Dita e Europës, politika optimiste për integrimin



Dita e Europës, politika optimiste për integrimin

21:10 09/05/2021

71 vjetori i themelimit të Unionit Evropian u kujtua nga drejtues të politikës shqiptare, por edhe ambasadori i BE-së në Tiranë. Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka shprehet se Shqipëria është pranë hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Kryeministri Edi Rama e ka kujtuar këtë ditë me një video të publikuar në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar se Shqipëria është shumë pranë mbajtjes konferencës ndërqeveritare.

“Ndërsa pandemia po bie në Shqipëri dhe vaksinat po bëhen më të disponueshme, ne duam të shohim përpara me shpresë dhe optimizëm. Të shohim përpara do të thotë që duam të shohim nisjen sa më shpejt të jetë e mundur të negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian. Vitin e kaluar, Shtetet Anëtare vendosën të hapnin negociatat. Së shpejti ato do të vendosin për fillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Muajt e fundit kanë treguar përparim të vërtetë në shumë fronte, jo më pak me Gjykatën Kushtetuese dhe zhvillimin e rregullt të zgjedhjeve. Jemi të bindur se tani është koha për ta bërë këtë hap të rëndësishëm”.

Në një mesazh të tij, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka shprehur besimin për anëtarësimin sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke thënë se nuk do të jetë e largët dita kur kufijtë e Europës politike dhe Europës kulturore do të jenë një dhe do të afrohen me kufijtë natyrorë të saj.

Klan News







Të ngjashme