LAJM I PËRDITËSUAR NË ORËN 21:49

Zv/kryebashkiaku i Mariupolit ka thënë për BBC se Rusia ka sulmuar një teatër ku po strehoheshin civilë.

Serhiy Erlov tha se në momentin e ngjarjes brenda teatrit ndodheshin nga 1 mijë deri në 2 mijë persona. Deri më tani është i panjohur numri i dëmeve në njerëz.

Mariupol ndodhet në jug të Ukrainës dhe është rrethuar nga forcat ruse. Rreth 300 mijë persona mendohet se janë bllokuar në qytet pa ujë të rrjedhshëm, elektricitet apo gaz.

Trupat ruse janë duke mbajtur ende rreth 400 persona, duke përfshirë doktorë dhe pacientë, “si pengje” brenda një spitali në Mariupol.

Forcat ruse kanë vrarë 10 persona të cilët qëndronin në radhë për të blerë bukë në qytetin e Chernihiv. Gazetarët lokalë kanë thënë për BBC se me shumë mundësi viktimat u qëlluan nga artileria ruse e vendosur jashtë qytetit.

Më herët, Presidenti Volodymyr Zelensky ripërsëriti kërkesën e tij për zonë ndalim-fluturimi dhe bëri thirrje për më shumë sanksione në Rusi gjatë një fjalimi që pati në Kongresin e SHBA-së.

Zyrtarët në Kiev kanë deklaruar se forcat ruse kanë bombarduar një bllok me apartamente të mërkurën në mëngjes.

“Fëmijë”, çfarë shkruhej rreth teatrit të bombarduar në Mariupol

Një imazh satelitor i kapur dy ditë më parë nga Maxar tregon se në të dyja anët e teatrit të Mariupol shkruhej me shkronja të mëdha në gjuhë ruse fjala “fëmijë”.

Siç u raportua më herët, zyrtarët lokalë thanë se teatri po përdorej nga qindra civilë si strehë, përpara se të bombardohej këtë të mërkurë nga forcat ruse.

Sipas zyrtarëve ukrainas, ky ishte një sulm i qëllimshëm dhe cinik i avionëve luftarakë rusë, megjithatë detajet për këtë sulm nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur, shkruan BBC. Ministria e Mbrojtjes ruse e ka mohuar sulmin në fjalë.

Lirohet kryebashkiaku i rrëmbyer i Melitopol

Kryebashkiaku i Melitopolit, i cili u raportua i rrëmbyer nga forcat ruse 5 ditë më parë, është liruar, sipas këshilltarëve të presidentit ukrainas. Presidenti Volodymyr Zelensky kishte akuzuar Rusinë se po kalonte në një “fazë të re terrori” pasi Ukraina shfaqi pamjet e asaj që tha se ishte kryetari i bashkisë, Ivan Fedorov, i cili po merrej me forcë.

Melitopol ishte një nga qytetet e para që ra në duart e forcave ruse dhe u vendos një kryetar i ri bashkie. Qeveria e Ukrainës akuzoi gjithashtu Rusinë për rrëmbimin e kryetarit të qytetit të Dniprorudne.

Pas njoftimit të lirimit të Fedorov, zyrtarët ukrainas postuan një video në mediat sociale të Zelensky-t duke telefonuar kryetarin e bashkisë dhe duke i thënë atij se ishte “i lumtur të dëgjonte zërin e një njeriu të gjallë”.

Fedorov dëgjohet duke falenderuar presidentin që “nuk e braktisi” dhe i thotë se do t’i duhen “një ose dy ditë për t’u rikuperuar dhe pastaj do të jetë në komandën tij për të kontribuar në fitoren e tyre”.

Biden e quajti Putin kriminel lufte, reagon Kremlini: E pafalshme!

Të pafalshme e konsideron Kremlini etiketimin që presidenti amerikan Joe Biden i bëri presidentit rus Vladimir Putin. Siç raportuam pak më herët, Biden e quajti për herë të parë presidentin rus “kriminel lufte”.

Sipas agjencisë së lajmeve TASS, Kremlini tha se komentet e Biden janë “retorikë e papranueshme dhe e pafalshme”.

Rrjetet sociale mbushen me videon false të Zelensky-t

Në rrjetet sociale po qarkullon një video false ku pretendohet se Presidenti Volodymyr Zelensky i bën thirrje trupave ukrainase që të hedhin armët në tokë. Pavarësisht se buzët e tij lëvizin në sinkron me audion, koka e Zelenskyt duket që është e mbivendosur dhe zëri nuk i ngjason.

