E ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan Nora Malaj u kthye pas në kohë duke kujtuar momentet e lumtura të fëmijërisë, të mbledhur së bashku në tryezë për të festuar ditën e Pavarësisë dhe Çlirimit të Shqipërisë.
“Sa bukur që përtej stomakut kemi mbushur dhe shpirtin për identitetin tonë”, tha Nora Malaj teksa kujton me nostalgji mbledhjet familjare në shtëpinë e gjyshërve.
“Ne jemi familje që në traditën tonë festën e ke patur, përtej faktit të ngjarjes sime personale, e kemi pasur si simbolike shumë të rëndësishme dhe e kemi trashëguar në breza. Më kujtohet kur unë isha e vogël, gjyshërit kishin marrë pjesë në luftë dhe detyrimisht që ndjenja e patriotizmit trashëgohet ndër breza. Ishin dy ditë të dedikuara kur festohej bukur, mblidheshin me njëri-tjetrin. Më kujtohet në atë kohë që kishim sobat me dru, do të merreshin gështenjat në fillim do të piqeshin, pastaj do të bënim ato punët që shtohej tryeza. Në përgjithësi shkonim tek gjyshërit dhe aty mblidheshin të gjithë fëmijët dhe si të thuash krijohej ai barku i familjes dhe për fatin e mirë, pasi njerëzit bënin paradën ktheheshim në shtëpi dhe mundoheshim të kalonim bukur, madje edhe tek gjyshërit. Mblidheshin fëmijët duke futur elementin atdhetar, pa e kuptuar, edhe elementin social dhe tregimin e ngjarjeve, historitë që na tregonte gjyshin në kohën e luftës se si kishte marrë plumbin në këmbë. Kujdesi dhe fantazi e fëmijës, që unë edhe sot në këtë moshë e kujtoj me shumë nostalgji dhe them “sa bukur që përtej stomakut kemi mbushur dhe shpirtin për identitetin tonë”, dhe kjo është një jetë e jetuar jo vetëm nëpërmjet librit, por nga realiteti,” tregoi ajo.
Jo vetëm ditën e Çlirimit, në këtë datë Nora Malaj feston dhe ditëlindjen e saj. E në përvjetorin e saj të 60-të nuk kishin se si të mungonin urimet në studio dhe duartrokitjet nga publiku. Por me sa duket Nora Malaj ka një “ankesë” të vogël, përveç krenarisë që ndjen për identitetin kombëtar, ajo shprehet se festa kombëtare e ka privuar për t’i kushtohet më shumë vëmendje ditëlindjes së saj.
“Kjo të bënte që të ishte pjesë e gëzimit, por nga ana tjetër mua më ka privuar tërë jetën ditëlindjen. Është hera e parë që unë po festoj ditëlindjen kështu në duartrokitjet e atyre zonjave te mrekullueshme që i dua shumë fort, dhe në dashurinë tuaj. Kjo më ka bërë qetë jem e tërhequr në thënien “shiko se unë kam ditëlindjen”, pikërisht kur vendi festonte përvjetorin e Çlirimit dhe në atë kohë përvjetorit ishin shumë të gëzuara, dhe sinqerisht u mësova me modestinë që kur i mbledh njerëzit dhe më thonë përse na ke mbledhur, e bëj si “Liza në botën e çudirave”, dhe u them “për mosditëlindjen time”, sepse ditëlindjen ma festojnë të gjithë. Pra në këtë qasje jam njeriu fatmadh që përtej faktit të identitetit tim unë mora dhe identitetin e kombit që nuk është pak,” tha Nora Malaj./tvklan.al