“Do bombardohej presidenca”, Ceka: Në 97-ën Berisha la mbledhjen



“Do bombardohej presidenca”, Ceka: Në 97-ën Berisha la mbledhjen

15:51 14/01/2021

Ish-Presidenti: Isha në zyrë, urdhërova mbrojtjen e selisë qeveritare

Gjatë një intervistë të rrallë për jetën dhe veprimtarinë e tij politike, Neritan Ceka rrëfeu përballë gazetarit Blendi Fevziu në Opinion një episod të ndodhur gjatë trazirave të vitit 1997. Gjate një takimi me Presidentin e kohës Sali Berisha, ku ishin të pranishëm Preç Zogaj, Rexhep Mejdani dhe Namik Dokle, kreu i shtetit u largua për disa momente, pas njoftimit se avionët MIG që qëndronin në aeroportin e Kuçovës mund të ngriheshin në fluturim për të bombarduar godinën e presidencës.

“Ditën e nesërme që u ulëm atje, një moment u zhduk doktori nga mbledhja. I thashë Tritan Shehut: Ore ku iku ky? Tha që iku. Se  atëherë u hap ky lajmi që kanë pushtuar aeroportin e Kuçovës dhe janë ngrit avionët të bombardojnë presidencën. I thashë: Po ne nuk jemi në presidencë? Nuk do na vrasin dhe ne?”.

Edhe ish-presidenti, Sali Berisha, pohoi për Opinion.al se episodi i rrëfyer nga Ceka është i vërtetë. Berisha hedh me tej dritë mbi këtë ngjarje teksa thotë se gjatë mbledhjes u njoftua nga Ministria e Mbrojtjes se forcat rebele kishin rënë dakord me aeroportin e Kuçovës për bombardimin e Presidencës. Megjithatë ai mohon të jetë larguar nga godina.

“Pas këtij njoftimi u largova nga mbledhja dhe u ngjita në zyrën time. Thirra komandantin e gardës dhe e urdhërova që të shpalosë bateritë e artilerisë kundra-ajrore të gardës dhe raketat antiajrore të shpinës në perimetrin e Presidencës, si dhe të asgjësojnë çdo avion ushtarak në këtë perimetër. Njëkohësisht janë njoftuar puçistët se çdo përpjekje për të bombarduar presidencën do ketë si përgjigje të vetme asgjësimin e tyre. Pas marrjes së masave u riktheva në mbledhje dhe vazhdova punën ne zyrën time”.

Ceka rrëfeu se pavarësisht kundërshtive që kishte në atë kohë me Berishën u gjet gjuha e përbashkët për daljen nga situata.

Tv Klan







Të ngjashme