Mediat ukrainase kanë transmetuar një foto të marrë nga videoja si dhe kanë publikuar shkurtimisht mesazhin e saj. Zelensky hodhi poshtë videon false dhe tha se ai “mund t’u sugjerojë vetëm ushtarakëve rusë që të hedhin armët në tokë dhe të shkojnë në shtëpi”.

Videoja është kryer duke përdorur teknologji që modifikon pamjet, zakonisht duke zëvendësuar fytyrën e një personi me një tjetri. Nëse kjo konfirmohet, ky klip i Zelensky-t do të ishte videoja e parë false e këtij lloji në këtë luftë.

Përse SHBA është skeptike për negociatat Rusi-Ukrainë

Për Shtëpinë e Bardhë nuk ka shenja që të tregojnë se Putin po bën përpjekje për të ulur përshkallëzimin e pushtimit të Ukrainës, që në vetvete do të ishte tregues i progresit në bisedimet për paqe mes liderëve rusë dhe ukrainas.

E pyetur nëse SHBA kishte ndonjë informacion sa i takon stadit të negociatave, Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha: “Nuk kemi parë ndonjë përpjekje të uljes së përshkallëzimit nga presidenti Putin dhe ushtria ruse. Është e vështirë të kesh negociata që do të jenë efektive nëse njëra palë vazhdon të përshkallëzojë situatën.”

Rusisë i pezullohet roli në FMN

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka pezulluar një rol nderi që i ishte dhënë anëtarit më jetëgjatë të trupit huadhënës, sepse ai është rus.

Aleksei Mozhin, drejtori ekzekutiv për Rusinë në organin global të huadhënies, mbante rolin e nderit të dekanit që nga viti 2015.

Një zëdhënës i FMN tha se ka pezulluar përkohësisht Mozhin “duke pasur parasysh rolin e Rusisë në luftën e vazhdueshme në Ukrainë” dhe impaktit të mundshëm të këtij vendi në përmbushjen e kësaj detyre.

Kjo vjen pas presionit nga vendet e tjera aksionere, përfshirë SHBA, Britaninë e Madhe dhe Kanadanë, raportoi Financial Times.

Roli është zëvendësues i drejtorit menaxhues, i cili kryeson bordin ekzekutiv të FMN-së.

Biden: Putin, kriminel lufte

Presidenti amerikan Joe Biden tha për herë të parë se presidenti rus Vladimir Putin është një kriminel lufte, për pushtimin që po i bën Ukrainës.

“Ai është kriminel lufte”, tha Biden për gazetarët pas një eventi në Shtëpinë e Bardhë. Reagimi vjen në një kohë kur vdekjet dhe shkatërrimi në Ukrainë vijon të përkeqësohet.

Më herët, Biden njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainë, në luftën e saj kundër Rusisë. Ai tha se Shtëpia e Bardhë do të mundësojë një “mbështetje të paprecedentë”, e cila kap shifrën prej rreth 800 milionë dollarësh, përfshirë furnizimin me dronë.

SHBA do ta ndihmojë po ashtu Ukrainën në identifikimin dhe marrjen e sistemeve kundërajrore me rreze të gjatë dhe municionet që i nevojiten.

Mbështetje e paprecedentë për Ukrainën nga SHBA

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi këtë të mërkurë një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainë, në luftën e saj kundër Rusisë.

Ai tha se Shtëpia e Bardhë do të mundësojë një “mbështetje të paprecedentë”, e cila kap shifrën prej rreth 800 milionë dollarësh, përfshirë furnizimin me dronë.

SHBA do ta ndihmojë po ashtu Ukrainën në identifikimin dhe marrjen e sistemeve kundërajrore me rreze të gjatë dhe municionet që i nevojiten.

Njoftimi i Biden vjen disa orë pasi presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy mbajti një fjalim historik përpara Kongresit Amerikan, gjatë së cilit përsëriti lutjen për të vendosur një zonë të ndalimit të fluturimit mbi vendin e tij.

Shtëpia e Bardhë reagoi me shpejtësi duke e përjashtuar mundësinë e vendosjes së një zone të tillë, por tha se do të jepte edhe më shumë ndihmë për Ukrainën.

Bombardohet teatri në Mariupol, brenda ndodheshin me qindra persona

Forcat ruse bombarduan këtë të mërkurë një teatër brenda të cilit ndodheshin me qindra persona. Sulmi ndodhi në qytetin e rrethuar të Mariupol dhe u konfirmua nga nënkryetari i bashkisë së qytetit port, i cili vijon të jetë nën terrorin e sulmeve të vazhdueshme ruse.

