Një 28-vjeçare, e cila i kaloi 7 muajt e fundit duke kërkuar për bashkëshortin e saj të zhdukur, u rrëmbye nga shtëpia e saj dhe u vra në veri të Meksikës javën e shkuar. Aranza Ramos u gjet e vdekur nga autoritetet në Guaymas, Sonora, të martën e shkuar.

Sipas mediave lokale, një grup personash të armatosur e morën Ramos me forcë nga shtëpia e saj, rreth orës 10 të mbrëmjes me orën lokale, në lagjen Ortiz. Policia e zbuloi trupin e saj të pajetë në një trotuar, 1 orë e gjysmë më vonë.

28-vjeçarja kishte krijuar dy grupe me vullnetarë për të kërkuar bashkëshortin e saj Brayan Celaya, i cili u zhduk më 6 Dhjetor të 2020-s.

Vetëm pak orë para se të rrëmbehej, Ramos postoi në Facebook një imazh të bashkëshortit të saj të zhdukur dhe kërkoi ndihmë për gjetjen e tij.

“Familjarë e miq, a mund të më ndihmoni që të shpërndajmë edhe njëherë imazhin e Brayan, teksa ju kërkoj të vazhdoni të luteni për të. Ju falenderoj nga zemra! Shumë-shumë faleminderit! Do të gjejmë dashuria ime, më prit edhe pak”, shkruajti ajo.

Ramos dhe Celaya ishin prindër të një vajze të vogël 1-vjeçe.

Meksika numëron më shumë se 87,800 persona të zhdukur që prej vitit 2006, kur presidenti Filipe Calderon zgjeroi betejën kundër karteleve të drogës. Për vite me radhë, të afërm të të zhdukurve janë bërë bashkë duke u vënë në kërkim të tyre, ndonjëherë duke gjetur varre masive, që janë nxjerrë më pas nga autoritetet./tvklan.al