Këtë 1 qershor, Tirana do të shndërrohet në një qytet festiv, ndërsa makinat do t’ia lënë vendin më të vegjëlve për të luajtur dhe argëtuar në ditën e tyre. Më rastin e 1 Qershorit, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh që fillojnë në orën 9 të mëngjesit, për të vijuar deri në orët e pasdites, ndërsa në gjithë qendrën e Tiranës ku do të shtrihen këto organizime nuk do të lejohet qarkullimi i makinave.

Atmosfera festive do të ndihet kudo, ndërkohë që fëmijët do të mund të bëhen pjesë e aktiviteve në sheshin “Skënderbej”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza”, tek Kodrat e Liqenit Artificial, si dhe tek fushat multisportive.

Për të nxitur aftësitë kreative të fëmijëve, por edhe pasionet e tyre, vjen Cooking Zone, që u mundëson të vegjëlve të njihen me vlerat ushqyese të frutave dhe perimeve, dhe shijet e ndryshme.

Po kështu, hapësirë do t’i kushtohet edhe aftësive sipërmarrëse të fëmijëve. Përmes aktiviteteve të ndryshme, fëmijët do të vihen në rolin e “biznesmenëve” duke nxjerrë në shitje lodrat e tyre që nuk i përdorin më. Për të gjithë fëmijët e apasionuar pas sporteve, Bashkia e Tiranës në kuadër të ditës së 1 Qershorit ka organizuar një sërë aktivitetesh sportive, duke i nxitur ata që t’i japin larmishmëri përditshmërisë së tyre.

Padyshim, në këtë ditë të veçantë për fëmijët nuk mund të mungonin lojëra të ndryshme tradicionale, ku ndër të tjera të vegjlit do të mund të ngrejnë balonat e tyre, një aktivitet shumë i dashur për ta. Aktivitetet e 1 Qershorit përfshijnë edhe xhirot me biçikleta, ekspozitat e ndryshme, si dhe panairet me temë mjedisin.

Për artdashësit e vegjël do të përformohet muzikë, balet, performanca artistike nga qendra të ndryshme kulturore dhe nxenës të shkollave, si dhe do të vihen në skenë disa shfaqje teatrale.

Bashkia e Tiranës në këtë 1 Qershor fton të gjithë të vegjlit që të festojnë së bashku, mes lodrave, argëtimit, dhe aktiviteteve frytdhënëse./tvklan.al