Autoritetet kineze kanë nisur hetimet për një baba, i cili u filmua duke goditur me shuplaka në fytyrë djalin e tij të mitur. Babai dyshohet se e godiste të birin 10-muajsh pasi ishte zemëruar nga fakti që i vogli kishte paralizë cerebrale, që vështirëson aftësinë e tij për të mësuar.

Sipas asaj që shkruan DailyMail, babai ishte nevrikosur pasi bebja nuk ngrinte dot kokën, apo nuk qëndronte dot ulur. Në mediat sociale kinezet thuhet gjithashtu se babai, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, kishte refuzuar që ta çonte të birin në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe kishte thënë se do të donte që i biri të vdiste.

Pamjet e rënda, të cilat besohet se u filmuan nga nëna e djalit, u postuan fillimisht në aplikacionin e mesazheve WeChat, përpara se të shpërndaheshin me shpejtësi duke shkaktuar zemëratë në rrjetet sociale. Përdorues të shumtë e akuzuan babain për abuzim ndaj fëmijës.

Por bashkëshortja, duke folur për mediat në vend mohoi që i shoqi e dhunoi të birin për shkak të problemeve të tij. Ajo shpjegoi se i biri kishte lindur para kohe dhe se vuante nga paraliza cerebrale, një numër problemesh në tru, që prekin lëvizjen dhe koordinimin. Megjithatë ajo deklaroi se arsyeja përse bashkëshorti e rrihte të voglin ishte fakti se ai nuk pushonte së qari.

/tvklan.al