Të paktën 5 ushtarë të vrarë dhe 10 të plagosur. Është ky bilanci i viktimave që shkaktoi sulmi me armë të rënda dhe bomba ndaj një eskorte ushtarake në Sinaloa, në veri të Meksikës.

Një atentat i mirë organizuar, që sipas mediave lokale, u krye nga djemtë e Hoakin Guzman, mbreti i narko-trafikut meksikan, i njohur gjerësisht si “El Chapo”, i cili arrestua në muajin janar.

El Chapo

Eskorta ushtarake po transportonte në spital një anëtar të kartelit të Sinaloas, që drejtohet pikërisht nga djemtë e El Chapos, të cilët kanë zënë vendin e të atit.

Autoritetet vendase njoftuan se rreth 60 persona rrethuan autokolonën, që po transportonte nëj kriminel të njohur me pseudonimin “El Kevin” dhe arritën ta lirojnë anëtarin e kartelit të drogës, duke masakruar ushtarët.

Hoakin Guzman, u arratis më 11 korrik të 2015 nga burgu i sigurisë së lartë në Meksikë. Ai qëndroi për rreth 6 muaj në arrati, duke u kapur në 8 janar të 2016 në qytetin e tij, në Sinaloa./TV KLAN