Abazoviç: Mali i Zi duhet të ndjekë rrugën evropiane

Në pritjen zyrtare në Villa Gorica, e cila u organizua me rastin e 21 Majit – Ditës së Pavarësisë së Malit të Zi kryeministri Abazoviç tha se shteti i tij  duhet të ecë i palëkundur në rrugën evropiane.

Ndërkaq, në seancën me eurodeputetët në Bruksel, Abazoviç ka theksuar se Ballkani Perëndimor mund të bëhet Ukraina e re brenda disa vitesh nëse nuk pershpejtohet integrimi në BE.

Kjo qeveri është krijuar me një mesazh të qartë dhe synim për të ecur më shpejt në integrimet europiane. Rajoni tha Abazoviç ka nevojë të shohë se dyert e BE-së janë të hapura për vendet që meritojnë të jenë pjesë e familjes evropiane dhe Ballkani Perëndimor të mos mbetet si një vrimë e zezë në Europë.

“Nëse qëndrojmë jashtë Europës, Ballkani do të bëhet Ukraina e re pas disa vitesh, dhe nuk besoj se dikush në Bashkimin Europian mund ta dëshirojë një gjë të tillë. Unë mendoj se këto janë momente historike jo vetëm për Malin e Zi, por për të gjithë Europën. Pas 24 Shkurtit, fillimi i pushtimit rus të Ukrainës bota është ndryshe dhe më shumë se kurrë njerëzit në Mal të Zi, rajon dhe Europë e kuptojnë se ne duhet të jemi bashkë”, është shprehur kryeministri malazez.

Abazoviç nënvizoi gjithashtu se objektivi i kësaj qeverie është ta zhvendosë vëmendjen nga temat negative, si nacionalizmi dhe përçarjet, tek problemet që shqetësojnë realisht qytetarët.

Klan News