◾Zelenskyy video-mesazh në Parlamentin e Izraelit: Ne duam të jetojmë, por fqinjët tanë na duan të vdekur

◾Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje sërish për bisedime paqeje me Rusinë dhe ka dënuar “krimet e luftës” në Mariupol, të cilat sipas tij do të mbahen mend me shekuj.

◾Zyrtarët e Mariupolit thonë se mijëra banorë të evakuuar janë dërguar me forcë në Rusi gjatë javës së kaluar.

◾Më shumë se 6,000 njerëz u evakuuan ditën e djeshme pas marrëveshjes për korridoret humanitare me Rusinë, sipas zëvendëskryeministrit ukrainas. Këtu përfshihen më shumë se 4000 njerëz nga Mariupol-i.

◾Dje, u konfirmua se një raketë ruse goditi një kazermë ushtarake në qytetin jugor të Mykolaiv, ku flinin 200 ushtarë.

◾Sipas OKB-së, të paktën 847 civilë ukrainas, duke përfshirë 64 fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i luftës.

◾Rreth 3.3 milionë refugjatë ukrainas janë larguar nga vendi i tyre deri më tani, më shumë se dy milionë prej të cilëve kanë hyrë në Poloni.

Zelenskyy: Ne duam të jetojmë, por fqinjët tanë na duan të vdekur

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy iu drejtua me një mesazh Parlamentit të Izraelit, duke i kërkuar që të ndihmojnë popullin ukrainas.

Gjatë fjalës së tij, Zelenskyy tha se “ne duam të jetojmë, por fqinjët tanë duan të na shohin të vdekur”, duke cituar kështu fjalët e Kryeministres së ndjerë izraelite, Golda Meir.

“Ne jemi të përgatitur për kompromis”, shtoi Zelenskyy duke iu referuar luftës me Rusinë.

Presidenti ukrainas i kërkoi Izraelit që të furnizojë me armë Ukrainën, duke shtuar se izraelitët kanë mbrojtjet ajrore më të mirë në botë.

“Ju mund të ndihmoni njerëzit tanë, të shpëtoni jetën e ukrainasve”, tha ai.

Rusia konfirmon vrasjen e oficerit të lartë të marinës ruse

Rusia ka konfirmuar vdekjen e zëvendëskomandantit të flotës ruse, kapiteni i rangut të parë, Andrei Paly. Ai vdiq gjatë luftimeve në Mariupol.

Ukraina kishte raportuar më herët se kishte vrarë oficerin e lartë rus. Më vonë, një senator rus nga Sevastopoli bëri të ditur përmes një postim në rrjetet sociale se Andrei Paly vdiq gjatë luftimeve për Mariupolin.

Në Mariupol vazhdojnë luftimet e ashpra mes forcave ruse dhe ukrainase.

Ukraina ka raportuar se ka vrarë pesë gjeneralë rusë që kur nisi pushtimi nga Rusia. Ndërsa Moska ka konfirmuar vetëm një nga këto viktima.

Rusia lëshon një tjetër raketë hipersonike

Rusia pretendon se ka përdorur një tjetër raketë hipersonike për të goditur bazat e Ukrainës.

Arma e njohur si Kinzhal goditi një depo karburanti pranë portit Mykolaiv në Detin e Zi. Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Kjo është dita e dytë radhazi që Rusia thotë se ka përdorur raketë hipersonike që ka aftësinë të godasë objektivat deri në 1250 milje larg me shpejtësi 10 herë më të madhe se shpejtësia e zërit.

Një ditë më parë ushtria ruse njoftoi përdorimin për herë të parë të raketës supersonike në luftën me Ukrainën për të shkatërruar një depo municioni në malet Karpate.

OKB: Të paktën 902 civilë të vrarë në Ukrainë

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut thotë se të paktën 902 civilë janë vrarë në Ukrainë nga 24 Shkurti deri në mesnatën e 19 Marsit. 1,459 persona të tjerë janë plagosur, kryesisht nga sulmet ajrore.

Megjithatë, numri i vërtetë i vdekjeve ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.

Më herët, zëvendëskryeministri i Ukrainës tha për Sky Neës se numri i vdekjeve të civilëve është “shumë më i madh se ato nga forcat e armatosura të Ukrainës”.

Në qytetin e rrethuar të Mariupolit, vlerësohet se 2,400 njerëz kanë vdekur që nga fillimi i pushtimit, megjithëse nuk është e qartë se sa prej tyre janë civilë.

Ministri britanik: Inkurajues fillimi i bisedimeve të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës

Ministri i Financave i Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se shenjat e bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës janë inkurajuese, por duhet të trajtohen me njëfarë skepticizmi.

Duke folur për Sky News, Sunak tha se çdo zgjidhje e mundshme midis Moskës dhe Kievit “duhet të jetë sipas kushteve të Ukrainës”.

Sunak nuk përjashtoi mundësinë që Mbretëria e Bashkuar të veprojë si garantuese e ndonjë marrëveshjeje të mundshme paqeje midis dy vendeve, por tha se është shumë herët për të hyrë në formën e ndonjë marrëveshjeje.

Ai tha gjithashtu se rreth 10,000 refugjatë ukrainas u janë dhënë viza për të ardhur në Mbretërinë e Bashkuar.

Rusia: Dhjetëra mercenarë janë vrarë në sulm me raketa

Ministria Ruse e Mbrojtjes thotë se ka vrarë dhjetëra mercenarë në një sulm me raketa në një qendër trajnimi në Ukrainën perëndimore, ka raportuar Agjencia Shtetërore e Lajmeve RIA.

