Mbrojtja e Krasniqit jep deklaratën hyrëse: Nuk ka lidhje me krimet e pretenduara

-Ditën e sotme u zhvillua seanca e tretë e gjyqit në Hagë për ish-krerët e UÇK-së. Këtë të mërkurë dha deklaratën hyrëse mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi. Avokatja e tij, Venkateswari Alagendra, tha se Krasniqi nuk ka lidhje me akuzat e pretenduara nga Zyra e Prokurorisë Speciale.

-Krasniqi mbajti një fjalë para trupit gjykues në Hagë ku theksoi se nuk e kupton logjikën e akuzës ndaj tij. Ai tregoi para tyre se është dhunuar në mënyrë çnjerëzore nga hetuesit serbë, por kurrë vetë nuk është përfshirë në asnjë vrasje, burgosje apo formë presioni ndaj kujtdo. Po ashtu, u shpreh se është absurde që të akuzohet për persekutimin e anëtarëve të LDK-së pasi ka qenë vetë anëtar i saj.

-Një ditë më parë, folën edhe avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Fjalë mbajtën edhe vetë Hashim Thaçi e Rexhep Selimi. Ish-Presidenti i Kosovës u shpreh se është i pafajshëm në këtë proces ndaj tij ndërsa theksoi se “Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër”. Edhe Selimi i mohoi akuzat ndaj tij duke nënvizuar se “nuk ka frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia”.

Para tyre, në një seancë që u zhvillua të hënën bëri deklaratën hyrëse edhe Prokuroria Speciale dhe avokati mbrojtës i dëshmitarëve.

-Seanca e radhës është parashikuar të mbahet të martën më 11 Prill, ku do të niset me dëgjimin e dëshmitarit të parë.

-Të katër ish-udhëheqësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

-Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë. Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.

Përfundojnë deklaratat hyrëse në Hagë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë përfunduar deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mbrojtësit të viktimave dhe ekipeve të mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në ditën e tretë të gjykimit, mbrojtja e Jakup Krasniqit ishte e fundit që mbajti deklaratat hyrëse, duke argumentuar se ndaj ish-zëdhënësit të UÇK-së, organi i ndjekjes “nuk ka prova” që e lidhin atë me ndonjë nga krimet e pretenduara.

Gjykata Speciale ka marrë vendim që seanca e radhës të mbahet të martën më 11 prill, ku do të niset me dëgjimin e dëshmitarit të parë.

I gjeti të vrarë, Krasniqi lexon emrat e fëmijëve Jashari në Hagë: Qava që nuk mundën të jetonin asnjë ditë të fëmijërisë

Jakup Krasniqi paraqiti këtë të mërkurë para trupës gjykuese në Hagë mbrojtjen e tij. Ish-zëdhënësi i UÇK-së u ndal mes të tjerash tek masakra e Prekaz, ku forcat serbe vranë 59 persona. Krasniqi tregoi për momentin rrëqethës kur gjeti të ekzekutuar familjen Jashari dhe para gjykatës lexoi emrat e fëmijëve.

“Si kryetar i Lidhjes Demokratike në Drenas kam ndjekur nga afër krimet në Likoshan, në Qerez e në Prekaza dhe shumë krime të tjera të llahtarshme që kanë ndodhur e të cilat ishin akte të pastra gjenocidi… Në Prekaz përveç 59 të njerëzve të ekzekutuar, unë po them vetëm emrat e fëmijëve. Blerinë Jashari, 7-vjeçare, Fatime Jashari, 9-vjeçare, Igballe Jashari 11-vjeçare, Abdulla Jashari 16-vjeçar, Blerim Jashari 12-vjeçar, Igball Rifat Jashari 13-vjeçar, Kushtrim Jashari 13-vjeçar, Lirie Jashari 15-vjeçare, Valdete Jashari 15-vjeçare”.

