Turqia i ka dhënë lamtumirën e fundit këtë të hënë futbollistit çek të ekipit Alanyaspor në Superligë, Josef Sural.

Sural ishte në mesin e 7 futbollistëve të Alanyaspor që ndodheshin në furgonin që u përmbys gjatë rrugës së kthimit nga transferta me Kayserispor mbrëmjen e së dielës.  6 futbollistët e tjerë mbijetuan të plagosur, ndërsa futbollisti 28-vjeçar i Kombëtares çeke nuk arriti t’u mbijetojë plagëve në kokë.

Në nder të Sural, Alanyaspor organizoi një ceremoni lamtumire të fundit në fushën stërvitore, ku shokët e skuadrës, mes të cilëve edhe nga ata që i mbijetuan aksidentit, nuk i mbajtën dot lotët.

Vdekja e futbollistit tronditi thellë opinionin publik turk. Në ceremoninë për nder të futbollistit, përveç zyrtarëve të shumtë lokalë, mori pjesë edhe ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Cavusoglu.

Nuk do të harrojmë kurrë

”, shkruhej në një poster të madh vendosur pas trupit të të riut, ku të gjithë vendosë karafila të kuq.

Shkak për aksidentin që i kushtoi jetën futbollistit besohet të jetë bërë përgjumja e shoferit të furgonit privat, të cilin futbollistët e kishin kaparuar për t’u kthyer në Alanya pas sfidës në Kayseri. Aksidenti ndodhi rreth 5 km pa hyrë në qytet. Policia ka arrestuar shoferin dhe ka marrë në pyetje ndihmës shoferin, i cili po ashtu dyshohet se ishte përgjumur.

Pas ceremonisë në Alanya, trupi i Sural u dërgua në Republikën Çeke, ku edhe do t’i jepet lamtumira e fundit nga të afërm dhe kolegë. /tvklan.al