Gjeneral Major Igor Konashenkov, një zëdhënës i ministrisë, tha se më shumë se 100 trupa ukrainase dhe mercenarë të huaj mbetën të vranë kur një raketë me precizion të lartë goditi një bazë ukrainase pranë Ovruch në Zhytomyr Oblast.

“Raketat e lëshuara nga ajri me precizion të lartë goditën qendrën e trajnimit për forcat e operacioneve speciale të forcave të armatosura ukrainase, ku ishin vendosur mercenarët e huaj që mbërritën në Ukrainë,” tha Konashenkov.

Rusia lëshon raketa nga anijet në Detin e Zi dhe Detin Kaspik

Ministria Ruse e Mbrojtjes pretendon se ka lëshuar raketa në Ukrainë nga anijet në Detin e Zi dhe Detin Kaspik këtë fundjavë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov shtoi se Rusia kishte lëshuar raketa hipersonike duke shënjestruar infrastrukturën ushtarake të Ukrainës.

“Raketat Kalibr u lëshuan nga ujërat e Detit të Zi kundër uzinës Nizhyn që riparon automjetet e blinduara ukrainase të dëmtuara në luftime,” tha Konashenkov.

“Raketa të tjera, duke përfshirë raketat hipersonike Kinzhal, u lëshuan nga Krimea për të shkatërruar një strukturë magazinimi karburanti të përdorur nga Ukraina, shtoi ai.

Moska gjithashtu pretendon se ka goditur një qendër përgatitore ushtarake ukrainase, ku ishin vendosur luftëtarët e huaj që bashkoheshin me forcat e Kievit. Ndërkohë, Rusia vazhdon të mohojë pretendimet perëndimore se po synon zonat civile.

Ukraina: Rusia po bllokon ndihmën humanitare

Në raportimin e mëngjesit mbi situatën e luftës, forcat e armatosura ukrainase kanë akuzuar Rusinë për “krijimin e qëllimshëm të kushteve për një krizë humanitare” në zonat e pushtuara.

Në deklaratë thuhet se Rusia nuk ka lejuar lëvizjen e autokolonës humanitare ndërsa u përpoq të kalonte në rajonin jugor të Khersonit, i cili ka qenë nën pushtimin rus prej ditësh.

Ukraina shtoi se Moska nuk kreu operacione sulmuese të vazhdueshme të shtunën, sepse ishte duke u fokusuar në zëvendësimin e humbjeve aktuale dhe rivendosjen e pajisjeve të dëmtuara.

Foshnjat jetime evakuohen nga Sumy

Autoritetet ukrainase thonë se kanë arritur të transferojnë 71 fëmijë nga një jetimore në Sumy në një zonë më të sigurt. Foshnjat ishin strehuar në një bunker gjatë javëve të fundit.

Trupat ruse kanë rrethuar qytetin në veri-lindje dhe ka pasur bombardime këtë javë.

“Me mundësinë e parë për t’u evakuuar përmes korridorit humanitar, ne i morëm fëmijët nga jetimorja e specializuar në zonën e luftimit,” tha Dmytro Zhyvytskyi, guvernatori i rajonit.

Ai ka shpërndarë foto të fëmijëve në Facebook.

“Këta janë fëmijë që nuk kanë prindër (për arsye të ndryshme) dhe shumica e tyre kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm mjekësor”.

Ai tha se disa mbetën nën kujdesin e stafit të spitalit.

Bombardohet shkolla e artit në Mariupol

Këshilli i qytetit të Mariupolit pretendon se trupat ruse kanë bombarduar një shkollë arti në qytetin jugor të rrethuar, ku 400 njerëz po strehoheshin nga lufta. Zyrtarët thonë se ndërtesa u shkatërrua të shtunën mbrëma dhe njerëzit kanë ngecur nën rrënoja. Mësohet se brenda ishin strehuar gra, fëmijë dhe të moshuar.

Akoma nuk dihet nëse ka viktima.

Ky sulm pason bombardimin e një teatri në Mariupol javën e kaluar, i cili la qindra njerëz të bllokuar nën rrënoja në një strehë bodrumi.

Mariupol është përballur me disa nga bombardimet më të këqija të luftës me Rusinë, me mijëra të tjerë të mbetur pa akses në energji elektrike dhe ujë për ditë të tëra.

Mësohet se më shumë se 2,400 njerëz janë vrarë në qytet.

Zelensky: Në Mariupol po kryhen krime lufte

“Në qytetin e rrethuar të Mariupolit po kryhen akte terrori dhe krime lufte që do të mbahen mend gjatë.”

Keshtu deklaron Presidenti ukrainas Volodymir Zelenski i cili permes nje video-mesazhi deklaron se: T’ia bësh këtë një qyteti paqësor, atë që pushtuesit e bënë, është terror që do të mbahet mend për shekuj me radhë”.

Ai u tha ukrainasve se negociatat me rusët nuk janë “as të thjeshta as të këndshme, por janë të nevojshme”.

Qyteti-port i Mariupolit është rrethuar nga trupat ruse dhe banorët e mbetur të bllokuar kanë mungesa të mëdha të ujit dhe ushqimit, teksa janë përballur me bombardime të vazhdueshme. Të shtunën u raportua se trupat ruse kanë depërtuar brenda qytetit dhe se pati luftime edhe në qendër të këtij qyteti.

REDAKSIA TVKLAN.AL