PD: Prokuroria të zbulojë shefat e Alizotit

PD: Prokuroria të zbulojë shefat e Alizotit

11:45 14/10/2018

Partia Demokratike ka publikuar të tjera përgjime për Fredi Alizotin, personin që pretendon se ka imituar zërin e vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj në dosjen “Babalja”.

Deputeti Enkelejd Alibeaj, gjatë një deklarate për mediat nga selia blu, bëri me dije detaje nga takimi i “aktorit” Fredi Alizoti me drejtorin e Policisë së Fierit.

“Aktori i Edi Ramës është gjetur, blerë dhe shantazhuar nga vet Fatmir Xhafaj. Më 1 Qershor 2018, ditën kur Edi Rama pretendon se aktori i tij Fredi Alizoti është vetëofruar në prokurori, është kapur duke pohuar se ka bërë një muhabet dhe se po pret të takojë Taulantin nga Librazhdi. Menjëherë më pas telefonohet nga drejtori i Policisë së qarkut Fier dhe la takim te QTU në Fier.

Në orën 17:03 Fredi Alizoti i drejtohet me fjalët: Do ta zgjidhësh ti këtë punë apo ta zgjidhi shefi lart? 7 minuta më vonë, aktori Fredi Alizoti telefonon dikë tjetër dhe i drejtohet me fjalët: Mora një pako të mirë. Më 7 Qershor aktori telefonohet përsëri nga drejtori i Policisë së qarkut Fier se çfarë po bën dhe ku ndodhet. Alizoii i kërkon drejtorit që të takojë shefin e madh”

, tha deputeti Alibeaj.

Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj se kanë përdorur Fredi Alizotin si aktor për t’u shtirur si Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm që dëgjohej duke biseduar në telefon me Albert Veliun, të njohur ndryshe si “Babalja”. Pas këtyre përgjimeve, demokratët ngrenë disa pyetje për Kryeministrin.

“Partia Demokratike pyet sot Edi Ramën, Fatmir Xhafën dhe veglat e tyre në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, çfarë pako ka marrë Fredi Alizoti, kush ia ka dhënë, kush është Taulant nga Librazhdi që i ka thënë Fredi Alizotit hap gojën sa do. Çfarë shërbimi ka ofruar Fredi Alizoti dhe sa është paguar për të. Cili është shefi i madh? PD i ka të qarta përgjigjet. Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj nuk mund të fshihen më përballë fakteve që kanë fabrikuar një dëshmitar për të mbrojtur një trafikant droge si Agron Xhafaj”

, theksoi deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj.

Partia Demokratike thotë se ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa po përdor drejtuesit me të lartë të Policisë, për të fabrikuar prova e sajuar dëshmitar, me qëllim që të shpëtojë vëllain trafikant. Në një tjetër dalje, Partia Demokratike i kërkoi Taulant Ballës të mos heshtë por të japë përgjigje për 25 udhëtimet jashtë vendit me Edmond Begon, i dënuar për trafik droge. 

/tvklan.al

DEKLARATA E DEPUTETIT, ENKELEJD ALIBEAJ

Prej 5 muajve, Fatmir Xhafaj ka braktisur detyrën dhe është angazhuar drejtpërdrejtë në një skenar mafioz të mbrojtjes së trafikantit të drogës Agron Xhafaj.

Është pikërisht skenari mafioz që njoftoi Edi Rama vetëm 2 ditë pasi u faktua që i vëllai i Ministrit të Brendshëm vazhdonte aktivitetin kriminal të trafikut të drogës, ku edhe mashtroi publikisht se kishte ekspertizën shkencore që provonte se ishte sajesë.

Partia Demokratike ka publikuar faktet e plota që provojnë se hetimi ndaj Agron Xhafajt nuk është bërë nga Prokuroria, por nga vartësit e Fatmir Xhafës në Policinë e Shtetit. Prokurorët vetëm kanë noterizuar çfarë i është dërguar nga vartësit e Fatmir Xhafës.

Sot do të bëjmë publike dokumente të reja që provojnë se aktori i Edi Ramës, është gjetur, blerë e shantazhuar nga vetë Fatmir Xhafaj, për të mbrojtur vëllain e tij trafikant.

