Pas më shumë se 1 viti mbyllje, i riu performoi në temperatura nën zero

Një dj francez i quajtur Teho ka gjetur vend të pazakontë për t’i dhënë fund pauzës së tij pandemike. Ai zgjodhi Alpet Zvicerane për të performuar.

Teho guxoi që të realizonte muzikë me temperatura nën zero në majën 3000 metra të lartë në Scex Rouge, një mal në Zvicrën jug-perëndimore. Ai gjithashtu kapërceu frikën e tij nga lartësitë.

“Unë jam pak i frikësuar nga lartësitë , kështu që momentet e para në skenë, pa ndonjë pengesë mbrojtëse, ishin vërtet  speciale ,  derisa arrita të shikoja plotësisht pamjen. Sapo fillova të luaja, shpejt, u ndjeva i qetë, kështu që isha në gjendje ta shijoja plotësisht momentin”, është shprehur dj Teho.

DJ nga Montpellier në Francë tha se ai kurrë nuk kishte performuar në një vend kaq të pazakontë, i rrethuar nga malet Matterhorn, Mont Blanc dhe Eiger.

Në fakt ai nuk ka qenë në gjendje të performojë në publik gjatë gjithë vitit të fundit për shkak të kufizimeve të pandemisë. Performanca e tij  u organizua nga Le Cercle, një kompani livestream që filmon dhe transmeton performanca të drejtpërdrejta DJ në vende të pazakonta.

Nuk është hera e parë që resorti Glacier organizon ngjarje artistike për të promovuar zonën e skive dhe malet përreth. Vitin e kaluar akrobati zviceran Freddy Nock eci përgjatë telit të teleferikut deri në majë, duke bërë një pjesë të udhëtimit me sy të lidhur.

Klan News