Shqetësimit të zonjës së ardhur në studion e emisionit “Historia Ime” në “Tv Klan” i shtohet edhe djali i saj 15-vjeçar.

Zonja ka vënë re se për shkak të modelit të të atit, ai tërhiqet nga lojërat e fatit. Sigurisht, për shkak të mbylljes së kazinove dhe basteve sportive, por edhe moshës së vogël që nuk ia lejon hyrjen në ambiente të tilla, ai nuk frekuenton dot një kazino të mirëfilltë.

Por, i pëlqen të luajë videolojëra me baste, bilardo, shpesh duke lënë edhe orët e mësimit.

Ajo është përpjekur të flasë me të birin dhe e ka gjetur në ambiente të tilla, njësoj siç gjente të atin e tij në sallat e lojërave të fatit, duke parë kështu, një histori të përsëritur.

Mirela Milori: Duket se ka çfarë, luan?

Zonja X: I pëlqen.

Mirela Milori: I pëlqen të luajë, por çfarë? Të vërë loto, baste apo skedina?

Zonja X: Jo, jo, jo skedina. Shkon të luajë videolojëra me lekë.

Mirela Milori: Bën videolojëra me lekë, me baste.

Zonja X: Po, po ose në bilardo. Ka lënë edhe orët e mësimit për të luajtur bilardo.

Mirela Milori: Po ti, ke folur me të?

Zonja X: Po, madje pardje më mori mësuesja e më tha që “djali nuk ka ardhur në shkollë, është në bilardo?” U shkëputa nga puna dhe shkova. Ai nuk kishte shkuar fare në shkollë.

Mirela Milori: Shkove e gjete në bilardo?

Zonja X: Po.

Mirela Milori: E çfarë tha kur të pa?

Zonja X: I thashë “pse nuk ke shkuar në shkollë?”, më tha “nuk kishin ardhur shokët dhe nuk kisha ç’të bëja”. Edhe ai kur ka lekë në dorë, e ka pak qejf.

Mirela Milori: Të shqetëson kjo gjë?

Zonja X: Shumë. Më shumë më shqetëson djali. /tvklan.al