18 Korriku ishte dita e Kosovës në Bruksel. Një delegacion kosovar me kryeministrin, Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli e disa ministra u takua me të ngarkuarën e BE-së për politikën e Jashtme, Federica Mogherini. Më pas u zhvillua takimi i presidentit Thaçi me presidentin serb, Aleksander Vuçiq, i cili nuk solli asnjë rezultat.

“Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura për liberalizim”

Po të mërkurën në orët e mbasdites u bë publik vlerësimi pozitiv i Komisionit Europian për liberalizimin e vizave të BE me Kosovën. Në prani të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, komisioneri europian për Migracionin, Dimitris Avramopoulos dha vlerësimin pozitiv për liberalizimin e vizave. Jam i kënaqur tha ai, që t’iu njoftoj për punën e mirë që ka bërë Presidenti dhe ministrat. „Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura për liberalizim.”

Ajo që mbetet tani është vendimi i Parlamentit Europian dhe Këshillit të Ministrave të BE-së që ta pranoj dhe përmbyllë këtë vlerësim pozitiv, tha Avramopoulos. Parlamenti Europian pritet të vendosë në fund të gushtit për liberalizimin. Komisioneri Avramopoulos u shpreh se „ky është hapi i parë për liberalizimin e vizave, ne do të dërgojmë tani vlerësimet tona në institucionet e tjera të BE-së. Por së bashku do të kalojmë edhe sfidat e fundit të liberalizimit.„Sa më parë të kryhen këto detyra, aq më shpejt do të munden qytetarët e Kosovës të lë vizin pa viza.

Kemi kryer detyrimet në një kohë të vështirë

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili takua të mërkurën edhe me presidentin Vuçiq në Bruksel, në një takim pa rezultate, theksoi rëndësinë  e kësaj dite për popullin e Kosovës. Ky është një lajm nga më të mirët në dekadat e fundit, tha ai. Thaçi falënderoi Avramopoulo për mbështetjen në këtë rrugëtim jo të lehtë për Kosovën, siç tha ai. „Ky është një hap shumë i rëndësishëm në integrimet për në BE. Ne kemi plotësuar të gjitha kriteret dhe ka qenë e merituar duke kryer detyrimet në një kohë të vështirë.”

Presidenti i Kosovës, theksoi se kjo arritje e Kosovës ishte falë unitetit dhe punës së përbashkët. „Vetëm të bashkuar do të arrijmë edhe qëllimet e tjera.” Thaçi theksoi se  jemi partnerë në sfidat e BE-së, dhe jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi./DW