Sipas asaj që shkruan BBC, Serhiy Orlov tha se brenda ndërtesës ishin të strehuar rreth 1200 persona. Numri i viktimave deri më tani nuk dihet.

Mariupol është i rrethuar prej forcave ruse dhe rreth 300 mijë persona mbeten të izoluar pa ujë, pa drita apo gaz. Ushqimet dhe medikamentet janë drejt fundit dhe Rusia nuk ka lejuar dërgimin e ndihmave humanitare.

Që prej nisjes së luftës, qyteti ka qenë nën bombardimin e vazhdueshëm rus. Me lagje të tëra janë shndërruar në djerrina. Javën e shkuar, sulmi në një spital fëmijësh dhe maternitet i mori jetën 5 personave.

Orlov tha se Rusia sulmoi po ashtu një autokolonë civilësh të cilët ishin larguar nga Mariupol drejt qytetit të Zaporizhzhia, duke plagosur 5 civilë, përfshirë një fëmijë. 

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëron Rusinë të ndalojë pushtimin e Ukrainës

Gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kanë urdhëruar Rusinë që të pezullojë operacionet ushtarake në Ukrainë. Ata thonë se Rusia duhet që të ndalojë urgjentisht operacionet ushtarake dhe të sigurojë që çdo njësi ushtarake si dhe njerëzit që mbështeten ose kontrollohen nga ajo, të mos ndërmarrin hapa të tjera ushtarake.

Të dyja palët duhet të përmbahen nga çdo veprim që mund të përkeqësojnë konfliktin ose ta bëjë më të vështirë zgjidhjen e tij. Gjyqtarët refuzuan që të urdhëronin Rusinë që të raportojë mbi avancimin, por detyrimet ligjore ndërkombëtare e detyrojnë Rusinë që ta respektojë këtë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e ka konsideruar urdhrin e gjykatës si “një fitore të plotë” dhe tha se nëse Rusia e injoron, do të izolohet më tej.

Në radhë për të blerë bukë, bombardimet ruse vrasin 10 persona në Chernihiv

Autoritetet në Ukrainë kanë deklaruar se 10 persona kanë mbetur të vdekur, si pasojë e bombardimeve nga forcat ushtarake ruse në veri të Chernihiv.

Në një deklaratë të bërë publike nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, zyrtarët bënë me dije se sulmi ndodhi në orën 10:00 me atë lokale mëngjesin e sotëm. Sipas zyrtarëve, forcat ruse qëlluan mbi njerëzit që qëndronin në radhë për të blerë bukë pranë një dyqani.

Ndërkohë, mediat lokale vendase thanë për BBC, se viktimat mund të jenë qëlluar nga artileria ruse e pozicionuar jashtë qytetit. Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës ka hyrë në ditën e 21-të, teksa katër raundet e bisedimeve të zhvilluara deri më tani, nuk kanë sjellë armëpushim.

Rusia mund të mos jetë në gjendje të paguajë borxhet

Rusia mund të mos jetë në gjendje që të paguajë borxhet e saj, pas vendosjes së sanksioneve nga Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Rusia do të duhet të paguajë një interes prej 117 milionë dollarësh dy investitorëve, shkruan BBC.

Sipas agjencive të vlerësimit të kredive, Rusia do të hasë vështirësi, madje nuk do të mundet që të paguajë borxhet.

Nga ana tjetër, Ministri i Financave të Rusisë deklaroi se tashmë borxhi është paguar, dhe se ishin në pritje të zhbllokimit të transferatave në sistemin bankar të Shteteve të Bashkuara.

Anton Siluanov tha: “Ne i kemi paratë, kemi bërë pagesën, tani topi është në fushën e autoriteteve amerikane”.

Por pse Rusia nuk do të mund të paguajë borxhet?

Qeveria e Federatës Ruse, përfshirë kompani të tilla si Gazprom, Lukoil dhe Sberbank, u detyrohen rreth 150 miliardë dollarë investitorëve të huaj.

Shumica e detyrimeve është në dollarë dhe euro, ndaj pagesat e interesave duhet të kryhen në monedhat përkatëse të këtyre shteteve.

Sanksionet e vendosura nënkuptojnë se Rusia ka humbur aksesin në një pjesë të madhe të rezervave të saj, rreth 630 miliardë dollarë në valutë të huaj. Megjithatë, ajo ende merr pagesa në dollarë për naftën, gazin dhe produkte të tjera që shet jashtë vendit dhe ajo valutë e huaj është e aksesueshme.

