Ky është momenti kur protestuesit i vunë zjarrin Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, gjatë marshimit të tyre në ditën e gjashtë të protestës. Për pasojë, disa efektivë mbetën të lënduar, të cilët kanë qenë në ambientet e komisariatit të përfshirjes nga flakët.
Rezulton se 16 punonjës policie kanë marrë dëmtime gjatë protestës vetëm përgjatë një ore dhe po marrin trajtim tek Spitali i Traumës. Ndërkohë, qendra e Tiranës vijon të jetë prej disa orësh një fushëbetejë përleshjesh të forta mes protestuesve dhe policisë, e cila përdor ujë dhe gaz lotsjellës.
Për të penguar avancimin e policisë drejt tyre, protestuesit kanë krijuar vazhdimisht bllokada, kryesisht me kazanët e mbetjeve në rrugët e kryeqytetit, të cilëve iu vihet zjarri.
Shkulën gjithashtu edhe barrikadat prej betoni në anën e rrugës midis godinave të ministrive. Zona u përfshi nga kaosi. Në tentativë për t’i shpërndarë, policia hodhi sasi të mëdha uji në Sheshin “Skënderbej”, i cili u kthye në një arenë beteje mes palëve. Një person u dhunua në mënyrë brutale nga një grup protestuesish, duke i shkaktuar plagë në kokë.
Më herët, tensione të forta pati edhe tek Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Objekt i sulmit të protestuesve ishte sërish edhe selia e Partisë Socialiste.
Përplasje të forta pati edhe tek Ministria e Arsimit, aty ku nisi protesta në ditën e gjashtë të saj, fillimisht e qetë, ku nuk munguan as këngët dhe vallet.
Por gjithçka ndryshoi pas një ore, kur protestuesit shkulën gurët e trotuareve për të goditur policinë. Nga kjo përplasje mbeti e lënduar edhe një punonjëse e medias, e cila u transportua me autoambulancë drejt spitalit.
Situata u përshkallëzua edhe më tej kur protestuesit nisën të godisnin me molotov, dhe kordoni i policisë iu kundërpërgjigj me ujë dhe gaz lotsjellës.
Policia vazhdimisht përpiqet të bëjë shpërndarjen e tyre, ndërsa ata vijojnë t’u qëndrojnë thirrjeve për dorëheqjen e qeverisë. Uniformat blu kanë bërë gjithashtu edhe shoqërime.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 