Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Projekti i miratuar nga Ministria e Kulturës Rinis dhe Sporteve, për ditët e trashëgimisë kulturore, këtë vit ka ndryshuar. Me një fond prej dy milion lekë të reja është vendosur që qyteti që do të festojë të jetë Tirana. Dita e Trashëgimisë Kulturore, është një ceremoni që zhvillohet në të gjithë Europën, ku çdo shtet zgjedh një datë të caktuar për të pasqyruar vlerat kulturore të tij.

Në lidhje me projektin e këtij viti, drejtori i trashëgimisë kulturore Artan Lame shpjegon:

Artan Lame:- “Për këtë vit ne ditët e trashëgimisë kulturore, vendosëm t’i bëjmë në Tiranë, duke u munduar të dalim disi nga ajo tematika e zakonshme e restaurimeve të arkitekturës mesjetare. Në kuadrin e këshillave të Këshillit të Europës, për zgjerimin e hapësirës të asaj çka quhet trashëgimi kulturore, ne vendosëm të fusim restaurimin e qendrës së Tiranës, që është arkitekturë moderne, e fillimit të viteve 30 të këtij shekulli dhe disa manifestime që bëjnë pjesë në trashëgimi të shtetit shqiptar”.

Përveç këtyre aktiviteteve në ditën e trashëgimisë, e cila është vendosur të jetë 27 Shtatori, do të hapet edhe ekspozita e Tiranës së vjetër, e cila bëhet për herë të parë./tvklan.al