Bujar Tufa, babai i Elmir Tufës njërit prej 4 të akuzuarve për vrasjen e Shkëlzen Kastratit më datë 1 Shkurt në Fier, ka folur për gazetarin Spartak Koka në emisionin Uniko në Klan Plus, ku është shprehur se djalin e tij nuk do ta dorëzojë në polici deri sa të përfundojë gjyqi, pasi ai pretendon se ka prova që djalin e ka patur në Krujë ditën e atentatit.

Ndër të tjera, Bujar Tufa ngre pretendime se djali i tij është akuzuar pa të drejtë për vrasje dhe sipas tij janë paguar para.

Ai thotë se vetë atë e konsiderojnë si informator të policisë për parcelat e hashashit. Këto deklarime ai i mohon dhe thotë se policia i lidh dy ngjarjet me qëllim për t’i akuzuar djalin për vrasje.

Bujar Tufa, babai i Elmirit: Dhe mua më akuzojnë si informator, direkt nga drejtori i përgjithshëm i policisë, ka raportuar për parcela hashashi. Jam bërë hasëm me të gjithë njerëzit këtu.

Spartak Koka: Çfarë keni për t’ju thënë? Që ky informacion është i vërtetë apo nuk është i vërtetë?

Bujar Tufa, babai i Elmirit: Nuk është i vërtetë. Drejtorin e përgjithshëm të policisë do ta hedh në gjyq. Ku më ka dhënë lekë? Si më njeh mua ai? Sa lekë më ka dhënë? Ku m’i ka dhënë? Në çfarë vendi? Me çfarë ka qenë? Më ikim banorët me kokën ulur, nuk më flasin. I kanë rënë borisë, përshëndesnin me dorë, më kanë dhënë kafe. Tani ma mbajnë kokën varur.

Spartak Koka: Për cilën arsye?

Bujar Tufa, babai i Elmirit: Për arsye se je spiun, je fuks. Na ke raportuar.

Spartak Koka: Pse i kanë bashkuar të dyja këto informacionet?

Bujar Tufa, babai i Elmirit: I kanë bashkuar se kanë marrë paret nga oficerët e policisë gjyqësore, marrin lekë, prandaj i bashkojnë. Pse nuk më nxorri mua drejtori i policisë që ky ka marrë paratë, ky është spiun, ky është fuks, ky raporton. Pse nuk e tha përpara, por i lidhin me çunin për t’i lënë çunit vrasjen. /tvklan.al