Nëse Rusia dështon do të jetë mospagimi i parë i borxhit të vendit që nga viti 1998.

NATO nuk prek në tokën apo qiellin e Ukrainës, Stoltenberg sqaron pse

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka folur për gazetarët në Bruksel pas një takimi të ministrave të Mbrojtjes që janë pjesë e aleancës.

Ai ka folur për kërkesën për ndalim-fluturimi mbi Ukrainë. Stoltenberg ka thënë se të gjithë aleatët janë të bashkuar në vendimin për të mos dërguar trupa ushtarake në tokë apo zonën ajrore të Ukrainës, “sepse ne kemi përgjegjësinë që të sigurojmë që kjo luftë të mos përshkallëzojë përtej Ukrainës”.

Kjo përgjigje vjen edhe si pasojë e kërkesave të shpeshta të Presidentit Volodymyr Zelensky për të vendosur ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.

 Stoltenberg tha se Ukraina është komb i pavarur dhe sovran dhe ka të drejtën e vet për të zgjedhur rrugën e saj.

“Është në dorën e tyre të vendosin nëse duan të aspirojnë për anëtarësimin në NATO ose jo”, ka thënë ai.

Foto: Luftë me flakët

Këto pamje dramatike vijnë nga Kharkiv, një qytet që përgjatë këtyre 3 javëve ka qenë një prej objektivave kryesore të forcave ruse.

Fotot e përcjella nga Sky News treogjnë zjarrfikësit që luftojnë për të vënë nën kontroll një zjarr masiv në një ndërtesë në verilindje të qytetit.

“Moska nuk duhet të ketë asnjë dyshim, NATO nuk do të tolerojë…”

Pas sulmit ajror të Rusisë në një bazë ushtarake pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë, vend anëtar në NATO, përgjatë fundjavës, janë shtuar shqetësimet sesi kjo luftë mund të përshkallëzohet lehtësisht.

Nëse një vend i NATO-s sulmohet drejtpërdrejtë, të gjitha vendet janë të detyruara t’i shkojnë në mbrojtje.
Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenbeg, paralajmëroi këtë të mërkurë Moskën se një sulm kundër një vendi të vetëm nuk do të tolerohet.

Moska nuk duhet të ketë asnjë dyshim, NATO nuk do të tolerojë asnjë sulm në sovranitetin e një aleati apo në integritetin e tij territorial”, tha ai.

Pas 26 vitesh Rusia përjashtohet nga Këshilli i Europës

Federata Ruse është përjashtuar nga Këshilli i Europës. Në një deklaratë të bërë nga Komiteti i Ministrave të këtij Këshilli, u bë me dije se pas një takimi të jashtëzakonshëm, anëtarësimi i Rusisë ishte pezulluar.

Kjo është hera e pare në 26 vite, që Rusia përjashohet nga Këshilli i Europës, shkruan BBC.

Procedura për t’i dhënë fund anëtarësimit të Rusisë filloi fillimisht më 25 Shkurt, një ditë pasi forcat ushtarake ruse, me urdhër të Presidentit Putin pushtuan Ukrainën.

Këshilli është organi më i vjetër politik i Evropës dhe synon të mbështesë të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në të gjithë kontinentin.

Putin: Nëse Perëndimi mendon se do tërhiqemi, atëherë nuk e kupton Rusinë

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se Perëndimi nuk do të ketë sukses në atë që ai e quajti përpjekje për të arritur dominimin global dhe për të copëtuar Rusinë.

Reuters raporton se Putin ka folur në një takim qeveritar mëngjesin e kësaj të mërkure duke thënë se nëse Perëndimi mendon që Rusia do të tërhiqet, atëherë nuk e kupton Rusinë.

Ai foli gjithashtu për sanksionet që janë vendosur për të goditur ekonominë ruse, por tha se banka qendrore nuk ka nevojë për të printuar para dhe se vendi ka resurse të mjaftueshme financiare.

“Ekonomia jonë dhe bizneset kanë të gjitha resurset për të arritur qëllimet e vendosura, sfidat duhet vetëm të na mobilizojnë”, tha Putin.

Mbledhje e jashtëzakonshme e ministrave të Mbrojtjes së NATO-s për Ukrainën, Peleshi: Shqipëria e gatshme për ndihmë humanitare

Në selinë e NATO-s, Bruksel, Belgjikë, sot u zhvillua takimi i jashtëzakonshëm i ministrave të Mbrojtjes së NATO-s, ku fokusi kryesor ishte situata në Ukrainë pas pushtimit nga Rusia.

