“Të parandalojmë çdo formë të ndërtimit pa leje”

“Një fazë e re është hapur për institucionin e IKMT.”

Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Taulant Balla, teksa inspektonte punimet për prishjen e disa objekteve pa leje në zonën e mbikalimit të Shkozës.

 “Do të çelim një fazë të re të IKMT. Sot jemi për të parë vijimin e një vepre, të Unazës së Madhe, e cila është aorta e qytetit, e që bën një ndryshim të trafikut në qytet. Qasja e re, me mbështetjen e Policisë së Shtetit ka të bëjë me parandalimin. Edhe mua më vjen keq kur bëhet fjalë për objekte që prishen, por s’do ketë asnjë tolerancë për askënd dhe askund. Për punonjësit e IKMT do të ketë përkujdesje, me një rritje rroge për ta, e për çdo lloj trajtimi me dinjitet të punës suaj. Çdo ndërtim pa leje duhet kallëzuar, sepse është një kancer që vijon prej 30 e ca vitesh. Do të përdoren teknologjitë e reja, pamjet satelitore, dronët për të kontrolluar territorin jo vetëm më inspektorë”.

Ministri Balla e vuri theksin dhe në mbrojtjen e mjedisit, teksa njoftoi për shtim të kontrolleve.

“Njerëzit duhet të mësohen të marrin leje. Ne kemi rol për të mbrojtur mjedisin, sepse IKMT nuk prish vetëm ndërtime, por të mbrojë mjedisin, bregdetin. Që prej datës 1 janar do të kontrollojmë se ku i derdhin ujërat e zeza hotelet etj., kjo së bashku me agjencitë e tjera, përgjatë bregdetit duke e ruajtur të pastër këtë fuqi ekonomike që po e transformon Shqipërinë”.

Këtë të shtunë nisi prishja e 23 objekteve të para nga 120 në total që janë të planifikuara për muajin Dhjetor në gjithë gjurmën e Unazës së Madhe.

Tv Klan