Ervin Salianji zhvilloi një konferencë për mediat këtë të premte teksa është në pritje të arrestimit.

Teksa edhe sot e pranon që sot është dita e fundit e lirisë për 1 vit dhe pyetja lind si do të arrestohet, pra a do të shkojë vetë në polici, apo do të presë efektivët?

Salianji iu përgjigj gazetarëve se vendimmarrjen për këtë çështje do ta marrë pasi të dëgjojë kolegët e tij demokratë të cilët kanë mbledhur grupin parlamentar.

“Në lidhje me vendimmarrjen nëse do të jem këtu apo do shkoj aty jemi duke diskutuar në mbledhjen e grupit parlamentar dhe ka qëndrime të ndryshme nga kolegët të cilët do ti dëgjoj dhe më pas do të marrim një vendim”, u shpreh ai.

E për t’i shërbyer më shumë kësaj çështje, Salianji thotë se ka komunikuar që dje me drejtuesin e prokurorisë dhe të policisë duke ironizuar sipas tij, nxitimin për ta vënë në pranga.

“Unë kam komunikuar që dje qoftë me drejtuesin e prokurorisë, apo policisë për t’ju thënë që jam gati. Për t’i ndihmuar sepse këta nuk të gjejnë dot. I keni parë ju si gjithë grupet kriminale, del urdhërarresti nga SPAK vetëm letra u mbetet në dorë, njerëzit u ikin. Unë nuk hyj nga ata, unë hyj te ata që përballen”, tha Salianji.

Sipas tij, është shkelur procedura pasi nuk është zbardhur ende vendimi i Gjykatës së Apelit.

“Duke qenë se e kanë dhe me nxitim vetë, pra brenda ditës pa u zbardhur vendimi sepse ka një parim që bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe me mbrojtjen e një procesi të rregullt ligjor. Procedura është që prevalon e drejta e ankimimit para të drejtës së ekzekutimit të vendimit, sidomos kur bëhet fjalë për njerëz që nuk është se kanë ndonjë rrezikshmëri për të prishur ndonjë provë, apo për t’u larguar sepse gjyqi është mbyllur. Pa u zbardhur vendimi i gjykatës, pa pasur unë si person i dënuar një vendim të Gjykatës së Apelit që ta disponoj dhe të bëj ankimin mbi bazën e atyre në Gjykatën e Lartë për të vazhduar procesi më tej. Prokuroria me shpejtësi. Apeli ia ka çuar Tiranës. Tirana ka hedhur shortin. Ka dalë gjyqtarja që për rastësi ka dalë edhe kjo nga Vlora se edhe shorti bie që të jenë vetëm nga Vlora si gjyqtarët dhe prokurorët. Rastësi e çuditshme. Me shumë fat ky Fatmiri dhe Rama. Me gjyqtarë dhe prokurorë i bie të jenë dhe nga Vlora përveçse militantë PS-je. E ka çuar për njoftim në Kuvend, ndërkohë që është precedenti i parë që ndodh dhe nga të gjithë miqtë dhe profesionistët në sistem, kanë shprehur shqetësimin që në raste të tilla duhet të ketë një vendimmarrje dhe interpretim të Këshillit të Mandateve dhe të Rregullores. Mos them pastaj që po të ishte rasti i Ps do i çohej Komisionit të Venecias. Vendimi nuk bëhet vetëm për agjitacion dhe propagandë, por edhe për të ndaluar aktivizimin tim në fushatën zgjedhore të 2025, së pari si kandidat dhe që i kam mundur dhe së dyti si funksionar i PD”, tha Salianji.

Ervin Salianji është dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit për kallëzim të rremë./tvklan.al