Ministri i Mbrojtjes zoti Niko Peleshi, në fjalën e tij, qartësoi edhe njëherë pozicionin e Shqipërisë në mbështetje të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës si dhe dënoi rëndë shkeljen e ligjit ndërkombëtar nga ana e Rusisë.

Ai solli në vëmendje se, Shqipëria iu bashkua pa asnjë hezitim vendeve të tjera të NATO-s dhe BE-së, që vendosën sanksione ndaj Rusisë, si dhe gatishmërinë e plotë të qeverisë shqiptare për të ofruar ndihmë dhe asistencë humanitare për Ukrainën.

Në kuadër të rritjes së vigjilencës dhe masave për përforcimin e krahut lindor dhe juglindor të Aleancës, Peleshi shtoi se, vendi ynë ka deklaruar se është i gatshëm të zbatojë detyrimet e veta si një aleat me vlerë dhe i besueshëm krah për krah aleatëve të tjerë.

Në përfundim, ministri Peleshi kërkoi nga Aleanca vëmendje të shtuar dhe analizë të kujdesshme për rajonin e Ballkanit, ndonëse fokusi mbetet situata në Ukrainë. Ai tha se konflikti duhet kontrolluar dhe mbajtur jashtë kufijve të NATO-s, pasi ndikimi rus në Ballkan konsiderohet rrezik real për rajonin.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës zoti Jens Stoltenberg dënoi agresionin rus ndaj Ukrainës dhe rikonfirmoi mbështetjen e plotë politike dhe asistencën e vazhdueshme ushtarake nga NATO për Ukrainën. Gjithashtu, ai theksoi nevojën për përforcimin e Deterrencës (Parandalimit) dhe Mbrojtjes së Aleancës, veçanërisht në lindje dhe juglindje të kufijve të saj, ku për herë të parë që nga krijimi i saj, NATO po dislokon Forcat e Reagimit në këto vende.

Ky ministerial i paraprin Samitit të Jashtëzakonshëm të NATO-s, i cili do të zhvillohet në Bruksel më datë 24 mars.

Italia sekuestron pronat e oligarkut rus në Sardenjë

Një kompleks ndërtimi në Sardenjë të Italisë është sekuestruar nga autoritetet italiane.

Pronat i përkasin oligarkut rus Petr Olegovich Aven, i cili është në listën e sanksioneve të Bashkimit Europian si një nga njerëzit e afërt të Presidentit rus, Putin.

Prona e tij e sekuestruar në Sardenjë ka një vlerë rreth 4 milionë Euro. Lajmi është konfirmuar edhe nga zyra e Kryeministrit të Italisë.

Pritet që Biden të njoftojë 800 milionë dollarë ndihmë për sigurinë në Ukrainë

Presidenti i SHBA, Joe Biden pritet të njoftojë më vonë ndarjen e një ndihme shtesë prej 800 milionë dollarësh për të mbështetur Ukrainën. Kjo lëvizje vjen përpara fjalimit të sotëm të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në Kongresin Amerikan.

Kjo paketë ndihme pritet të përfshijë raketa antitank për të plotësuar furnizimin e Ukrainës me raketa perëndimore.

Disa media amerikane kanë raportuar gjithashtu se Shtëpia e Bardhë po konsideron t’i sigurojë ushtrisë ukrainase dronë të quajtur Switchblades, të cilët mund të përdoren për të synuar armaturën dhe trupat ruse.

Protestoi në televizionin shtetëror, gazetarja ruse e shqetësuar për sigurinë e saj

Gazetarja ruse, e cila ndërpreu transmetimin e lajmeve të televizionit shtetëror rus duke mbajtur një tabelë kundër pushtimit të Ukrainës nga vendi ka thënë se tani është e frikësuar për sigurinë e saj dhe të fëmijëve.

Marina Ovsyannikova shtoi se nuk ka plan të largohet nga vendi dhe shpreson që nuk do të përballet me akuza penale.

Ajo gjithashtu tha për Reuters se shpreson se protesta e saj “nuk ishte e kotë” dhe populli rus do të hapë sytë dhe do të shqyrtojë propagandën e luftës me më shumë kujdes.

Ukraina mund të shndërrohet në “Sirinë” e Europës

Ukraina mund të shndërrohet në një Siri në mes të Europës, nëse lufta zgjatet deri vitin e ardhshëm. Kombet e Bashkuara japin alarmin se zgjatja e sulmit rus në këtë vend mund të zhbëjë të gjitha zhvillimet pozitive të 2 dekadave të fundit.

