Teksa në Kuvendin e Shqipërisë po mbahej seancë plenare, në ambientet e jashtme, opozita protestoi për rreth 2 orë e 30 minuta.
Tubimi nisi në mënyrë paqësore, për pak minuta, deri sa 16 gomave të ndara në dy pjesë iu vu flaka.
Kjo mjaftoi që policia të shtonte masat, duke zëvendësuar kordonin e sigurisë. Efektivët e rendit, u zëvendësuan me punonjës të sigurisë kombëtare. Këta të fundit u përplasën me protestuesit, të cilët tentuan të çajnë kordonin e sigurisë.
Tentativa për të hyrë në parlament, u përsërit disa here, por nuk pati rezultat.
Pati edhe zmbrapsje të qytetarëve me solucion që në përbërje ka spec djegës.
Në një moment përplasja mes tyre agravoi, pas daljes së deputetit Flamur Noka, nga salla e Parlamentit, i cili iu bashkua protestës.
Policia pati sinjale edhe për molotov, por nga ana e protestuesve nuk u hodhën.
Pas 150 minutash nga nisja e protestës, qytetarët u larguan duke u shpërndarë në zona të ndryshme të Tiranës.
“Pas largimit të protestuesve sheshi para Kuvendit të Shqipërisë u kthye në një vendngjarje. Ekspertët e policisë mbërritën për të mbledhur prova materiale, sendet që u hodhën ndaj uniformave blu.”
Siç duket edhe nga pamjet, ndaj efektivëve u hodhën gurë, shkopinj, fruta dhe vezë. Krahas efektivëve që u përballen me protestuesit, në gatishmëri qëndroi edhe një autobot me ujë, në rast se do përshkallëzohej situata.
Klan News