Krasniqi tregoi se përballë kësaj masakre qau për fëmijët, “pasardhësit e kombit tim, që nuk patën mundësi të jetonin asnjë ditë të fëmijërisë”.

“Nuk më vjen turp të deklaroj publikisht se kam qarë kur pashë në një depo të materialeve ndërtimore në hyrje të Skënderajt gjithë ato njerëz të vrarë të familjes Jashari. Adem Demaçi më vërejti se po qaja dhe pasi më shprehu ngushëllimet më tha: Jakup nuk ka fitore pa luftë dhe sakrificë! Unë e dija se ky ishte çmimi i lirisë, u përpoqa ta mbaja veten, por nuk mundja. Nuk po qaja për Ademin, Hamzën dhe Shaban Jasharin që tani janë legjendë e lirisë. Unë po qaja për fëmijët, pasardhësit e kombit tim, që nuk patën mundësi të jetonin asnjë ditë të fëmijërisë. Në atë moment më është bërë e qartë se nuk mund të jetoja më me kokën e future në zall si struci. Nuk ishte njerëzore që t’u kthehej shpina njerëzve që ballafaqoheshin me pasojat e gjenocidit. Ishin momente vendimtare! Në ato moment thashë: liri o vdekje, por jo kurrë më nën sundimin e politikave gjenocidale të Serbisë?

Gjyqi në Hagë, Krasniqi: U udhëhoqëm nga porosia e Skënderbeut

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është shprehur para trupit gjykues në Hagë se pala shqiptare ia ka hapur gjithmonë portat paqes. Ai u shpreh se edhe marrëveshja e Rambujesë u nënshkrua për t’i dhënë mundësi paqes, edhe pse marrëveshja nuk ishte e mirë për Kosovën. Krasniqi tregoi se ata u udhëhoqën nga porosia e Skënderbeut që t’i përgjigjesh luftës kur të imponohet është urti.

“Përtej aspiratave për bashkim kombëtar ne gjithmonë e kemi dëshiruar deklaratat e kësaj natyre gjatë luftës ishin në funksion të ngjalljes së shpresave se bashkimi me Shqipërinë do të rriste gjasat për fitore. Kësaj radhe nuk do të zgjatem për përshkrimin e luftës tonë çlirimtare e as për kontaktet e mia diplomatike si përfaqësues politik i UÇK-së e as për konferencën e Rambujesë, të cilën ne e nënshkruam në mënyrë që t’i jepnim një mundësi paqes, edhe pse marrëveshja nuk ishte e mirë për ne. Sa herë është varur nga ne, paqes i kemi hapur të gjitha portat. Ne u udhëhoqëm nga porosia e Skënderbeut i cili pati thënë që të kërkosh luftë është çmenduri, por t’i përgjigjesh asaj kur të imponohet është urti”, tha Krasniqi.

“Kurrë nuk kam qenë në shërbim të ndonjë politike të krimit”, Krasniqi: Kam jetuar me dinjitet dhe dua të vdes me dinjitet

Në ditën e tretë të gjyqit në Hagë, ish-zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi ka deklaruar pafajësinë e tij para trupës gjykuese.

Teksa solli në vëmendje një sërë aktesh kriminale të kryera nga regjimi serb në kohën e luftës në Kosovë, Krasniqi deklaroi se gjithmonë ka vepruar me ndershmëri, pa cenuar jetën e askujt dhe se qëllimi i tij i vetëm ka qenë liria e bashkimi kombëtar.

“Si kryetar i Lidhjes Demokratike në Drenas kam ndjekur nga afër krimet në Likoshan, në Qerez e në Prekaz dhe shumë krime të tjera të llahtarshme që kanë ndodhur e të cilat ishin akte të pastra gjenocidi. Në ato ditë të vështira i kam vizituar këto familje pas vrasjeve të anëtarëve të familjeve të tyre, në ceremoninë mortore në Likoshan kam mbajtur fjalën në emër të partisë Lidhja Demokratike dhe të gjitha partive politike lokale. Unë kam parë me sytë e mi në vendbanimet që regjimi kishte targetuar, shumica e familjeve kishin anëtarët të ekzekutuar.