“Deri në 90% e popullsisë rrezikon të bjerë në kufirin e varfërisë ose nën këtë nivel”.

Para nisjes së sulmit rus, vetëm 2% e popullsisë kishin fuqi blerëse me më pak se 5.50 Dollarë në ditë. Ndërsa FMN paralajmëroi se jo vetëm Ukraina por e gjithë ekonomia globale do të vuajë nga kjo luftë. Pasojat negative të luftës, po i ndjejnë që tani civilët e pafajshëm.

Ditët e fundit, artileria dhe avionët rusë po godasin zonat e banuara. Mbrëmjen e të martës, në Kiev hyri në fuqi shtetrrethimi 36 orësh që nuk i lejon qytetarët të dalin nga vendstrehimet. Edhe mëngjesin ditës së 21-të, bombat ruse goditën sërish pallate banimi në kryeqytetin ukrainas, por nuk pati viktima.

Predhat ndaj pallateve të banimit, nën pretekstin e fshehjes së ushtarëve ukrainas, rusët nuk i kanë kursyer ditët e fundit, jo vetëm në Kiev por në gjithë qytetet e mëdhenj. Bombardime edhe në fshatrat pranë Odesës, ku rusët pritet të nisin së shpejti sulmin.

Ekspertët e Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes thanë se rreth 40% e kapacitetit luftarak, të përdorur nga Rusia deri më tani, është shkatërruar ose ka dalë jashtë funksionit.

Ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi disa video, kryesisht nga Hersoni i pushtuar gjatë 24-orëve të fundit, ku tregon shkatërrimet dëmet që i janë shkaktuar ushtrisë ukrainase, por edhe anti-tanket e sofistikuar amerikanë Jevelin të rënë në duart e rusëve.

Deri më tani numërohen mbi 1500 civilë të vrarë, që pas nisjes së sulmit rus në Ukrainë, mes të cilëve 85 fëmijë. Numri i të larguarve të luftës drejt vendeve europiane ka kapërcyer 3 milionë.

“Ka shpresa për kompromis”, Lavrov: Konflikti në Ukrainë do të përcaktojë rendin botëror

Ministri i Jashtëm Rus, Sergei Lavrov ka thënë se konflikti aktual është një moment i rëndësishëm që do të përcaktojë rendin botëror.

Lavrov po ashtu komentoi bisedimet e vazhdueshme të paqes me Ukrainën, duke thënë se negociatat nuk janë të lehta, teksa ka shtuar se ka shpresa për kompromis mes palëve. Lavrov tha se disa marrëveshje janë afër arritjes.

Në një fjalim të mbajtur gjatë natës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se pozicionet negociuese “tingëllojnë më realiste”, në këtë mënyrë duket se ka zhvillime pozitive nga të dyja palët.

Kryeministrat polakë, sllovenë dhe çekë largohen nga Ukraina

Kryeministri i Polonisë, Kryeministri i Sllovenisë dhe Kryeministri i Çekisë janë larguar nga Ukraina dhe kanë mbërritur në Poloni.

Lajmi është konfirmuar nga një zëdhënës i qeverisë polake, që ka bërë të ditur se delegacionet e 3 shteteve janë kthyer të sigurt dhe nuk janë rrezikuar nga luftimet.

Kryeministrat e 3 shteteve udhëtuan të martën drejt Kievit për të treguar mbështetjen e tyre ndaj Ukrainës.

Pavarësisht se forcat ruse nisën sulmet ajrore në kryeqytetin ukrainas, udhëtimi i 3 Kryeministrave u krye me sukses.

Ata udhëtuan nga Varshava drejt Kievit me tren dhe jo me aeroplan ushtarak.

Zelensky u kërkon zyrtarëve të lartë rusë të japin dorëheqjen nga postet

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje drejtpërdrejtë zyrtarëve të lartë rusë dhe figurave të medias që të japin dorëheqjen nga postet e tyre dhe të mbajnë qëndrimin e tyre kundër pushtimit të vendit të tij.

Gjatë një fjalimi, Zelensky iu është drejtuar të gjithë zyrtarëve të Federatës Ruse.

“Nëse qëndroni në detyrë, nëse nuk e kundërshtoni luftën, komuniteti ndërkombëtar do t’ju privojë nga gjithçka. Gjithçka që keni fituar ndër vite”, tha Zelensky.

“E njëjta gjë vlen edhe për sistemin e propagandës. Dega e katërt e pushtetit në Rusi. Nëse qëndroni të punoni për propagandë, ju jeni duke e vënë veten në rrezik shumë më të madh se sa nëse largoheni. Tëhiquni”, shtoi ai.

