Altini, 38 vjeç dhe Liza, 37 vjeç në kohën kur lindën Armandon (sot, 13 vjeç) jetonin në Greqi. Ishte fëmija i tyre i parë, madje e prisnin me padurim pasi kishin katër vite që tentonin. Pasi mbushi 1 vjeç e kuptuan që Armando kishte sjellje ndryshe nga fëmijët e tjerë. Pas analizave të ndryshme, po në Greqi, zbuluan që kishte çrregullime të spektrit autik. Deri në moshën 6-vjeçare mori trajtime të specializuara atje dhe sipas Lizës kishte përmirësime.

Por, duke qenë se terapitë ishin shumë të shtrenjta dhe pamundësia ekonomike, u detyruan të kthehen në Shqipëri. Këtu janë munduar ta dërgojnë nëpër qendra të speciaizuara shtetërore, por është problem transporti. Pasi, familja jeton në fshatin Dukagjin, në Fushë-Krujë dhe në atë zonë nuk ka qendra ku mund të zhvillohen terapi.

Sipas Lizës, Armando ka afro 4 vite që nuk merr asnjë lloj trajtimi profesional dhe qëndron I mbyllur në shtëpi. Si pasojë edhe gjendja e tij është përkeqësuar, pasi është bërë shumë agresiv dhe i pavetëdijshëm për çdo veprim.

Babi i tij Altini punon me ndërtim, ndërsa Liza qëndron në shtëpi së bashku me Armandon. Familja ka edhe 3 vajza të tjera, Melisa, 8 vjeç, Armina 3 vjeç dhe Merlinda 1 vjeç.

Fundjava Ndryshe do përpiqet të merret me këtë rast aq sa mundet për t’i mundësuar Armandos një trajtim të specializuar. /tvklan.al