Në Prekaz përveç 59 të njerëzve të ekzekutuar, kishte dhe shumë fëmijë. Nuk më vjen turp të deklaroj publikisht se kam qarë kur pashë në një depo të materialeve ndërtimore në hyrje të Skënderajt gjithë ato njerëz të vrarë të familjes Jashari.

Adem Demaçi më vërejti se po qaja dhe pasi më shprehu ngushëllimet më tha: Jakup nuk ka fitore pa luftë dhe sakrificë! Unë e dija se ky ishte çmimi i lirisë, u përpoqa ta mbaja veten, por nuk mundja.  Nuk po qaja për Ademin, Hamzën dhe Shaban Jasharin që tani janë legjendë e lirisë. Unë po qaja për fëmijët, pasardhësit e kombit tim, që nuk patën mundësi të jetonin asnjë ditë fëmijërie.

Në atë moment më është bërë e qartë se nuk mund të jetoja më me kokën e futur në zall si struci. Nuk ishte njerëzore që t’u kthehej shpina njerëzve që ballafaqoheshin me pasojat e gjenocidit.  Ishin momente vendimtare! Në ato moment thashë: liri o vdekje, por jo kurrë më nën sundimin e politikave gjenocidale të Serbisë.

Në Qershor të vitit 1998, më është propozuar të dal publikisht si zëdhënës i UÇK-së, nuk hezitova në asnjë moment që të marr përsipër një detyrë të tillë edhe pse rreziku ishte i madh. Isha krejtësisht i vetdijshëm se paraqitja ime publike, identiteti im do të vendoste dhe familjen në rrezik. Dalja ime publike, familjen time e kishte bërë target për t’u shkatërruar. Kjo është arsyeja pse nuk do të flas për fatin e familjes time as babain tim që vdiq prej torturave serbe sepse të gjithë shqiptarët pa dallime politike, feje ishin objekt i shkatërrimit e planit gjenocidal të Serbisë. Në funksion të qëllimit për të shkatërruar shqiptarët forcat serbe vranë 1392 fëmijë ku kishte dhe foshnja në djep, 1739 gra dhe mbi 10 mijë civilë të tjerë. Përkundër të gjitha të metave dhe vështirësive gjatë luftës, në rolin tim si zëdhënës jam përpjekur të krijoj një përshtypje se jemi një strukturë e organizuar mirë, sepse ishte mënyra e vetme për të mbajtur gjallë shpresat për një rezistencë të mirëfilltë prandaj deklaratat e mia duhet të shihen në funksion të propagandës.

Ne gjithmonë e kemi dëshiruar të afirmojmë luftën tonë çlirimtare. Sa herë është varur nga ne, ne paqes i kemi hapur të gjitha portat. Ne u udhëheqëm nga porosia e Skënderbeut i cili pat thënë që të kërkosh luftë është çmenduri, por t’i përgjigjesh asaj kur të imponohet është urti.

Nëse në rrugëtimin tim politik ka një gjë që nuk ka logjikë është akt-akuza e ngritur, përmbajtja e akuzës, më ka lënduar më shumë sesa torturat mizore dhe dënimi me burg nga regjimi serb. Akuzat për gjoja trafikim organesh nga ana e UÇK-së, pas hetimeve disa vjeçare nuk u gjet asnjë provë e vetme dhe rrjedhimisht një akuzim i tillë nuk është pjesë e akuzës.

Unë kurrë nuk kam qenë në shërbim të ndonjë politike të krimit, kjo është arsyeja pse kam qenë rehat në ndërgjegjien time njerëzore, e kam jetuar një jetë me dinjitet dhe dua të vdes me dinjitet.