Ukraina: Kemi vrarë gjeneralin e 4 të Rusisë

Një tjetër gjeneral i ushtrisë ruse është vrarë gjatë luftimeve. Kështu pretendon Ukraina, që thotë se ka vrarë gjeneralin e katërt të Rusisë.

Anton Gerashchenko, këshilltar në Ministrinë e Brendshme të Ukrainës, ka shkruar se forcat ukrainase kanë vrarë gjeneralin Oleg Mityaev gjatë luftimeve intensive në periferi të qytetit Mariupol.

Moska zyrtare nuk ka reaguar ende për këto pretendime të Ukrainës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, gjatë fjalimit mbrëmjen e së martës, deklaroi se një gjeneral tjetër rus ishte vrarë nga ushtria e Ukrainës, por nuk përmendi emrin e tij.

Sipas BBC, mendohet që Rusia të ketë dërguar në Ukrainë rreth 20 gjeneralë majorë që udhëheqin pushtimin.

Johnson: Nuk ka asnjë mënyrë që Ukraina t’i bashkohet së shpejti NATO-s

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi mbrëmjen e së martës se Ukraina mund të heqë dorë për t’iu bashkuar aleancës ushtarake NATO dhe se populli ukrainas duhet ta kuptojë këtë.

Në lidhje me këto komente ka reaguar edhe Kryeministri i Britanisë Boris Johnson, i cili tha për mediat britanike se kjo gjë nuk mund të ndodhë në këto momente.

“Të gjithë e kanë thënë vazhdimisht dhe ne ia kemi bërë të qartë edhe Putinit, se nuk ka asnjë mënyrë që Ukraina të bashkohet se shpejti me NATO-n”, u shpreh ai.

Por Johnson theksoi se ky është vendimi i Ukrainës dhe Presidentit të saj dhe se Britania e Madhe do t’i mbështesë.

Mos anëtarësimi i Ukrainës në NATO është një nga kërkesat e Rusisë. Aktualisht dy shtetet janë në negociata për armëpushim dhe Zelenskyy i konsideroi këto bisedime të fundit si “më realiste”.

Ukraina prej vitesh aspiron të futet në NATO por një veprim i tillë kundërshtohet nga Rusia e cila ka deklaruar se nuk dëshiron që kjo aleancë ushtarake të shtrihet pranë kufijve të saj.

Edhe kafshët po i vuajnë pasojat e luftës, qeni “paralizohet” nga shpërthimi i bombave

Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës ka shpërndarë këtë foto që tregon se edhe kafshët po i  vuajnë pasojat e luftës. Në imazhin e bërë viral duket një burrë në Irpin teksa përpiqet të qetësojë qenin e tij “të paralizuar” nga frika.

Irpin, një lagje në periferi të Kievit, ka përjetuar bombardime shumë të rënda gjatë pushtimit rus.

Ndërkohë duket se bombardimet në kryeqytetin e Kievit po bëhen më sistematike dhe po i afrohen më pranë qendrës, duke synuar apartamente, një stacion nëntokësor dhe vende të tjera civile.

Në një fjalim gjatë natës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se breshëritë goditën katër ndërtesa shumëkatëshe dhe vranë dhjetëra persona.

Bilanc tragjik: 103 fëmijë të vrarë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë

Prokurorja e Përgjithshme në Ukrainë, Iryna Venediktova ka dhënë një përditësim mbi numrin e fëmijëve që kanë mbetur të vrarë që nga fillimi i luftës e deri më tani. Në bilancin tragjik, rezulton se janë 103 fëmijë të vrarë që nga nisja e pushtimit rus në Ukrainë.

“Forcat ruse kanë shënjestruar më shumë se 400 shkolla dhe 59 prej tyre janë shkatërruar”, tha Iryna Venediktova.

Ukraina zgjohet nën alarmin e sirenave të luftës

Ukraina është zgjuar sërish sot në ditën e 21 të sulmit rus nën bombardimet ajrore. Autoritetet e Kievit njoftuan se një ndërtesëbanimi 12-katëshe u godit nga bombardimet ruse rreth orës 6 të mëngjesit. Ndërkohë që edhe një ndërtesë nëntëkatëshe afër saj u dëmtua nga shpërthimi.

Nga këto shpërthime janë lënduar dy persona dhe 35 të tjerë janë evakuar nga ndërtesa, ndërkohë që zjarri u shua në mëngjes dhe ekipet e shpëtimit tani po kërkojnë për të mbijetuar.

