Krimi brenda familjes i ndodhur në Dukas të Patosit ku djali ka plagosur me thikë nënën e tij 50-vjeçare ka tronditur banorët që jetojnë në këtë zonë.

Për Klan News, ata rrëfejnë se djali ka qenë emigrant në Gjermani ku punonte në periudha të caktuara dhe vinte sërish në Shqipëri. Banorët po ashtu thonë se në familjen ku ndodhi krimi nuk ka pasur debate teksa thonë fjalët më të mira për djalin që kreu ngjarjen.

“Familje e shkëlqyer. Kaq mund të themi ne. Punonte jashtë shtetit djali në emigrim, vinte e ikte. Nuk kanë pasur debate më përpara, djalë i shkëlqyer”, tregon banori.

Një banore tjetër tregon se 50-vjeçares që u godit mëngjesin e sotëm nga i biri, i ka vdekur bashkëshorti që në moshën 37-vjeçare dhe i ka rritur me sakrifica fëmijët e saj teksa shton se familja ishte e qetë dhe nuk kanë pasur debate.

“Absolutisht, absolutisht. Atë e kishte kapur Covid, kishte një kollë kështu dhe e kishte kaluar. Mbase ka pasur ndonjë gjë nga Covid, nuk di çfarë të them. Ishte familja më e mirë dhe më e qetë. Nuk ka pasur debate, unë e kam këtu derë për derë. I ka vdekur burri që 37 vjeç, mezi i rriti këta fëmijë. Grua e shkëlqyer dhe fëmijët aq të shkëlqyer, nuk di se çfarë të them”, shprehet banorja.

Autori, djali i saj, u arratis por u kap vetëm pas pak minutash nga policia. 30-vjeçari K.Ç. u shoqërua për në komisariat për veprime të mëtejshme. Ndërkohë grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./tvklan.al