Në jetën time, asnjëherë nuk kam kryer ndonjë vepër kriminale as para luftës, gjatë luftës apo pas luftës. Asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në vepra kriminale as me veprim, as me mosveprim, as me nxitje. Gjithmonë kam vepruar ndershmërisht për liri dhe bashkim kombëtar, që kanë qenë qëllimi im jetësor. Prandaj kam qenë dhe jam krenar për veprimtarinë time politike si në të kaluarën dhe sot jam ballëhapur para çdo njeriu dhe shumë i lumtur që kam arritur edhe në rrethana tepër të rënda ta ruaj integritetin tim njerëzor. Sinqerisht jam i qetë!”, tha Krasniqi para trupës gjykuese në Hagë.

Krasniqi në Hagë: Absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, kam qenë vetë anëtar i saj

Ditën e sotme u zhvillua seanca e tretë e gjyqit në Hagë për ish-krerët e UÇK-së ku ishte radha e mbrojtjes së Jakup Krasniqit për të bërë deklaratën hyrëse. Pas avokates, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Krasniqi, mbajti një fjalë të tij. Ai zgjodhi të fliste për veten duke thënë se po e bën këtë “jo për të mbrojtur vetveten nga njollosja që i bëhet në këtë akuzë, por për të ndriçuar atë që i duket e domosdoshme për të kuptuar pafajësinë e tij të plotë”.

Krasniqi tregoi të gjitha rrethanat ku është lindur dhe është rritur ku që në fëmijëri ka qenë i rrethuar me njerëz që i kanë mbijetuar politikës së genocidit të Serbisë. Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se ndaj tij janë përdorur tortura çnjerëzore nga hetues serbë dhe është dënuar dy herë. Megjithatë theksoi se asnjëherë përgjegjësit e torturave ndaj tij nuk kanë qenë objekt kritike në shkrimet e tij.

“Ashtu si u përdor dhuna fizike, u ushtrua dhunë e tmerrshme edhe ndaj meje. Gjatë dy proceseve hetuese ndaj meje në 1981, 1982 kam përjetuar tmerre që nuk përshkruhen me fjalë. Duart dhe këmbët i kisha të enjtura nga dhembjet. Më dënuan dy herë. Herën e parë në ‘81 më dënuan me 14 vjet burg dhe herën e dytë ’82 me 15 vjet burg. I përmenda torturat ndaj meje për të nënvizuar një fakt të pakontestueshëm, asnjë hetues i ish-Jugosllavisë që ishin përgjegjës për torturat që përjetova nuk ka qenë as objekt kritike në shkrimet e mia. I kam lënë të qetë t’i brejë ndërgjegjja për veprimet e tyre kriminale”, theksoi Krasniqi.

Ai u shpreh se ndaj popullit të Kosovës është ushtruar dhunë sistematike, vrasje, burgosje, tortura dhe dëbime. Krasniqi u shpreh para trupës gjykuese në Hagë se të gjithë e dinë që ai nuk ka qenë i përfshirë asnjëherë në asnjë ngjarje kriminale.

“Nuk e kuptoj logjikën e akuzës së tanishme kundër meje. Ndaj popullit tonë është ushtruar dhunë sistematike, vrasje, burgosje, tortura, dëbime. Unë e urrej dhunën, vrasjet, burgosjet, torturat, dënimet jo se janë ushtruar ndaj popullit tonë dhe ndaj meje, por sepse i konsideroj tepër të ulëta dhe çnjerëzore. Çdo njeri që flet të vërtetën do t’ju thotë se unë, Jakup Krasniqi, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, në asnjë burgosje, në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë. Integriteti im intelektual dhe njerëzor më ka mundësuar dhe e kam të qartë se cilat mjete duhen përdorur në çlirimin kombëtar në luftë kundër atyre që përpiluan dhe zbatuan genocid ndaj nesh”, tha Krasniqi.

Më tej, shtoi se pas daljes nga burgu është bërë pjesë e LDK-së, prandaj për këtë arsye theksoi se është absurde që të akuzohet për persekutimin e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi ishte vetë anëtar i saj.  

