Në Maj të vitit 2017, emisioni “Stop” transmetoi rastin e një vrasjeje në Vloçisht të Korçës, në Tetor të vitit 2012. Provat e sjella nga gazetari i emisionit bënë të mundur rihapjen e çështjes pas 5 vjetësh. Por prokurorja Oli Visi nuk bëri asgjë për të zbardhur vrasjen. Ajo nuk thirri asnjëherë dëshmitarin që kishte parë me sytë e tij konfliktin. Po kështu prokurorja Visi nuk bëri kurrë aktin e thelluar kimik. Djali i viktimës Erion Hena, takon prokuroren, duke i thënë, se po e çon drejt vetëgjyqësisë. Pas prokurores, edhe gjykata e Korcës pranon kërkesën e pezullimit të cështjes, pa asnjë letër në dosjen e gjykimit.

58-vjeçari Ethem Hëna u vra në lokalin ku punonte si roje. Djali i tij Erion Hëna, denoncoi në emisionin “Stop” mungesën e hetimit dhe lënien të lirë të autorit të vrasjes Edison Kodralliu. Veç anëve të errëta të hetimit të kësaj çështjeje, emisioni “Stop” solli dëshmi ekskluzive me audio të banorëve të fshatit, që kishin parë natën e krimit vrasësin e liruar nga drejtësia.

Pasi u rihap çështja, dosja nga policia shkoi në Prokurorinë e Korçës ku iu caktuar për hetim prokurores Oli Visi. Ndër të tjera, ajo kishte dy detyra kryesore: Marrjen e dëshmitarit, i cili pranonte se kishte parë konfliktit midis të ndjerit dhe të dyshuarit kryesor dhe bërjen e aktit të thelluar të aktit kimik, për të vërtetuar që faktorët plotësues të gjetur në bluzën e Kodralliut vinin nga baruti, apo nga faktorë të tjerë.

Për mikrofonin e “Stop” avokati Arben Llangozi tregon:

“Nga ana e Prokurorisë së Korçës çuditërisht, sepse vetëm organ procedues nuk mund të quhet, e ka mbuluar sërish edhe këtë provë. Ky dëshmitar, që është konkret, nuk është pyetur asnjëherë nga organi i prokurorisë. Në funksion të zbardhjen së drejtësisë duhet që ta kishte kompletuar, sepse tek e fundit kush ishte arsyeja që u rihap kjo çështje? Ishte ai person dhe në rastin konkret nuk u pyet asnjëherë se çfarë dinte dhe çfarë kishte parë. Më datën 29 Mars të 2018-s është caktuar të kryhet një akt ekspertimi dhe në pikën 6 të tij është lënë detyrë e ekspertit kriminalist që të përcaktohet se nga vjen burimi i këtyre nitriteve-nitrateve. Vijnë nga arma, nga baruti? Apo nga faktorë siç saldimi, etj? Ekspertja në konkluzionet e saj thotë që nuk mund të provohet burimi i origjinës së tyre, pasi nitratet dhe nitritet nuk janë specifike vetëm për mbetjet e qitjes”.

Por emisioni “Stop” administron nga vetë ky institucion një përgjigje, ku thotë që këto lloj analizash kimike bëhen, madje të detajuara dhe janë të pakontestueshme.

Për avokatin, kjo tregon qartë se

“në rastin konkret, kjo eksperte duket qartë që e ka mbuluar këtë rast. Me pëlqimin e prokurores së çështjes dhe me oficerët që kanë ndjekur këtë çështje”.

Këto dy prova, të cilat bënë të mundur hapjen e kësaj çështjeje nuk u kryen kurrë nga kjo prokurore.

Pas një viti e gjysmë, ku dosja mbeti në Prokurorinë e Korçës për hetime, prokurorja Oli Visi vendosi edhe njëherë pezullimin e kësaj dosjeje, duke mos zbardhur vrasjen e të ndjerit Ethem Hëna.

Djali i viktimës Erion Hëna, nëpërmjet kamerës së fshehtë përballet vetë me prokuroren Visi.

Djali i viktimës

-D.m.th, e dorëzuat si dosje?

Prokurorja Oli Visi-

Po tani kemi mbaruar, e kemi bërë njoftimin… Unë bëra ato veprime që na dolën gjatë hetimit, me ato veprime unë nuk arrija dot që t’ia provoja, që ishte ai autori, në rast se…

Djali i viktimës-

Po si do ta provoje e nderuar, kur nuk merr dëshmitarët?

Prokurorja Oli Visi-

Kë dëshmitar?

Djali i viktimës-

Ti thua, që Mujon s’e gjej…Mondi thotë…

Prokurorja Oli Visi-

Kë Mondi?

Djali i viktimës-

Ai që ishte në tavolinë me Mujon.

Prokurorja Oli Visi-

Si thotë Mondi?

Djali i viktimës-

I ke parë filmimet, dëgjoji!Po gjeja anën ligjore, moj e nderuar!

Prokurorja Oli Visi-

Po si ta gjej?

Djali i viktimës-

Po ku di unë? Ju jeni person kompetent për këtë gjë. Do më bëni të shkoj në vetëgjyqësi. Do shkoj, do ta vras vetë!

Prokurorja Oli Visi-

Atë çfarë do bësh, mos më thuaj! Nuk më intereson…

Djali i viktimës-

Jo! Ty nuk të intereson, sepse e kupton…

Prokurorja Oli Visi-

Nga ne nuk ke ndonjë pengesë…

Djali i viktimës-

Jo s’ka sesi, pengesa vetëm kur të më merrni, të më vini prangat…

Prokurorja Oli Visi-

Mbase s’më bie mua radha…,mund t’i bjeri ndonjë tjetri.

Djali i viktimës-

Nuk logjikohet kështu, e nderuar! Nejse…

Sipas procedurës dhe të drejtës që i lindte palës së dëmtuar, për vendimin që mori prokurorja e Korçës, për pezullimin e kësaj çështjeje, pala duhet ta çonte atë në Gjykatën e Korçës.

“Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, më datë 02.07.2018, është regjistruar dosja me kërkues Erion Hëna, banues në Vloçisht, me objekt ankim ndaj vendimit të pezullimit të prokurorit dhe kjo seancë është planifikuar për t’u zhvilluar më datë 20.07.2018, ora 15:00”,

thotë për “Stop” përfaqësuesi i gjykatës

.

Kjo e fundit pranoi vendimin e pezullimit të prokurores Oli Visi, duke mos pasur asnjë dokument në këtë dosje dhe mori një vendim duke lexuar ajrin, pasi aktet e pezullimit të kësaj çështjeje nuk ishin në Gjykatën e Korçës.

I pyetur sesi do ta gjykojë kjo gjyqtare, kur nuk ka aktet në Dhomë Këshilli nga kjo çështje, përfaqësuesi i gjykatës thotë:

“Kjo i mbetet gjykimit, ende nuk është zhvilluar një seancë gjyqësore”,

“Ky vendim është shqyrtuar pa pasur asnjë provë. Këto prova kanë qenë detyrë e gjykatës që t’i merrte pranë prokurorisë, sepse është një çështje penale që ndiqet kryesisht nga shteti dhe gjykata në rastin konkret ka rolin që duhet t’i marrë këto prova, duhet të urdhëronte prokurorinë që të merrte të gjithë fashikullin gjyqësor dhe të gjykonte mbi to”,

thotë avokati Llangozi

.

“Ankimi shqyrtohet në Dhomë Këshillimi brenda 30 ditëve dhe kundër vendimit nuk lejohet ankim”,

shton përfaqësuesi i gjykatës

./tvklan.al