin lindor të Donetskut, pretendon ushtria ruse.

Në një konferencë për shtyp, një zëdhënës ushtarak tha se mbrojtja ajrore ruse shkatërruan gjithashtu dy raketa Tochka-U në Luhansk, si dhe një raketë Smerch në Donetsk.

10 dronë të Ukrainës janë shkatërruar gjithashtu, shton Igor Konashenkov.

Ai thotë se forcat ruse kanë goditur gjithashtu 38 objektiva ushtarake në Ukrainë, përfshirë depo armësh dhe poste komanduese.

Rrëfimi i ukrainases që doli nga bunkerët e Azovstal: Nuk e pamë dritën e diellit për shumë kohë

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar evakuuimin e civilëve në labirintin e bunkerëve poshtë fabrikës së çelikut Avozstal në qytetin Mariupol. Njëra prej tyre ishte 37-vjeçarja Natalia Usmanova, e cila rrëfen për agjencinë e lajmeve Reuters tmerret e përjetuara gjatë 2 muajve strehim.

“Streha ishte  aq  e fortë saqë vazhduan të godasin pranë nesh. Në dalje të bunkerëve, në disa shkallë sipër mund të merrej frymë pasi nuk kishte oksigjen të mjaftueshëm. Kisha frikë të dilja jashtë dhe të merrja ajër të pastër.”

Usmanova ishte mes dhjetëra civilëve të evakuuar nga uzina në Mariupol, një qytet-port që është rrethuar nga forcat ruse për javë të tëra.

“Ne nuk e pamë dritën e diellit për kaq shumë kohë,” shprehet  ajo, duke folur në fshatin Bezimenne në një zonë të Donetsk nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia rreth 30 km në lindje të Mariupolit.

Ky qytet ukrainas ka qenë një objektiv kyç për Rusinë për shkak të vendndodhjes së tij strategjike pranë Gadishullit të Krimesë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014.

Klan News

Droni shkatërron 2 Raptor në Ishullin e Gjarprit

Një dron ukrainas ka shkatërruar dy anije patrullimi ruse në Detin e Zi, tha shefi ushtarak i Ukrainës.

“Dy Raptor u shkatërruan mëngjesin e sotëm pranë ishullit Zmiinyi (Ishulli i Gjarprit)”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm Valeriy Zaluzhniy.

BBC shkruan se pamjet e paverifikuara të dronit të lëshuara nga ushtria ukrainase duket se tregojnë dy anije që janë shënjestruar nga raketat nga ajri ndërsa po patrullojnë në Detin e Zi.

Deri më tani për ngjarjen nuk ka një reagim nga pala ruse.

Të evakuuarit nga Mariupol: Rrugë të tëra janë fshirë nga faqja e dheut

Rreth 100 civilë pritet të mbërrijnë këtë të hënë në qytetin Zaporizhzhia, të kontrolluar nga Ukraina, pas evakuimeve nga fabrika e çelikut e rrethuar në qytetin jugor të Mariupol.

Ndërkohë BBC sjell rrëfimet e dy grave të cilat u evakuuan javën e shkuar. Njëra prej tyre, Natalia, thotë se çdo ditë kishte frikë për jetën e saj dhe atë të fëmijëve. Gruaja rrëfen se ata lëviznin nëpër streha të ndryshme, për t’i shpëtuar bombardimeve.

“Vetëm njerëzit budallenj mund të besojnë në përrallat ruse se një e ardhme nën okupim do të jetë e mirë,” tha ajo për programin Today të BBC Radio 4.

Nadia, një tjetër e evakuuar, e quajti “të pakuptueshme” që një qytet i tërë ishte “fshirë”, duke thënë se ka rrugë të tëra që nuk ekzistojnë më.

Dy gratë përshkruan një udhëtim të vështirë, të rrezikshëm dhe emocional nga Mariupol. “Rusët po pyesnin me sarkazëm nëse ne vërtet donim të shkonim në Ukrainë,” tha Nadia.

Për mbërritjen e tyre në Zaporizhzhia, Natalia tha: “Kisha lot gëzimi. Ndjeva qetësi dhe u ndjeva e lehtësuar.”

Me qindra të izoluar në Azovstal

Me qindra persona mbeten ende të izoluar në  fabrikën e rrethuar të çelikut Azovstal, tha të dielën Denys Shleha i Gardës Kombëtare të Ukrainës.

Ai shtoi se të paktën dy përpjekje të tjera evakuimi do të nevojiten për t’i nxjerrë të gjithë jashtë.

Mariupol është përballur me një nga rrethimet më shkatërruese në pushtimin rus të Ukrainës dhe zyrtarët lokalë thonë se shumë trupa dhe civilë ukrainas janë të ngujuar në uzinë.

Lavrov: Rusia nuk synon të përfundojë luftën më 9 Maj

Rusia nuk synon t’i japë fund luftës në Ukrainë deri në Ditën e Fitores, që shënohet më 9 maj, tha ministri i Jashtëm i këtij vendi, Sergei Lavrov.

Duke folur për median italiane Mediaset, ai tha se Moska nuk do të nxitojë të përfundojë të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” deri në këtë datë.

Nëntë Maji shënon dorëzimin e Gjermanisë naziste përballë forcave aleate – përfshirë Bashkimin e atëhershëm Sovjetik – më 1945.

“Ushtria jonë nuk do t’i përshtatë artificialisht veprimet e saj rreth asnjë date, përfshirë edhe Ditën e Fitores”, tha Lavrov.

“Ritmi i operacionit në Ukrainë varet, para së gjithash, nga nevoja për të minimizuar çdo rrezik për popullatën civile dhe për personelin ushtarak rus”, shtoi ai.

Rusia zakonisht shënon Ditën e Fitores me një paradë të madhe ushtarake në qendër të Moskës dhe me një fjalim të presidentit Vladimir Putin, që përshëndet rolin udhëheqës të vendit të tij në mposhtjen e fashizmit në Evropë.

Por, festimet e këtij viti vijnë nën hijen e pushtimit rus të Ukrainës, të cilin Putin e ka justifikuar me pretendimet se fqinji i tij duhet të “denazifikohet” dhe “çmilitarizohet” për të shpëtuar popullatën rusishfolëse atje.

Mijëra civilë janë vrarë dhe miliona janë zhvendosur nga Ukraina, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e saj më 24 shkurt.

Rusia ka thënë se mbi një mijë ushtarë të saj janë vrarë, por Ukraina pretendon se humbjet e Rusisë janë shumë më të mëdha.

Perëndimi e ka dënuar ashpër veprimin e Moskës dhe ka ndërmarrë një varg sanksionesh kundër saj, ndërkohë që Kievin është duke e ndihmuar me armatim.

REDAKSIA TVKLAN.AL