Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e vështirë të një familjeje. Manjola është nënë e tre fëmijëve dhe ajo jeton në shtëpi së bashku me vjehrrën e saj. Bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë para një viti, si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Vjehrra e saj rrëfeu mes lotësh se gjendja shëndetësore e djalit të saj u përkeqësua pasi hoqi një dhëmballë. Ai pësoi enjtje në fytyrë dhe filloi të kishte probleme me dëgjimin dhe shikimin.

Gjendja u përkeqësua me kalimin e ditëve dhe në 19 Prill 2019, djali i saj ndërroi jetë.

Por vështirësitë për familjen vazhduan edhe më tej, pasi mbesa e saj kishte probleme me veshkat dhe duhet urgjentisht t’i nënshtrohej një operacioni. Fatmirësisht operacioni rezultoi me sukses dhe sot Nertila gëzon shëndet të plotë.

Gazetarja: Prej tetë vitesh jetoni në Pogradec. Po më parë ku keni jetuar?

Gjyshja: Ne kemi jetuar në Librazhd. Ikëm se kishim çunin sëmurë dhe erdhëm këtu në Pogradec. Djali më hoqi një dhëmballë dhe nga ajo dhëmballë nuk u shërua asnjëherë. E operuan, hoqi nofullën, u enjt, u bë çfarë të të them, nuk shikohej me sy. Nga veshët nuk dëgjonte, nga sytë nuk shikonte, u verbua. As hante, as pinte. Dhëmballa i doli me kancer. Ai sa nuk kishte hequr dhëmballën ishte mirë. Djali më ka vdekur në 19 Prill 2019. E la një vit. Në të njëjtën kohë që kisha djalin keq shtrirë, që nuk ngriheshe fare, unë kisha dhe Nertilën të sëmurë. Një vit e gjysmë kam ndenjur unë në spital. Me Nertilën kemi vuajtur shumë, derisa u operua dhe shyqyr spitali bëri një mrekulli për neve, se çupa do të kishte vdekur. Do të kishte vdekur para djalit.

Gazetarja: Çfarë ke një dëshirë apo një peng, apo një kërkesë?

Gjyshja: A moj bijë e nënës, kërkesë? Një shtëpi për këta fëmijë, të siguroj këta fëmijë se unë e ikur jam. Unë jam 72 vjeç, por për këta fëmijë jam e përvëluar./tvklan.al