Një baba 50-vjeçar i dy fëmijëve ka ardhur në emisionin “Historia Ime” në Tv Klan për të treguar rrëfimin e tij. Ai vjen nga qyteti i Korçës, ku jeton në një dhomë konvikti me fëmijët dhe bashkëshorten.

Djemtë janë të moshave 26 dhe 16 vjeç. Djali i madh është i martuar, ndërsa i vogli, është diagnostikuar me epilepsi kur ishte vetëm 1 vjeç. Që në momentin e diagnostikimit, djali u kategorizua si përfitues i kempit. Ngjarja e djalit solli një rëndim të gjendjes së bashkëshortes nga ankthi në depresion. Aktualisht, ajo merr mjekime dhe është disi në gjendje të kujdeset për veten, por jo tërësisht.

Në Janar të këtij viti, djalit i kanë prerë kempin pasi i kanë thënë se del pa kategori. Familja jeton me 10.500 lekë në muaj që i përfiton nga kempi i bashkëshortes, ndërsa zotëria edhe pse është kujdestar i tyre, nuk përfiton asnjë pension. Kërkesa e tij është një mundësi më e mirë strehimi për familjen e tij dhe një ndihmë financiare që ta ndihmojë disi për shpenzimet pasi nuk është në gjendje të punojë për shkak të një sëmundjeje me zemrën.

Mirela Milori: Djali në çfarë gjendje është tani?

Zotëria: Djali është në gjendje të mirë po t’i marrim ilaçet. Nëse nuk ia marrim, e zë sërish sëmundja.

Mirela Milori: Sa vite ka qenë në kemp?

Zotëria: Djali ka rreth 15 vjet në kemp.

Mirela Milori: Vazhdon ta ketë kempin djali?

Zotëria: Jo, ia prenë në muajin Janar të këtij viti.

Mirela Milori: Pse?

Zotëria: Ma nxjerrin pa grup.

Mirela Milori: Si pa grup?

Zotëria: Unë e kisha me grup të dytë, tani thonë e ke pa grup. Kam bërë një kërkesë prej gjashtë muajsh për kemp epror, nuk më kanë thirrur akoma të më thonë ç’do bëhet me djalin se dy veta të sëmurë, unë i tretë, me 10.500 lekë duhet të marrim ilaçe.

Mirela Milori: Për gruan merr kemp?

Zotëria: Nusja i merr 10.500.

Mirela Milori: Ti sa vjet punë ke?

Zotëria: Unë kam rreth 20 vjet punë.

Mirela Milori: Ti nuk shkon në punë se kujdesesh për këta të dy?

Zotëria: Jo, plus jam edhe vetë i sëmurë, s’punoj dot.

Mirela Milori: Ke shkuar për kemp për vete?

Zotëria: Kam shkuar dy herë në QSUT për të bërë një koronare, por akoma nuk po ma bëjnë. Kam për të shkuar sërish në datën 8, por nuk e di a do të kryhet.

Mirela Milori: Mjeku i familjes ju ka pajisur me letrat për djalin?

Zotëria: Kur shkova të merrja vërtetimin që mund të merret vetëm në Bashki, më thanë që djali yt është pa grup.

Mirela Milori: Ti merr një pagesë si kujdestar i djalit apo i gruas?

Zotëria: Jo, as të nuses, as të djalit.

Mirela Milori: Të kanë thënë që duhet të bësh dokumentet?

Zotëria: Fare. Më kanë thënë që nuk e përfitoj.

/tvklan.al