Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim me Prodhuesit e Bimëve Medicinale ka deklaruar se qëndrimi i opozitës lidhur me tarifat është hapja e negociatave me qeverinë amerikane për vendosjen e tarifave zero në tregtinë mes dy vendeve.
Berisha ndër të tjera theksoi se nëse SHBA nuk pranon këtë marrëveshje reciproke, atëherë qeveria që ai synon të drejtojë pas 11 Majit do të garantojë subvencione dhe grante për bizneset shqiptare.
“E shtruat çështjen e tarifave. Shumë e drejtë! Cili është qëndrimi ynë ndaj tarifave? Qëndrimi ynë ndaj tarifave është negociata me qeverinë e SHBA për zero tarifa. Ne do vendosim zero tarifa me kërkesën që qeveria amerikane të na përgjigjet edhe ne me zero tarifat. Supozojmë se qeveria amerikane për arsyet e veta nuk e adapton këtë, ne do u kompensojmë plotësisht tarifën e eksportit të vendosur nga vendet ku ju eksportoni. Ne do bëjmë gjithçka me grante, siç thashë për çdo njësi prodhimi dhe ato nuk do i merrni mbi bazën e burokracisë, por me dokumentacionet më të thjeshta. Ju do merrni të gjithë mbështetjen bazuar në faturat që shisni. Bazuar në dokumentet që sillni. Bazuar në punën që harxhoni në proceset e trajtimit të këtij sektori. Shqipëria ka pasur dhe ka institucione në këtë sektor, por ne do fuqizojmë krahas studimeve për bimët frutore, bimët e arave, krahas studimeve për bimët arrore, bimët e tjera, ne do fuqizojmë shumë sektorin e studimeve të bimëve aromatike. Do angazhojmë ekspertizën shkencore më të mirë në këtë sektor. Kudo Shqipëria është me një pasuri të madhe natyrore në këto bimë. Kredi të buta në të cilat qeveria do të mbulojë 80 përqind të interesit, do ofrohen për ju sipas sektorëve. Për të gjithë proceset që nevojiten në këtë fushë”, shprehet Berisha.
Berisha gjithashtu u shpreh se PD ka një politikë të vendosur për ripopullimin e Shqipërisë.
“Ne duam ta bëjmë sektorin e bimëve eterovajore, ta shumëfishojmë në prodhim, në të ardhura, në punësim, në eksport. Ju keni bërë shumë dhe e keni bërë pa ndonjë ndihmë. Pa ndihmën që meritoni. Injorimi juaj dhe injorimi në tërësi i eksportit nga kjo qeveri, i ka kushtuar vendit një çmim më të rëndin, shpunësim dhe largim të shqiptarëve nga Shqipëria. Ne do kemi një politikë shumë të vendosur për popullimin dhe ripopullimin e Shqipërisë. Ne do bëjmë që ata që u larguan, të cilët në të shumtën punojnë në bujqësi, të kthehen dhe të punojnë në sektor bujqësie në Shqipëri. T’u krijojmë ato kushte që kanë në vendet ku punojnë dhe të vijnë të ndërtojnë ëndrrën e tyre në këtë vend”, thekson kreu i demokratëve.
/tvklan.al