Në një lidhje direkte për Klan News ka qenë meteorologu i njohur Hakil Osmani, i cili bëri një parashikim të motit për ditët e fundit. Temperaturat janë mjaft të larta dhe kemi një situatë zjarresh në të gjithë vendin. Aktualisht janë 6 vatra aktive të cilat veçanërisht ato të Vlorës, janë të ndihmuara nga era, pra era po ndihmon në probleme të mëtejshme me situatën e zjarreve që janë të aktivizuara në Jug të Vendit.

Hakil Osmani shprehet se parametri i erës është problematike në territorin e Shqipërisë sepse po e fuqizon atë me një shpejtësi prej 45-50 km në orë. Ndërsa përsa i përket temperaturave, ditën e sotme mund të arrijnë deri në 40 gradë, ndërsa të premten do ulen deri në 34 gradë celsius dhe në fundjavë do pësojnë sërish një rritje, ku mund të arrijnë rreth 37 gradë celsius.

“Parametri i erës është më problematiku në territorin shqiptar pasi ka sjellë një fuqizim të saj në tokë me një shpejtësi në orë nga 45-50 km për orë në zonat jugore dhe gradualisht era do të fuqizohet edhe në zonat qendrore. Pritet që drejtimi i saj të jetë nga drejtimi jugor dhe jug-perëndimor në zonat jugore dhe qendrore. Ndërsa në Veri të vendit pritet që era të fuqizohet pas orës 1 duke bërë që shpejtësia e saj të shkojë edhe mbi 55 km në orë në zonat e veçanta dhe kryesisht do jetë nga drejtimi jug-perëndimor dhe perëndimor. Pritet që në orët e pasdites dhe mbrëmjes të kemi një dobësim të parametrit të erës.

Përsa i përket kushteve të motit, gjatë ditës së sotme pritet të kemi prezencë të vranësirave kryesisht në zonat veriore dhe qendrore të territorit shqiptar duke sjellë dhe rrebeshe afatshkurtra dhe të izoluara shiu por që do jenë në sasi të pakët. Në mbrëmje presim që të kemi fuqizim të vranësirave kryesisht në zonat jugore duke krijuar kështu mundësia për rrebeshe afatshkurtra dhe në sasi shumë të pakta në zonat jugore, kryesisht në orët e mbrëmjes dhe orët e vona të natës. Pjesa e parë e ditës së premte mbetet me prezencë të vranësirave dhe ndonjë reshje të izoluar, ku sasitë janë shumë të pakta. Orët e mesditës sjellin një përmirësim të kushteve të motit duke rikthyer kthjellimet në territorin shqiptar, kthjellime të cilat do të vijojnë edhe gjatë fundjavës.

Gjatë ditës së sotme mbeten të larta maksimumet duke bërë që të shkojnë edhe në 40 gradë celsius në zonat qendrore të vendit tonë. Dita e nesërme sjell një rënie të vlerave termike duke bërë që maksimumet të zbresin deri në 34 gradë celsius. Gjatë fundjavës vlerat minimale do zbresin deri në 13-14 gradë celsius, ndërsa vlerat maksimale do pësojnë një rritje të lehtë rreth 37 gradë celsius”, ka treguar meteorologu Hakil Osmani. /tvklan.al