Pas incidenteve të dhunshme të ndodhura në KZAZ-në nr.6 në Vaun e Dejës, kryetari i kësaj Bashkie, Zef Hila do të shkarkohet nga detyra me propozim të ministrit të Brendshëm. Kështu ka paralajmëruar Sandër Lleshaj në një deklaratë për mediat.

“Me sulmin ndaj KZAZ nr.6 të realizuar nga punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës, kryetari i saj do të shkarkohet sot nga detyra me propozim të ministrit të Brendshëm”, ka deklaruar ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.

Incidentet e dhunshme që ndodhën në këtë KZAZ, ministri Lleshaj i ka konsideruar sulme paramilitare të eksponentëve të Partisë Demokratike.

“Zjarri i mbrëmshëm, djegia e materialeve zgjedhore dhe plagosja e tre punonjësve të Policisë së Shtetit nga një grup sulmi i përbërë kryesisht nga punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës, është një shprehje shembullore e paramilitarizimit të një partie që ka humbur jo vetëm arsyen, por tashmë edhe pseudo-kauzën e saj”, u shpreh Lleshaj.

Mbrëmjen e së enjtes, KZAZ. nr.6 në Vaun e Dejës u sulmua me bomba molotov dhe u dogjën materialet zgjedhore, si dhe u plagosën 3 policisë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Deri tani janë arrestuar 15 persona, mes të cilëve vëllai i kryebashkiakut të Vaut të Dejës, nënkryetari i kësaj bashkie dhe punonjës të tjerë e vendorë. Në kërkim është djali i kryebashkiakut të Vaut të Dejës dhe banorë e funksionarë të tjerë vendorë. / tvklan.al