Tashmë, “Ka Një Mesazh Për Ty” është zhvendosur nga shtëpia e dikurshme e Anxhelës tek “Bregu i Lumit” në lagjen “Ali Demi”. Në këtë lagje, Marsi dhe Ledioni, dy njerëzit që shpëtuan Anxhelën nga gjendja e mëparshme, gjetën një shtëpi për të, bashkëshortin dhe 5 fëmijët e saj, të cilës i paguajnë qeranë dhe faturat. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi dhe Anxhela sot gjendet sërish në vështirësi, por rrethanat i sqaron gjatë rubrikës nga “E diela shqiptare”  në Tv Klan.

Ardit Gjebrea: Të bëra një pyetje dhe të thashë e kishe menduar ndonjëherë që të ikje nga rruga, të ikje nga kazanët, të gjeje një punë dhe Marsi të gjeti një punë.

Anxhela: Më gjeti një punë Marsi, si më solli këtu, si vazhdoi ca jeta.

Ardit Gjebrea: Ajo donte të të fuste në një punë, ty, bashkëshortin, fëmijët nëpër shkolla, një jetë e cila do të të jepte çdo mundësi që ti të realizoje një ëndërr. Madje unë di që të ka bërë edhe pasaportizimin.

Anxhela: Po, më solli pasaportizimin këtu që të mund të fusnim në shkollë kalamajtë. Nuk donin të m’i fusnin në shkollë.

Ardit Gjebrea: I bënë të gjitha?

Anxhela: Po, i bënë të gjitha, mori një gazetë “Çelësi”, kontaktoi me telefonin e saj për punë, më gjeti, jo se nuk isha dakord, vazhdova dy javë në punë. Por më ndodhi fatkeqësia e çunit që m’u sëmur me hemorragji të paparë.

Ardit Gjebrea: Po çfarë kishte?

Anxhela: Hemorragji nga goja, nga hundët.

Ardit Gjebrea: Pse?

Anxhela: As unë nuk e kuptoj dhe sot e kësaj dite pse-në nuk e gjeti spitali.

Ardit Gjebrea: Tani, prej shëndetit të fëmijës ti e le punën dhe u riktheve…

Anxhela: Po, përsëri te kjo puna ku isha dhe jam akoma që po vazhdoj në këtë situatë.

Kjo situatë nuk ishte e lehtë për t’u pranuar nga Marsi e Ledioni që kishin bërë çdo përpjekje për ta larguar Anxhelën dhe familjen e saj nga “Bregu i Lumit”  dhe nuk e kuptonin pse duhej të rikthehej. Anxhela shpjegon se nuk mund t’ia dilte vetëm me asistencën apo edhe duke i kërkuar vazhdimisht ndihmë Marsit, ndërsa mbeturinat i sjellin edhe të ardhurat që i duhen.

Ardit Gjebrea: Ku fiton më shumë, me punën që bën tani apo me punën si pastruese? Të vërtetën.

Anxhela: E  vërteta është që më mirë te kjo puna e plehrave, nuk kam pse gënjej, nxjerr, është edhe me risk./tvklan.al