Ish-kreu i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj ka përcjellë një mesazh të gjatë në Ditën e Drejtësisë, jo vetëm për qytetarët por edhe për institucionet e reja, funksionarët e tyre apo edhe klasën politike.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Xhafaj nënvizon se gjyqtarët dhe prokurorët janë të mbështetur fuqishmisht si kurrë më parë prandaj duhet të flasin me rezultate konkrete.

Dita e Drejtësisë veç të tjerash është një moment reflektimi për çfarë kemi bërë dhe çfarë duhet të bëhet më mirë e më shpejt me ngritjen, fuqizimin dhe veprimin e institucioneve të drejtësisë së re.

Reforma tashmë është një realitet konkret i prekshëm, me rezultate inkurajuese në disa aspekte, me një proces sa të vështirë po aq edhe sfidues, sa me kundërshtarë të ashpër, po aq edhe me mbështetje të fortë e të shtuar të qytetarëve, të njerëzve të përgjegjshëm që e duan të ardhmen e Shqipërisë dhe me garancinë e partnerëve ndërkombëtarë. Institucionet e reja të drejtësisë dhe veçanërisht drejtuesit e tyre, gjenden në momentin e sprovës së madhe për të dëshmuar përgjegjësi, integritet, transparencë dhe kryesorja rezultate konkrete si kusht për të rikthyer besimin e madh të qytetarëve te drejtësia. Ata janë tashmë përgjegjësit e vetëm përballë qytetarëve shqiptarë, partnerëve ndërkombëtarë dhe të ardhmes së vendit tonë.

Koha të tregojnë përgjegjshmëri dhe pavarësi në vendimmarrje. Drejtësia e re ka kusht bazë pavarësinë e plotë të institucioneve të saj, të magjistratëve në zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit, në dhënien e drejtësisë. I papajtueshëm dhe i dënueshëm çdo lloj ndikim i brendshëm e i jashtëm në vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në dhënien e drejtësisë. Gjyqtarët dhe prokurorët janë të mbështetur fort si kurrë më parë me gjithçka.

Janë taksat e qytetarëve. Me shpresën e madhe për t’ju kthyer qytetarëve drejtësinë e munguar, ata kanë përgjegjësinë ta dëshmojnë dhe të flasin veç me rezultat. Beteja për ta çuar deri fund reformën e madhe vijon. Ta mbrojmë nga çdo ndikim i paligjshëm, nga përpjekjet për deformim e ndikim, apo edhe nga mentaliteti e praktikat e vjetra në institucionet e saj drejtuese dhe kryesorja në dhënien e drejtësisë, në reagimin dhe sjelljen e politikës apo qasjen e institucioneve të tjera ndaj saj.

Koha për drejtësi, barazi para ligjit, ndëshkim të fortë ndaj krimit të organizuar dhe veçanërisht luftë frontale ndaj korrupsionit. Pandëshkueshmëria duhet të marrë përgjigjen e merituar”, nënvizon Xhafaj.  /tvklan.al