“Ora 7” në TV Klan ditën e fundit të programit për këtë vit ia ka kushtuar iniciativës që ka ndërmarrë me qëllim bamirësie prej dy javësh tashmë.

Në një prej hapësirave të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës është zhvilluar konkursi për pemën më të bukur të Vitit të Ri, me qëllimin për të grumbulluar para për të varfrit.

Vizitorët e panairit kanë ndaluar edhe në pavijonin e pemëve dhe përveçse kanë votuar për pemën që u ka pëlqyer më shumë janë solidarizuar me këtë iniciativë duke kontribuar edhe për të varfrit.

Kjo iniciativë i është propozuar “Ora 7” nga një djalë i ri, Gerhard Pregapuca, i cili ka qenë në këtë pavijon gjithë ditën dhe i është përkushtuar këtij konkursi pa asnjë lloj përfitimi.

Duke qenë se për arsye teknike nuk është bërë e mundur lidhja direkte me “Ora 7” ne i kemi premtuar opinionit publik se ai do të shohë se ku kanë shkuar këto para, kemi regjistruar momentin e dorëzimit të shumës së lekëve të grumbulluara.

Gerhard Pregapuca: “Ndjehem i lumtur. I falënderoj të gjithë ata që kontribuuan sado pak me mundësitë që kishin natyrisht për këtë ndihmë, për ndihmë të të varfërve.”

Pasi kemi vendosur kutinë në një prej ambienteve të motrave misionare të bamirësisë dhe jemi përshëndetur me të varfrit, u larguam pa u parë me motrat e Nënë Terezës, kjo pasi hyrja e një televizioni në ambientet e tyre ishte një përjashtim që ato i bënë TV Klan duke shkelur disa prej rregullave të tyre./tvklan.al

Gazetare: Dasara Karaiskaj