Programi” Historia ime”, në Tv Klan ditën e sotme solli historinë e vështirë të familjes Hasa. Nëna e 8 fëmijëve, Lirie Hasa në studio tregoi se në vrasjen e komshiut akuzohen si të përfshirë edhe dy djemtë e saj.

Lirie tregon se dhëndri e mori djalin e saj të madh tek shtëpia një natë para ngjarjes së rëndë. Ai ishte i sëmurë dhe dhëndri kishte thënë që është më afër nga shtëpia jonë për të shkuar në punë. Me këtë arsye nënë pranoi, por pa e ditur çdo ndodhte.

Djalin e vogël e kishte në shtëpi natën e ngjarjes. Dëgjuan krisma dhe më pas kuptuan se komshiu ishte vrarë. Marrëdhënia mes dy familjeve ishte shumë e mirë dhe madje zonja Lirie shkoi tek shtëpia e tyre për ngushëllim, pa e ditur se 2 fëmijët e saj do akuzoheshin për përfshirjen në vrasje.

Mirela Milori: Çfarë ndodhi?

Lirie Hasa: Djalin e madh e kisha sëmurë, e kisha me raport. Kishte filluar me një firmë dhe tha tani po punojmë ne të dy, të mbushë edhe vëllai 18 vjeç dhe po shkojmë tek dy tek puna, ti rri në shtëpi. Kështu u bë. Filloi djali i madh punë, i vogli për momentin ishte në shkollë. Po më plas shpirti. Këtë të madhin e pata me raport, shkoi tek puna dhe sëmur, qe me ftohje të vjetër. 20 vjeç me ftohje të vjetër, se me zor, janë rritur me zor. I mora gjilpërat, ishte duke më vdekur djali i madh se i bëri reaksion. Erdhi dhëndri aty dhe tha ta marr sot Adin andej, të shkoj në punë andej nesër, se është më afër. Me thënë të drejtën fëmijët i doja në shtëpi, nuk i doja të rrinin jashtë shtëpisë. Hajde, hajde, ja mbushi mendjen djalit dhe e mori. E mori me demek që të rrinte atë natë aty dhe pastaj të shkonte tek puna. Por ma mbajti dhe të nesërmen djalin se kishte lënë të shkonte në punë. E marr djalin në telefon dhe i them hë mami. Më tha s’kam shkuar dhe sot tek puna sepse ka Agroni një punë. Agroni, Olti se i ka kthyer lloj lloj emrat ai.

Mirela Milori: Dhëndri ky nuk e la djalin se kishte një punë?

Lirie Hasa: Po, nejse ky i madhi ndenji atje. Kur në darkë dëgjoj krisma, s’dija gjë. Bjeri telefonit, s’përgjigjej. Ço mesazhe s’kthente përgjigje, nejse. Kur dëgjoj pushkën dhe thashë çfarë ka bërë vaki dhe i thashë djalit të vogël dil njëherë dhe shiko njëherë andej nga dajat, se i kam njerëzit e mi atje afër. Vetëm kur filluan makinat këtej, makina andej. Atë e kam patur komshi, e kam patur shumë afër dhe kam shkuar shumë mirë me të. U vra filani.

Mirela Milori: Ishit fqinj?

Lirie Hasa: Po, po fqinj të mirë madje. U vra filani, hiç. Të nesërmen shoh televizor, është vra filani dhe kur shoh. Madje nuk i pashë atë ditë, të nesërmen në mëngjes më mori dhëndri në mëngjes në telefon dhe më tha a ma jep Erin tha.

Mirela Milori: Djalin e vogël?

Lirie Hasa: Po ma jep të pimë një kafe tha. Unë i thashë jo. Pse jo tha? Se i thashë ka vdekur burri i huaj, mbrëmë kanë vrarë burrin e huaj dhe unë do shkoj në xhenaze. Ti më thua mua ke hall kafeje. Pse ka vdekur? -më tha mua. Hajde se po i vimë për kafe, dhëndri kështu. Pse e thua këtë fjalë, i thashë. Jo kot tha. Ma jep pak Erin në telefon, tha. I thashë djalit na fol, por nuk ke për të shkuar. Ia dhashë telefonin, jo s’do shkoj tha, por më vonë kishte shkuar.

Mirela Milori: Ndërkohë djali i madh nuk ishte në shtëpi? Nuk erdhi as atë natë?

Lirie Hasa: Jo, jo djalin e madh e dija se e kisha tek dhëndri, unë isha me të voglin.

Mirela Milori: Edhe djali i vogël shkon tek dhëndrri?

Lirie Hasa: Po shkon tek një lokal, një kafe tha mami aty. Unë shkova tek fqinjët, tek xhenazja. Për Zotin, e kam thënë me shpirt dhe e them prapë, edhe djali im të ketë dorë kam thënë, të filloj tek këmbët dhe fije –fije ta bëjnë atë lloj robi, se ka qenë shumë njeri i mirë.

Mirela Milori: U fol në rrethin tuaj pse u vra, cilat ishin arsye, a kishte hasmëri?

Lirie Hasa: Jo, jo asnjë gjë, ai ka qenë djalë shumë i mirë.

Mirela Milori: Kur komplikohen fëmijët e tu në këtë histori?

Lirie Hasa: Për të madhin nuk ma mori mendja se çfarë ka ndodhur andej, se e dija që e kisha tek puna, tek dhëndri, tek motra e vet. Kurse të voglin isha shumë e sigurt se e kisha në shtëpi, nuk bëhej fjalë. I bija dhe dhëndrit në telefon dhe nuk ma hapte dhe telefonin e djalit e kishte dhëndri. Ia kishte marrë djalit telefonin dhe prandaj nuk hapeshin telefonat. Kur vete të takoj djalin tek burgu tha: Mami të qafsha ty nuk kam bërë gjë./tvklan.al