Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalën e tij në çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 Majit ka treguar më shumë për programin e PD për Shqipërinë.

Berisha u shpreh se do të vendosë minimumin jetik 200 Euro, teksa shtoi se PD do të dyfishojë rrogat dhe pensionet pasi sipas tij kjo parti është partia e rritjes dhe dyfishimit të tyre.

“Ndaj dhe ne këtë projekt do ta nisim jo me patronazhistët siç e nis, jo me ata ministrat dhe klanin tënd, ata oligarkët që mban përreth dhe plaçkit në mënyrë të pamëshirë këtë vend, por do ta nisim me ata që numërojmë kafshatën, do ta nisim me ata që qajnë me lot mjerimi, do ta nisim me ata 780 mijë burra dhe gra që i ke katandisur si askush tjetër në Europë. Do vendosim minimumin jetik 200 euro për çdo pensionist, për çdo student, për çdo të papunë, për çdokënd në ndihmë ekonomike.

Ne jemi partia e rritjes dhe dyfishimit të rrogave dhe pensioneve, ne do i rrisim dhe do i dyfishojmë ato. Shqipëria e punës, Shqipëria e njerëzve të paguar, Shqipëria e njerëzve që prodhojnë, Shqipëria e njerëzve të suksesit është qëllimi i projektit tonë”, u shpreh Berisha.

Ndër të tjera gjatë fjalës së tij Berisha u zotua para shqiptarëve se qeveria e tij do të vendos taksat më të  që ekzistojnë në Europë dhe në botë.

“Ndaj dhe unë jam këtu për t’u zotuar para shqiptarëve se qeveria do të vendosë mbi ta taksat më të ulëta që ekzistojnë në Europë dhe në botë, në mënyrë që ju me mundin, me djersën tuaj të begatoheni, të mëkëmbeni, të pasuroheni. Miqtë e tu nuk ka një vend të dytë të pasur si Shqipëria, nuk ka 28 mijë kilometra katrorë që të ketë pasuritë e saj përrallore. Sot, ato shfrytëzohen nga Edi Rama dhe oligarkët e tij njëlloj si në sistemin më të egër kolonial. Nesër ato do të kthehen në pasuri për ju, për fëmijët tuaj, për Shqipërinë Madhështore, për Shqipërinë e të ardhmes”, theksoi Berisha./tvklan.al