“Do të çojë në GjK bashkëjetuesen e Alibeajt”, Meta i përgjigjet Ballës

“Do të çojë në GjK bashkëjetuesen e Alibeajt”, Meta i përgjigjet Ballës

21:18 13/11/2019

“O lum miku, do të çojë në Gjykatën Kushtetuese bashkëjetuesen e Alibeajt”. Kështu deklaronte dy ditë më parë, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, sipas të cilit Meta ka ngulmuar që lista nga KED t’i shkojë me katër emra sepse është një emër i besuar i tij.

Por kreu i shtetit, Ilir Meta, këtë të mërkurë gjatë një konference për mediat pas emërimit të Marsida Xhaferllarit si gjyqtare kushtetuese deklaroi se nuk dëshiron të merret me thashetheme nga njerëz që nuk kanë asnjë lloj dinjiteti.

“Unë nuk jam për t’u marrë me thashetheme të turpshme që u takojnë vetëm njerëzve dhe politikanëve që nuk kanë asnjë lloj dinjiteti jo vetëm institucional dhe politik, por as familjar dhe shoqëror. Mos prisni nga unë të merrem me gjëra të tilla. Besoj se veprimet e mia kanë qenë tërësisht të ligjshme”, tha Meta.

Ai mbrojti dekretimin që i bëri Xhaferllarit duke thënë se ka pasur një ndër CV-të më të mira nga të gjithë kandidatët e tjerë. Madje sipas Metës, ajo ka qenë e diskriminuar në proces.

“Emri është me CV më të shkëlqyer nga të gjithë kandidatët që kanë qenë të sjella nga KED. Është person tërësisht i diskriminuar duket qartë se për çfarë arsyesh. Është një person që nga dy persona tërësisht të shfaqur si politikisht nga KED kanë marrë vlerësimin zero dhe kjo është arsyeja pse jemi këtu. Ka patur të gjitha kualifikimet më të larta si për sa i takon shkollimit, eksperiencës administrative dhe të gjithë vlerësimeve të tjera të karrierës në gjyqësor. Presidenti nuk merret me asnjë individ”, tha Meta

Sipas Metës, bllokimi i Gjykatës Kushtetuese ka ndodhur qëllimisht. Këtë gjë deklaroi se ua ka transmetuar edhe disa “diplomatëve të korruptuar”.

“Në qoftë se presidenti nuk do të kishte besimin tek asnjë individ do thoshte që nuk kam besim te askush dhe nuk kam detyrim të përzgjedh dhe të vepronim si të donin. Të ndërtosh një proces kaq me shumë probleme që nuk do doja t’i evidentoja, por janë evidentuar qartë për faj të mungesës së bashkëpunimit nga kryetari i KED dhe parlamentit për fat të keq dhe të përpiqesh ta banalizosh me histori të tilla, aq më tepër kur bëhet fjalë për krijimin e Gjykatës Kushtetuese e cila asnjë ditë nuk duhet të kishte qenë e mbyllur dhe bosh. Kjo ka ndodhur qëllimisht. Ua kam thënë edhe disa diplomatëve të korruptuar që thonin më mirë pa Gjykatë Kushtetuese”, tha Meta./tvklan.al




UKT
Grupi
LAJMET

Të ngjashme


UKT
Grupi