Banorët në të gjithë qytetin mbeten të izoluar në bunkerë, në strehimore nën tokë dhe në shtëpitë e tyre, pas shtetrrethimit të nisur që dy ditë. Mediat ndërkombëtare raportojnë se shpërthime janë dëgjuar edhe në Odesa dhe Zaporizhja.

Të paktën 3 helikopterë ushtarakë rusë u shkatërruan në Kherson

Imazhet e reja satelitore nga Planet Labs tregojnë se ushtria ukrainase ka shkatërruar një numër helikopterësh ushtarakë rusë në në Aeroportin Ndërkombëtar Kherson. Një shtëllungë e madhe e zezë tymi shihet duke u ngritur nga aeroporti.

CNN raporton se kjo është goditja më shkatërruese që ushtria ukrainase ka kryer kundër helikopterëve rusë gjatë luftës, ku të paktën 3 të tillë janë shkatërruar. Janë goditur edhe mjete ushtarake që shihen pranë aeroportit.

Një tjetër imazh, i marrë nga një dron mbi fshatin e afërt të Komyshany, tregon gjithashtu shtëllungën e madhe të tymit që ngrihet nga aeroporti. Sulmi ushtarak në aeroport u kap nga NASA-s Fire Information for Resource Management System (FIRMS), i cili gjurmon zjarret e mëdha në mbarë botën.

Jeta triumfon! Një foshnjë lind nën bombardimet në Ukrainë

Anna Tymchenko kishte frikë, vendlindja e saj po bombardohej dhe banesa i dridhej. Ajo ishte në momentet e fundit të shtatzënisë së saj dhe sëbashku me bashkëshortin ishin të bllokuar pa energji elektrike, pa ujë dhe pa mjek.

Qyteti i vogël Bucha, 30 km nga kryeqyteti Kiev është përballur me bombardime të pamëshirshme.

Më herët, Ana sëbashku me bashkëshortin Volodymyr vendosën që të largoheshin me makinë nga Ukraina, por iu desh të ktheheshin pas kur dëgjuan se një kolonë automjetesh ushtarake ruse po shkonte drejt tyre.

“Më pas vendosëm të qëndronim në apartament”, tha Anna 21-vjeçare për BBC.

Kur ajo ndjeu dhimbjet e para të lindjes më 7 Mars, thirri fqinjët e saj për ndihmë. Ata pranuan të vinin, por asnjëri prej tyre nuk kishte përvojë në lindjen e foshnjave.

“Kur doli koka e foshnjës, ne u trembëm. Ajo nuk qau në fillim – ne filluam ta godisnim, dhe më pas ajo qau dhe ne të gjithë brohoritëm”, tha fqinja e saj, Viktoria.

Bombardimet ruse godasin ndërtesat e banimit në Kiev

Në Kiev janë dëgjuar shpërthime këtë mëngjes, sipas raportimeve në rrjetet sociale.

Shërbimet e urgjencës së kryeqytetit të Ukrainës thonë se një ndërtesë banimi 12-katëshe në lagjen Shevchenko u godit nga bombardimet ruse rreth orës 6 të mëngjesit. Autoritetet thonë se një ndërtesë nëntëkatëshe u dëmtua gjithashtu.

Sipas raportimeve, 2 persona janë lënduar dhe 35 janë evakuuar nga ndërtesa. Zjarri u shua në orën 07:45 dhe ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar për persona të mbijetuar.  Videot e shpërndara më herët në mediat sociale treguan shtëllunga të mëdha tymi që dilnin në ajër nga ndërtesat.

Zyrtarët kanë paralajmëruar se është një moment i vështirë dhe i rrezikshëm për kryeqytetin.

Zelensky: Bisedimet e paqes duken më realiste

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky është shprehur se bisedimet e paqes me Rusinë kanë filluar të duken më realiste, por duhet ende kohë për të arritur një përparim.

Në videon e publikuar së fundmi, ai tha se fitorja ndaj Rusisë do të kërkonte punën e të gjithë qytetarëve ukrainas, përfshirë ekipin negociator që mban bisedime përmes Zoom.

Rusia ka vazhduar të bëjë presion ndaj Ukrainës që të heqë dorë zyrtarisht nga çdo synim për t’u bashkuar me NATO-n dhe të njohë zyrtarisht provincat separatiste Donetsk, Luhansk dhe Krime.

Bisedimet do të vazhdojnë ditën e sotme.

REDAKSIA TVKLAN.AL