Në ekran shikoni dokumente zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, që provojnë se Fredi Alizoti, aktori i Edi Ramës, është sajesë e vetë Fatmir Xhafës.

Sipas përgjimeve telefonike, rezulton se:

Në datën 1 Qershor 2018, ditën kur Edi Rama pretendon se aktori i tij Fredi Alizoti është vetëofruar në prokurori në orën 8 të darkës, ai është kapur duke pohuar se ka bërë një muhabet dhe po pret të takojë Taulantin nga Librazhdi, që i ka thënë “hap gojën sa do”.

Menjëherë më pas, ai telefonohet nga Drejtori i Policisë së Qarkut Fier, me numër telefoni 0694110316, dhe lë takim tek QTU në Fier. Në orën 17.13 minuta, Fredi Alizoti i drejtohet Drejtorit të Policisë së Qarkut Fier, me fjalët: “Do ta zgjidhësh ti këtë punë, apo ta zgjidhi Shefi lart”? Vetëm 7 minuta më vonë, aktori i Edi Ramës, nga zona e QTU Fier, vendi ku është lënë takimi me vartësin e Fatmir Xhafës, telefonon dikë dhe i drejtohet me fjalët “Mora një pako të mirë”.

Më 7 Qershor 2018, aktori i vetëshpallur nga Edi Rama, telefonohet përsëri, personalisht nga Drejtori i Policisë Qarku Fier, i cili e pyet se çfarë po bën dhe ku ndodhet, dhe Alizoti i përgjigjet “lart ku më latë”. Alizoti i kërkon Drejtorit të Policisë Fier që të takojë “Shefin e madh” me patjetër atë ditë, duke e garantuar se “nuk ka më kthim mbrapa, ato që janë bërë nuk kthehen më mbrapa”.

Partia Demokratike, pyet sot Edi Ramën, Fatmir Xhafën dhe veglat e tyre kriminale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda:

• Çfarë “pako” ka marrë Fredi Alizoti? Kush ia ka dhënë atë?

• Kush është Taulanti nga Librazhdi që i ka thënë Fredi Alizotit “hap gojën sa do”?

• Çfarë shërbimi ka ofruar Fredi Alizoti dhe sa është paguar për këtë?

• Pse e ka telefonuar përsëri në datën 7 Qershor 2018 Drejtori i Policisë së Qarkut Fier shtetasin Fredi Alizoti?

• Cili është “shefi i madh” i Drejtorit të Policisë së Qarkut Fier që kërkon të takojë Fredi Alizoti?

Partia Demokratike dhe çdo shqiptar i ka të qarta përgjigjet. Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj nuk mund të fshihen më përballë fakteve që kanë fabrikuar dëshmitar për të mbrojtur një trafikant droge.

Sot Fatmir Xhafaj është i vetmi Ministër i Brendshëm, qё jo vetëm ka vëllain në burg për trafik droge, por i vetmi që përdor drejtuesit me të lartë të Policisë së Shtetit, për të fabrikuar prova e sajuar dëshmitar, me qëllim që të shpëtojë vëllain trafikant droge nga burgu.

Përdorimi i pushtetit nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj, për t’i ofruar mbrojtje shtetërore vëllait trafikant droge të Ministrit të Brendshëm, është një krim shumë i rëndë. Ai do të ishte ndëshkuar rëndë nëse celula kriminale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, do të kryente detyrën dhe do hetonte krimin e organizuar me mbështetje shtetërore.

Por celula kriminale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda e ka bërë zgjedhjen e vet antiligjore, duke bashkëpunuar në një akt mafioz për të shantazhuar gazetarët, qytetarët dhe opozitën, në përpjekjen e dëshpëruar për t’i mbyllur gojën denoncuesit.

Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj mund të ndjehen sot të sigurtë përkohësisht sepse kontrollojnë gjykatat e prokurorinë. Ata mund të manipulojnë prova e të fabrikojnë dëshmitar, sepse askush nuk i heton dhe dënon.

Por fundi i tyre është i afërt.

Dita ku drejtësia për to do të behet, nuk është e largët.

Të ngjashme
UKT