Djali i presidentit të zgjedhur të Joe Biden, Hunter, është vendosur nën hetim në lidhje me taksat. Hetimi po kryhet nga prokurorët federalë në Delaware. Mediat amerikane citojnë burime se kjo lidhet me marrëdhëniet e biznesit me vendet e huaja, përfshirë Kinën.

Hunter Biden nëpërmjet një postimi në Twitter është shprehur se nuk ka kryer asnjë gjë të paligjshme. Në një deklaratë të bërë nga ekipi i Biden thuhet se Hunter përgjatë këtyre viteve është përballur me shumë sfida përfshirë edhe sulmet që presidenti Trump ka drejtuar ndaj tij.

Raportet thonë se hetimi filloi në 2018, para se Joe Biden të bënte të ditur kandidaturën e tij për president. Hunter Biden ishte një shënjestër e republikanëve gjatë fushatës zgjedhore 2020, duke u përqendruar në marrëdhëniet e tij të biznesit në Ukrainë dhe Kinë kur Joe Biden ishte nën president në administratën e Barack Obama.

Hetimi i ri në çështjet e taksave të Hunter Biden vjen ndërsa i ati pritet të marrë detyrën në 20 Janar. Nëse republikanët mbajnë kontrollin e Senatit të SHBA, do të mbahen seanca të posaçme në lidhje me financat e Hunter dhe nëse vërtetohen atëherë çështja do të shkojë në Gjykatë.

Në vitin 2013, Hunter fluturoi në bordin e Air Force Two me babanë e tij, për një vizitë zyrtare në Pekin, ku u takua me bankierin e investimeve Jonathan Li. Pas vizitës 12 ditore Hunter në atë kohë u vendos anëtar i bordit i kompanisë së investimeve BHR Partners. Sipas mediave amerikane BHR mbështet disa prej bankave më të mëdha shtetërore të Kinës dhe qeveritë lokale. Hunter dha dorëheqjen nga bordi i BHR në Prill 2020, si dhe mbajti 10% të aksioneve të  BHR.

Fox News në atë kohë zbuloi një marrëveshje të bërë nga Hunter me një firmë  të madhe private të energjisë në Kinë. New York Post në vitin 2017 publikoi një artikull ku tregohej se Hunter Biden merrte  një tarifë vjetore prej 10 milion dollarë nga një miliarder kinez për të prezantuar biznese nga më të ndryshmet. Të tilla akuza Hunter i ka mohuar prej kohësh.

Klan Plus