Pas ekzaminimeve imazherike dhe atyre laboratorike, kryeministri Rama i është nënshtruar ditën e sotme ndërhyrjes kirurgjikale nga ekipi i mjekëve të drejtuar nga shefi i Kirurgjisë, Arben Gjata. Sipas protokolleve shëndetësore, kreu i qeverisë duhet të qëndrojë 24 orë nën mbikqyrjen e mjekëve.

Në një raportim direkt për edicionin e lajmeve në Tv Klan, gazetarja Erikleda Dorezi shprehet se gjendja e Kryeministrit paraqitet e mirë dhe se pritet që nesër të lërë ambientet e spitalit.

Gazetarja Dorezi thotë se hapësira e QSUT-së është nën vëzhgimin e oficerëve të Gardës dhe se vetëm pak minuta më parë kreun e qeverisë e ka vizituar dhe djali i tij i madh.

Anjola Hamzaj: A ka detaje të reja për gjendjen e Kryeministrit dhe kush po vijon ta asistojë atë?

Erikleda Dorezi: Kryeministri vijon të jetë në gjendje shumë të mirë shëndetësore pas operacionit dhe ndërhyrjes kirurgjikale, ai po ndiqet në reanimacionin e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza nga mjeku Krenar Lila.

Deri tani, sipas bluzave të bardha gjendja e kreut të qeverisë paraqitet shumë e mirë, por për shkak se duhet të ndiqen të gjitha protokollet shëndetësore, kreu i qeverisë duhet të qëndrojë të paktën 24 orë brenda ambienteve të QSUT dhe vetëm ditën e nesërme, në orët e para të mëngjesit pritet që të lërë ambientet e QSUT-së.

Duhet thënë që e gjithë hapësira e QSUT-së është nën vëzhgimin e oficerëve të Gardës. Vetëm pak minuta më para, kreun e qeverisë e ka vizituar edhe djali i tij i madh, i cili ka parë nga afër edhe gjendjen shëndetësore të kryeministrit Edi Rama, që në fakt sipas bluzave të bardha paraqitet stabël dhe pritet që ditën e nesërme të lërë ambientet e spitalit./tvklan.al