Kujdesi i konsumatorëve duhet të jetë në maksimum në këto ditë të nxehta pasi në qarkullim vazhdon të ketë produkte jashtë standardit. Disa prej tyre janë djathë, llokum me arra, amareta, kroasan, kek, çajra, çokollata, pije energjike etj.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën të ditur se gjatë kontrolleve të kryera në disa qytete të vendit ka vendosur gjoba dhe sekuestrim të produktit.

Konkretisht në Korçë në subjektet “Petraq Zhidro” dhe “Lico A+B” me aktivitet “Përpunim qumështi”, pas analizave laboratorike të mostrave përkatëse evidentuan mospërmbushje të kërkesave ligjore për treguesit e sigurisë së ushqimit. Për cço subjekt u vendos gjobë në vlerën 300 mijë Lekë dhe u bllokuan 500 kilogram i papërshtatshëm djathi për konsum.

Po në Korçë në subjektin “Florent Dikellari” me aktivitet “Njësi tregtimi” u konstatuan kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare  dhe për këtë arsye u bë ndërprerja e aktivitetit” deri në plotësimin e kushteve dhe u vendos gjobë  në vlerën 300,000 Lekë .

Në Lushnje gjatë kontrollit të ushtruar u bllokuan amareta, djathe, kroasan, kek, çajra, çokollata, pije energjike, vafer pasi u kishte kaluar afati. Më pas ato do të asgjësohen. Abuzimi me cilësine u konstatua në subjektin “Lindita Gjini” me aktivitet “Market”  dhe ndaj saj u vendos edhe gjobë prej  300,000 Lekë për tregtim të mallrave të cilëve u ka kaluar afati i përdorimit.

Në Tiranë  subjekti  “Sami Cerri”, sipas AKU-së, ushtronte aktivitetin “prodhim dhe tregtim tё produkteve tё pastiçerisë” në mungesë të licencës përkatëse dhe regjistrit të shitjeve. Gjithashtu, u konstatuan 225 kg produkte me etiketa tё panotifikuara dhe qё nuk pёrmbushin kёrkesat ligjore. Menjëhere u bë ndërprerja e aktivitetit, bllokimi i  225 kg produkteve suxhuk me arra dhe llokume dhe u vendosën disa gjoba.

Në Shkodër, rreth 48.7 ton produkti “farë misri” e papërshtatshme për mbjellje u asgjësua menjëherë me pjesëmarrjen e inspektorëve të AKU, Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Drejtorisë të Tatimeve.

Klan Plus