Mashtrimi me fushatën sensibilizuese, arrestohet i riu

“Më ndihmoni të grumbulloj 25 mijë euro për të shpëtuar një të afërm i cili vuan nga një sëmundje”.

Kjo ka qenë një fushatë sensibilizuese që është hapur nga një 19-vjeçar nga Shkodra me qëllim për të përfituar para nëpërmjet mashtrimit. Ai kishte hapur 10 profile false nga ku u kërkonte qytetarëve të dërgonin paratë për të ndihmuar personin e sëmurë.

I riu kishte regjistruar të dhëna që i përkisnin një personi tjetër i cili do të bënte të mundur tërheqjen e ndihmave financiare. Për ta bërë më të besueshme i riu kishte shënuar dhe emrin e një fondacioni bamirësie. Administratori i kësaj të fundit ka denoncuar menjëherë tek njësia e Krimit Kibernetik, të cilët pas hetimeve disa mujore, zbuluan skemën e përdorur nga djali nga Shkodra.

Në kuadër të operacionit të koduar maskimi blutë kanë proceduar penalisht dhe një tjetër person, i cili gjithashtu dyshohet se ka krijuar një skemë të tillë mashtrimi me qëllim përfitimin e vlerave monetare. Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtyre shtetasve, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 telefona celular, karta SIM dhe dokumente të llogarive bankare, ndërsa po punohet dhe për zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.

Në njësinë C të Krimit Kibernetik vijojnë të mbërrijnë denoncimet për vjedhjen e llogarive personale në aplikacionin WhatsApp. Burime nga policia bëjnë me dije se denoncohen nga 50 raste në ditë, të cilët ankohen për ndërhyrjet nga persona që dyshohen se janë nga Amerika dhe Rusia.

Klan News