“Pas më shumë se 10 vjetëve, në vitin 1991 u lirova nga burgu i Novi Sadit. Mirëpo kjo nuk nënkuptonte daljen në liri. Populli shqiptar i Kosovës ishte populli më i robëruar. Populli i Kosovës ishte populli i ndaluar. Prandaj nga muret e ndërtesës së burgut të Novi Sadit që ishte i mbushur me shqiptarë, dola në burgun me 2 milionë shqiptarë që quhej Kosovë. Hyra në burgun Kosovë, kur regjimi i Milosheviçit kishte vënë në zbatim politikën e aparteidit si fazë paraprake e genocidit të planifikuar kundër shqiptarëve.

Menjëherë pas kthimit në Kosovë u angazhova në kuadër të strukturës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Drenas. Në atë kohë LDK angazhohej që të ushtrohej një sistem funksional paralel, të jetës politike dhe institucionale në Kosovë për të zbutur pasojat e politikës së aparteidit të instaluar nga regjimi i Beogradit.

Është absurde që të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së. Unë vetë isha anëtar i LDK. Familjarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Bashkëveprimtarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Vetëm një mendje e çoroditur mund t’i ketë lindur ideja se unë kam mundur të jem pjesë e persekutimit tim, familjarëve të mi, bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve të mi”, tha Krasniqi.

Mbrojtja: Provat e ZPS-së nuk e lidhin Krasniqin me krimet e pretenduara

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra

Avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka nisur deklaratën e saj hyrëse.

Alagendra tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka prova që e lidhin klientin e saj me krimet e pretenduara.

“Provat e prokurorisë do të tregojnë rolin e vërtetë të Krasniqit. Ai nuk kishte kompetenca dhe përgjegjësi që kërkon t’i ngarkojë ZPS-ja dhe as aktivitetet e tij nuk mund të lidhen me asnjë krim që pretendohen nga prokuroria”, tha ajo.

Avokatja tha se Krasniqi ishte emëruar zëdhënës i UÇK-së në Qershor të vitit 1998 dhe të gjithë aktivitetin e tij e ka pasur publik.

“Zëdhënësit nuk përfshihen në çështje operacionale”, tha ajo.

Alagendra tha se Krasniqi ishte emëruar një prej dy zëvendëskomandantëve të UÇK-së për një periudhë të shkurtër kohore, por ai kishte qenë zëvendëskomandant për mbështetje dhe nuk kishte të bënte me çështje operacionale.

Sa i përket disa dokumenteve që ZPS-ja ka gjetur në shtëpinë e Krasniqit, pas arrestimit të tij, mbrojtja tha se ZPS-ja duhet të vërtetojë autorësinë e tyre.

Gjetja e këtyre dokumenteve në shtëpinë e tij nuk i bën autentike”, tha Alagendra.

Çfarë ndodhi në seancën e dytë gjyqësore në Hagë

Prokurorët e Zyrës së Prokurorisë Speciale

Kujtojmë se një ditë më parë mbrojtja e Hashim Thaçit deklaroi se ai nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime dhe se nuk kishte mundësi të parandalonte krimet që ndodhnin, pasi pushteti real u takonte komandantëve të zonave.

Ben Emerson, avokati i Kadri Veselit hodhi poshtë akuzat se krerët e UÇK-së kanë shfrytëzuar pozitat për të eliminuar apo përndjekur kundërshtarët politikë. Sipas tij, shumica e anëtarëve të UÇK-së ishin mbështetës të LDK-së. 

Geoffrey Roberts, avokati i Rexhep Selimit, tha se në aktakuzën ndaj klientit të tij nuk ka asnjë aludim se ai ka urdhëruar ndonjë prej krimeve të pretenduara.

Të hënën u dëgjuan zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtësi i viktimave. Sipas Gjykatës Speciale, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë. Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë./tvklan.al