Kthimi nga festimi i ditëlindjes së një prej vajzave rezultoi tragjik për familjen Bibaj, 3 anëtarë të së cilës humbën jetën kur automjeti me të cilin ktheheshin nga Elbasani humbi kontrollin në rrethrrotullimin e TEG-ut rreth orës 1 pas mesnate.

Viktimat janë Florida Bibaj, 22 vjeç dhe dy prindërit e saj Bardhok Bibaj, 62 vjeç dhe Valentina Bibaj, 54  vjeçe, nga Mirdita. E plagosur rëndë mbeti vajza tjetër e çiftit, Xhuljana Bibaj, 26 vjeç dhe shoferi i automjetit, Arlintin Alia, i afërm i familjes.

“Makina me të cilën udhëtonte familja Bibaj nga Elbasani me destinacion Tiranën fillimisht është përplasur me bordurën e rrethrrotullimit tëTEG-ut dhe pasi ka përshkruar të gjithë rrethrotullimin është përplasur me bordurën e rrugës”.

Shenjat e frenimit mbi rrethrrotullim tregojnë se drejtuesi i makinës kishte tentuar të mbante nën kontroll automjetin, por shpejtësia mbi normat e ka bërë të pamundur futjen në trajektoren e rrugës.

“Pas përplasjes së dytë, makina është rrotulluar për më shumë se 30 metra duke ndaluar pranë vijës ndarëse të rrugës që lidh Elbasanin me Tiranën”.

Me rëndësi për të zbardhur dinamikën e aksidentit do jetë dëshmia e dy të plagosurve që po marrin trajtim në Spitalin e Traumës.

Nuk përjashtohet që drejtuesi i mjetit BMW të ketë qenë nën efektin e alkoolit ose të ketë pësuar një përgjumje pak minuta para aksidentit.

Tv Klan